Historite me te medha te dashurise nder shekuj

Historite me te medha te dashurise nder shekuj
Historitë e famshme të dashurisë nuk kanë kohë, ato janë të përjetshme. Bota ka parë shumë histori dashurie, por vetëm disa prej tyre janë kthyer në legjenda të përjetshme, janë gdhendur në libra e përjetësuar në projekte kinematografike. Disa nga këto çifte të dashuruarish janë përballur me refuzimin e të afërmve të tyre, të cilët s’kanë miratuar lidhjen e dashurisë, ndërsa të tjerë thjesht kanë jetuar një histori që ka zgjatur deri në ditët e fundit të jetës së tyre.

Historitë

Ndonjëherë në histori, tragjedia dhe dashuria kanë ecur përkrah njëra-tjetrës. Këto kanë qenë dhe ato histori që kanë frymëzuar më shumë poetët. Skenarë të njohur filmash e romane janë krijuar në bazë të këtyre historive, edhe pse ato kanë ndodhur shumë e shumë kohë më parë. “Websitet” e ndryshme, tani në prag të festës së përvitshme të Shën Valentinit, këshillojnë ata që duan të zgjedhin një eksperiencë të veçantë, që të lexojnë së bashku me njerëzit e tyre të zemrës këto histori të pavdekshme dashurie.

Shën Valentini

Historia e Shën Valentinit është e mbështjellë me mister. Një legjendë thotë se Valentini ishte një prift, i cili shërbente gjatë shekullit të tretë në Romë. Bëhet fjalë për kohën kur perandori Klaudius II vendosi që të nxirrte jashtë ligjit martesën për meshkujt e rinj, pasi mendonte se të pamartuarit ishin ushtarë më të zotët. Valentini, i cili e konsideronte padrejtësi një gjë të tillë, celebronte në fshehtësi martesat e të rinjve të dashuruar. Kur Klaudius e zbuloi një gjë të tillë, ai urdhëroi që Valentini të dënohej me vdekje. Sipas historive të tjera, Valentini mund të jetë vrarë ndërsa ndihmonte të krishterët të arratiseshin nga burgjet romake ku ata torturoheshin. Sipas një legjende tjetër, Valentini ia dërgoi përshëndetjen e parë vetes së tij. Ndërsa ishte në burg mendohet se Valentini u dashurua me një vajzë të re, e cila mund të ketë qenë e bija e rojës së burgut, e cila e vizitonte shpeshherë. Përpara se të vdiste mendohet se i mund t’i ketë lenë asaj një letër me firmën “Nga Valentini yt”. Në Britaninë e Madhe Shën Valentini filloi të ishte një festë popullore rreth shekullit të 17-të. Nga mesi i shekullit të 18-të u kthye në një ritual të zakonshëm që miqtë dhe të dashuruarit e të gjithë sferave shoqërore të shkëmbenin dhurata të vogla apo letra me shkrim dore. Nga fundi i këtij shekulli kartolinat e shtypura filluan të zëvendësonin ato të bëra me dorë për shkak të përparimeve të teknologjisë. Në ditët e sotme mendohet se ditën e Shën Valentinit shiten rrethe një miliardë kartolina, duke e renditur këtë festë në të dytën për sa i përket numrit të kartolinave të dërguara.

Mark Antoni dhe Kleopatra Faraonia e Egjiptit dhe gjenerali romak

Historia e dashurisë së faraones së fundit të Egjiptit dhe gjeneralit të pashëm romak skandalizoi gjithë shoqërinë romake dhe politikanët romakë. Ata u martuan në vitin 36 para Krishtit, por dashuria e tyre nuk pati fund të lumtur. Pavarësisht të gjitha rreziqeve, Mark Antoni dhe Kleopatra u martuan në vitin 36 Para Krishtit. Në vitin 31 para Krishtit, kur Mark Antoni dëgjoi në fushën e betejës lajmin e rremë se Kleopatra kishte vdekur, ai ra mbi shpatën e tij. E mbetur pa shpresë, Kleopatra vrau veten duke përdorur një gjarpër helmues.

Marie dhe Pier Kurie, partnerë në dashuri dhe në shkencë

Marie kalonte çdo minutë kohë të lirë duke studiuar në laborator. Kështu ajo i ra në sy Pier Kurie, i cili ishte drejtori i një prej laboratorëve ku ajo punonte. Ai i bëri asaj propozime të shumta martese deri sa ajo pranoi. Ata u martuan më në fund, në vitin 1895 dhe filluan kështu lidhjen e tyre të famshme. Tre vite më vonë ato zbuluan poloniumin dhe radiumin. Në vitin 1903 fituan çmimin Nobel. Kur Pier vdiq në vitin 1904, Marie vazhdoi punën e tyre të përbashkët duke u bërë dhe mësuesja e parë femër në Sorbonë.

Alfred Lunt dhe Lin Fontan, çifti që “mbretëroi” 55 vite në Broduei

Lunt dhe Fontan u shfaqën në pjesën e parë teatrore së bashku, në vitin 1919. Ata u martuan tre vite më vonë. Rrallë ka ndodhur që një histori dashurie teatrale të zgjasë aq shumë ose të ketë një triumf të tillë. Për 55 vite ata ishin të pandashëm nga njëri tjetri. Ata shkëlqyen në Broduei me rolet e tyre në komeditë e sofistikuara të Xhorxh Bernard Shout, Terenc Ratigan dhe Noel Kouard, vepra madhore e të cilit, “Design for living” ishte krijuar enkas për ata të dy. Alfred dhe Lin u larguan nga skena në vitin 1958.

Eni Oaklei dhe Frenk Batler, gjuajtësit e talentuar që frymëzuan “musical” amerikan

Eni Oaklei nga Ohajo ishte një vajzë çapkëne, e cila shumë shpejt u bë e njohur si qitëse e talentuar. Frank Butler, i cili ishte qitës me famë në atë kohë, u habit pa masë kur i thanë se një vajzë e re kishte pranuar sfidën e tij për të mundur këdo. Por në fakt, vajza e re e fitoi konkursin dhe e mundi atë. Ajo fitoi gjithashtu dhe zemrën e tij. Ata u martuan në vitin 1882. Butler braktisi karrierën e tij, për të menaxhuar atë të gruas së tij. Eni vdiq në vitin 1962. Bashkëshorti i saj zemërthyer, vdiq 18 ditë më vonë, ndërkohë që martesa e tyre e lumtur kishte zgjatur 44 vite.

Robert dhe Elizabeth Brouning, një histori dashurie sekrete mes dy poetëve legjendarë

Historia e dy poetëve përmban gjithë elementët e duhur për një histori romantike, shoqërimin e fshehtë me njëri tjetrin, arratisjen, poezitë e dashurisë dhe peizazhin piktoresk italian. Elizbeth shkruante poezi që kur ishte e vogël dhe botoi një libër “Poems” në vitin 1844. Shkrimet e saj tërhoqën vëmendjen e Brouning, i cili ishte poet. Ata u detyruan të arratisen në Itali pas kundërshtimit të babait të Elizabeth për martesën. Poezitë e të dyve u frymëzuan pikërisht nga historia e dashurisë së tyre.

Viktoria dhe Alberti, mbretëresha angleze që vajtoi bashkëshortin për 41 vite

Mbretëresha Viktoria dhe Princi Albert u martuan më 1840. Çifti pati nëntë fëmijë dhe Viktoria ishte shumë e dashuruar pas bashkëshortit të saj. Kur Alberti vdiq më 1861 ajo nuk u shfaq në publik për tre vjet rresht. Izolimi i saj i gjatë shkaktoi kritika publike. Sidoqoftë, nën influencën e kryeministrit Benxhamin Disraeli, Viktoria iu rikthye jetës publike në vitin 1866. Por Viktora, s’reshi kurrë së vajtuari për princin e saj të dashur, duke u veshur me të zeza deri në fund të jetës së saj.

Xhon Alden dhe Prishila Mullins, një prej romancave të para të kolonive në SHBA

Historia e tyre ishte një nga romancat e para në kolonitë amerikane. Historia e tyre e dashurisë është e përjetësuar në një poemë të vitit 1858 të Henry Longfellou. Sipas poemës, Alden u njohu me Mullins, kur kapiteni i tij e dërgoi atë t’i thoshte vajzës së bukur se kishte rënë në dashuri me të. Mirëpo Alden dhe Mullins u dashuruan bashkë, megjithëse nuk mund ta shprehnin nga frika se mos fyenin kapitenin. Së fundmi ata u martuan, lindën 11 fëmijë dhe janë ndër themeluesit e Duksbëri në Masacusets.

Shah Jahan dhe Mumtaz Mahal, perandori që ndërtoi Taxh Mahalin për gruan e tij

Perandori Shah Jahan ishte i dashuruar marrëzisht pas gruas së tij 15-vjeçare, Mumtaz Mahal. Ajo i dhuroi atij 14 fëmijë dhe u bë gruaja e tij e preferuar. Pas vdekjes së saj në 1629, perandori që mbajti zi për një kohë të gjatë për gruan e tij të dashur, vendosi të ndërtonte në nder të saj një monument. U deshën 20 mijë punëtorë, një mijë elefantë dhe rreth 20 vite për përfundimin e monumentit, i cili sot është një destinacion i preferuar i turistëve, Taxh Mahali. Kur Shah Jahan vdiq, e varrosën përkrah gruas së tij në Taxh Mahal.

Abigail dhe Xhon Adams, një histori dashurie gjysmëshekullore gjatë luftës revolucionar

Edhe pse ajo jetoi në një kohë, kur pjesa më e madhe e grave nuk ishin të arsimuar, Abigail Adams mësoi të lexonte dhe të ishte në kontakt me ngjarjet e momentit në vend. Intelekti i Abigail tërhoqi vëmendjen e avokatit të ri, Xhon Adams dhe ata u martuan në vitin 1764. Ishte një dashuri intelektuale dhe romantike që do të zgjaste për 50 vjet. Gjatë kohës që Adams ishte larg shtëpisë, ata i shkruanin njëri tjetrit letra të gjata romantike. Në vitin 1810 ata lanë Shtëpinë e Bardhë dhe u tërhoqën në fermën e tyre në Masaçusets, ku gëzuan praninë e njëri-tjetrit dhe për 17 vite të tjera.

Abelardi dhe Heloiza, dashuria e një murgu e murgeshe që jetoi ndër shekuj

Historia tragjike e Abelardit dhe Heloziës ka jetuar ndër shekuj. Rrethi vitit 1100, Peter Abelard shkoi në Paris të studionte në shkollën “Notre Dame”. Ai fitoi shpejt si reputacionin si filozof i shquar. Kur meshtari i “Notre Dame” e punësoi atë t’i jepte mësim mbesës së tij, Heloizës, ai u dashurua marrëzisht me mbesën e punëdhënësit të tij, Heloizën me të cilën pati dhe një fëmijë. Mirëpo pasi u mor vesh një gjë e tillë, Heloizën e mbyllën në një kuvend dhe Abelardi vendosi të bëhej murg. Ata vazhduan ta donin njëri tjetrin dhe letrat e tyre janë botuar më vonë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama