PJESA E TRETE
KUVENDI
KREU I
ZGJEDHJA DHE AFATI
Neni 64
1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë. 100 deputetë
zgjidhen drejtpërdrejt në zona njëemërore me numër
të përafërt zgjedhësish. 40 deputetë zgjidhen
nga listat shumemërore të partive dhe/ose koalicioneve të
partive sipas renditjes në to.
2. Numri i përgjithshëm i deputetëve të çdo
partie dhe/ose koalicioni partish përcaktohet në raport sa
më të afërt me votat e vlefshme të marra prej tyre
në të gjithë vendin në raundin e parë të
zgjedhjeve.
3. Partitë që marrin më pak se 2.5 për qind dhe
koalicionet e partive që marrin më pak se 4 për qind
të votave të vlefshme në të gjithë vendin në
raundin e parë të zgjedhjeve, nuk përfitojnë nga
listat shumemërore përkatëse.
Neni 65
1. Kuvendi zgjidhet për katër vjet.
2. Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen 60 deri në 30 ditë
para mbarimit të mandatit dhe jo më vonë se 45 ditë
pas shpërndarjes së tij.
3. Mandati i Kuvendit vazhdon deri në mbledhjen e parë të
Kuvendit të ri. Në këtë ndërkohë Kuvendi
nuk mund të nxjerrë ligje ose të marrë vendime,
me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave
të jashtëzakonshme.
Neni 66
Mandati i Kuvendit zgjatet vetëm në rast lufte dhe për
aq kohë sa vazhdon ajo. Kur Kuvendi është i shpërndarë,
ai rithirret vetiu.
Neni 67
1. Kuvendi i porsazgjedhur thirret në mbledhjen e parë nga
Presidenti i Republikës jo më vonë se 20 ditë nga
përfundimi i zgjedhjeve.
2. Në rast se Presidenti i Republikës nuk e ushtron këtë
kompetencë, Kuvendi duhet të mblidhet vetë brenda 10
ditëve nga mbarimi i afatit të parashikuar në paragrafin
1 të këtij neni.
KREU II
DEPUTETËT
Neni 68
1. Kandidatët për deputetë mund të paraqiten vetëm
nga partitë politike, nga koalicionet e partive, si dhe nga zgjedhësit.
2. Rregullat për caktimin e kandidatëve për deputetë,
për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, si dhe përcaktimi
i zonave zgjedhore dhe kushtet e vlefshmërisë së zgjedhjeve
rregullohen nga ligji për zgjedhjet.
Neni 69
1. Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë,
pa hequr dorë nga detyra:
a) gjyqtarët, prokurorët;
b) ushtarakët e shërbimit aktiv;
c) punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar;
ç) përfaqësuesit diplomatikë;
d) kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët
në vendet ku kryejnë detyrat e tyre;
dh) kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve;
e) Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë
të administratës shtetërore të parashikuar nga
ligji.
2. Mandati i fituar në kundërshtim me paragrafin 1 të
këtij neni është i pavlefshëm.
Neni 70
1. Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen
me asnjë mandat detyrues.
2. Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht
asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç
asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave.
Rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj.
3. Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari
fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit
vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.
4. Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij
neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një
së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi
vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën
Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.
Neni 71
1. Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur
nga komisioni përkatës i zgjedhjeve.
2. Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm,
sipas rastit:
a) kur ai nuk bën betimin;
b) kur heq dorë nga mandati;
c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë
ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet
69, 70 paragrafët 2 dhe 3;
ç) kur mbaron mandati i Kuvendit;
d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend;
dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës
së prerë për kryerjen e një krimi.
Neni 72
Para fillimit të ushtrimit të mandatit deputetët bëjnë
betimin në Kuvend.
Neni 73
1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura
në Kuvend dhe për votat e dhëna prej tij. Kjo dispozitë
nuk zbatohet në rastin e shpifjes.
2. Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit.
Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet.
3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim
kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes
së një krimi të rëndë. Në këto raste,
Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin,
i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për
heqjen e masës.
4. Për rastet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të
këtij neni, Kuvendi vendos me votim të fshehtë.
KREU III
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI
Neni 74
1. Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i
parë fillon të hënën e tretë të janarit
dhe sesioni i dytë të hënën e parë të
shtatorit.
2. Kuvendi mblidhet në sesion të jashtëzakonshëm,
kur kërkohet nga Presidenti i Republikës, nga Kryeministri
ose nga një e pesta e të gjithë deputetëve.
3. Sesionet e jashtëzakonshme thirren nga Kryetari i Kuvendit
në bazë të një rendi dite të përcaktuar.
Neni 75
1. Kuvendi zgjedh dhe shkarkon Kryetarin e vet.
2. Kuvendi organizohet dhe funksionon sipas rregullores së miratuar
nga shumica e të gjithë anëtarëve.
Neni 76
1. Kryetari kryeson debatin, drejton punimet, siguron respektimin e
të drejtave të Kuvendit dhe të anëtarëve të
tij, si dhe përfaqëson Kuvendin në marrëdhëniet
me të tjerët.
2. Nëpunësi më i lartë civil i Kuvendit është
sekretari i përgjithshëm.
3. Shërbimet e tjera të nevojshme për funksionimin e
Kuvendit kryhen nga nëpunës të tjerë, siç
përcaktohet në rregulloren e brendshme.
Neni 77
1. Kuvendi zgjedh nga gjiri i tij komisione të përhershme,
si dhe mund të caktojë komisione të posaçme.
2. Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të
një së katërtës së të gjithë anëtarëve
të tij, është i detyruar të caktojë komision
hetimi për të shqyrtuar një çështje të
veçantë. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese
për gjykatat, por mund t'i njoftohen prokurorisë, e cila i
vlerëson sipas procedurës ligjore.
3. Komisionet e hetimit veprojnë sipas procedurës së
parashikuar me ligj.
Neni 78
1. Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të
më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve
të tij, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një
shumicë të cilësuar.
2. Mbledhjet e deputetëve që mbahen pa u thirrur sipas rregullores,
nuk sjellin asnjë pasojë.
Neni 79
1. Mbledhjet e Kuvendit bëhen të hapura.
2. Me kërkesën e Presidentit të Republikës, të
Kryeministrit ose të një së pestës së deputetëve
mbledhjet e Kuvendit mund të bëhen të mbyllura, kur për
këtë kanë votuar shumica e të gjithë anëtarëve
të tij.
Neni 80
1. Kryeministri dhe çdo anëtar tjetër i Këshillit
të Ministrave është i detyruar t'u përgjigjet interpelancave
dhe pyetjeve të deputetëve brenda tri javëve.
2. Anëtari i Këshillit të Ministrave ka të drejtë
të marrë pjesë në mbledhjet e Kuvendit ose të
komisioneve të tij; atij i jepet fjala sa herë që e kërkon.
3. Drejtuesit e institucioneve shtetërore, me kërkesë
të komisioneve parlamentare, japin shpjegime dhe informojnë
për çështje të ndryshme të veprimtarisë
së tyre për sa e lejon ligji.
KREU IV
PROCESI LIGJVËNËS
Neni 81
1. Të drejtën për të propozuar ligje e ka Këshilli
i Ministrave, çdo deputet, si dhe 20 mijë zgjedhës.
2. Miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve
të Kuvendit:
a) ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve,
të parashikuara nga Kushtetuta;
b) ligji për shtetësinë;
c) ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore;
ç) ligji për referendumet;
d) kodet;
dh) ligji për gjendjen e jashtëzakonshme;
e) ligji për statusin e funksionarëve publikë;
ë) ligji për amnistinë;
f) ligji për ndarjen administrative të Republikës.
Neni 82
1. Propozimi i ligjeve, kur është rasti, duhet të shoqërohet
kurdoherë me raportin që përligj shpenzimet financiare
për zbatimin e tij.
2. Asnjë projektligj joqeveritar që bën të nevojshme
rritjen e shpenzimeve të buxhetit të shtetit ose që pakëson
të ardhurat, nuk mund të miratohet pa marrë mendimin
e Këshillit të Ministrave, i cili duhet të shprehet brenda
30 ditëve nga data e marrjes së projektligjit.
3. Në qoftë se Këshilli i Ministrave nuk shprehet brenda
afatit të mësipërm, projektligji kalon për shqyrtim
sipas procedurës së zakonshme.
Neni 83
1. Projektligji votohet tri herë: në parim, nen për
nen dhe në tërësi.
2. Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave
ose të një së pestës së të gjithë
deputetëve, mund të shqyrtojë e të miratojë
një projektligj me procedurë të përshpejtuar, por
jo më parë se një javë nga fillimi i procedurës
së shqyrtimit.
3. Procedura e përshpejtuar nuk lejohet për shqyrtimin e
projektligjeve të parashikuara në nenin 81 paragrafi 2, me
përjashtim të nënparagrafit dh.
Neni 84
1. Presidenti i Republikës shpall ligjin e miratuar brenda 20
ditëve nga paraqitja e tij.
2. Ligji quhet i shpallur, në qoftë se Presidenti i Republikës
nuk ushtron të drejtat e parashikuara në paragrafin 1 të
këtij neni dhe në paragrafin 1 të nenit 85.
3. Ligji hyn në fuqi me kalimin e jo më pak se 15 ditëve
nga botimi i tij në Fletoren Zyrtare.
4. Në rastet e masave të jashtëzakonshme, si dhe në
rast nevoje e urgjence, kur Kuvendi vendos me shumicën e të
gjithë anëtarëve dhe Presidenti i Republikës jep
pëlqimin, ligji hyn në fuqi menjëherë, vetëm
pasi të jetë njoftuar publikisht. Ligji duhet të botohet
në numrin më të parë të Fletores Zyrtare.
Neni 85
1. Presidenti i Republikës ka të drejtë ta kthejë
ligjin për rishqyrtim vetëm një herë.
2. Dekreti i Presidentit për rishqyrtimin e një ligji e humbet
fuqinë, kur kundër tij votojnë shumica e të gjithë
anëtarëve të Kuvendit.
|