PJESA E TETEMBEDHJETE
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 178
1. Ligjet dhe aktet e tjera normative të miratuara para datës
së hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute do të
zbatohen derisa nuk janë shfuqizuar.
2. Këshilli i Ministrave i paraqet Kuvendit projektligjet e nevojshme
për vënien në zbatim të kësaj Kushtetute.
Neni 179
1. Mandati i organeve kushtetuese që do të ekzistojnë
me hyrjen në fuqi të kësaj Kushtetute mbaron me afatet
e parashikuara në ligjin nr.7491, datë 29.4.1991 "Për
dispozitat kryesore kushtetuese", me ndryshimet dhe plotësimet
përkatëse.
2. Anëtarët e Gjykatës së Kasacionit vazhdojnë
veprimtarinë e tyre si anëtarë të Gjykatës
së Lartë, sipas mandatit të mëparshëm.
3. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë
të zgjedhur nga radhët e prokurorëve zëvendësohen
me anëtarë të rinj të zgjedhur nga mbledhja e përgjithshme
e gjyqtarëve.
4. Organet e pushtetit vendor vazhdojnë veprimtarinë deri
në mbarim të mandatit të tyre.
Neni 180
1. Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga
Republika e Shqipërisë para hyrjes në fuqi të kësaj
Kushtetute konsiderohen të ratifikuara sipas kësaj Kushtetute.
2. Këshilli i Ministrave i paraqet Gjykatës Kushtetuese marrëveshjet
ndërkombëtare, të cilat përmbajnë dispozita
që vijnë në kundërshtim me këtë Kushtetutë.
Neni 181
1. Kuvendi, brenda dy deri tre vjetëve nga hyrja në fuqi
e kësaj Kushtetute, nxjerr ligje për rregullimin e drejtë
të çështjeve të ndryshme që lidhen me shpronësimet
dhe konfiskimet e kryera para miratimit të kësaj Kushtetute,
duke u udhëhequr nga kriteret e nenit 41.
2. Ligjet dhe aktet e tjera normative të miratuara para datës
së hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute dhe që
kanë të bëjnë me shpronësimet dhe konfiskimet,
do të zbatohen kur nuk vijnë në kundërshtim me të.
Neni 182
Ligji nr.7491, datë 29.4.1991 "Për dispozitat kryesore
kushtetuese", si dhe ligjet e tjera kushtetuese shfuqizohen ditën
e hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute.
|