e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Opinion

Mbi politizimin e shtypit shqiptar

Problemi real që i është krijuar shtypit në Shqipëri, është pamundësia për të qenë një shtyp i lirë dhe i pavarur, për shkak të formatit ku e ka vendosur shteti hapesiren e mundesive për të ngritur një shtyp të lirë. Më konkretisht, do të thoja se sot nuk kemi thuajse asnjë institucion shtypi, asnjë redaksi shtypi, përfshi ato që janë pro-qeveritare, ose anti-qeveritare, që të jenë të marketizuara dhe që të funksionojnë falë tregut. Të tilla organe në Shqipëri janë vetëm disa javore zbavitëse, me fjalë-kryqe, apo kërkesa për njohje midis djemsh dhe vajzash, e gjithë pjesa tjetër e shtypit, është një shtyp që nuk mbijeton dot, për shkak të hapësirës së ngushtë që i ka krijuar shteti shqiptar dhe politika shqiptare e shtypit. Për këtë arsye, shtypi shqiptar është i subvencionuar në mënyrë ilegale nga lobe të lidhura me poltikën dhe nga biznesi, i cili është kthyer në një gardian të poltikës në raport me shtypin. Për këtë arsye, nuk mund t’i bëjmë gjyq një shtypi, i cili nuk funksionon dot si një shtyp që mban distancë nga politika, për shkak se politika i ka mbyllur të gjitha mundësitë për të qenë një shtyp i marketizuar, që të funksionojë falë rregullave të tregut dhe të përpiqet për rritjen e personalitetit të gazetarëve dhe ekipeve botuese të tij.