Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Komisar Ahmeti, kronika e një fundi me lavdi

Shkruar nga: Ilir Paço  
Botuar më: 16 vite më parë

Ilir Paço
Komisar Ahmeti, kronika e një fundi me lavdi

E kujtova këtë pas vendimit të djeshëm të gjykatës për pezullimin nga detyra të shefit të Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Krenar Ahmeti. E akuzojnë për veprime arbitrare. Sepse nuk lejoi që një prokurore e Krimeve të Rënda, bashkëshorti dhe vëllai i saj të fyejnë policin e thjeshtë rrugor që i ndaloi për kundravajtje, ose qoftë edhe për një kontroll rutinë.

Ndoshta krahasimi që do bëj nuk ka shumë sens, por ashtu sikundër Edi Rama dikur e bëri shumicën e njerëzve të besojnë se Tirana mund të gjelbërohet dhe të ketë rrugë si simotrat evropiane, komisar Ahmeti bëri që drejtuesit e automjeteve të nderojnë rregullin dhe respektimin e semaforëve, dhe jo kalimin e “të fortit” me të kuqe dhe e shoferëve të zyrtareve në krahun e kundërt të rrugës, ndërsa qindra drejtues makinash presin në radhë gjatë orëve të trafikut për të mbërritur në destinacion.

Nuk besoj se ka ndokënd që jeton në këtë vend që nuk e përfytyron skenën me prokuroren, bashkëshortin dhe vëllain e saj që ngiste makinën. Sepse mjafton të jesh në timonin e një automjeti të një zyrtari dhe mund të mos pyesësh për asnjë polic rrugor, mund të parkosh ku të duash dhe të hysh kundravajtje kudo. Krenar Ahmeti nuk bëri asgjë më shumë sesa kërkoi të vendosë në vend dinjitetin e një vartësi të tij i cili u gjend i fyer nga këta njerëz me “imunitet”. Kaq bëri Krenar Ahmeti. Ai bëri atë që edhe dje në mesnatë e pashë rastësisht ta bënte; ndoqi një kundravajtës që shkeli semaforin dhe arriti ta ndalojë.

Një gjest që shumë policë të tjerë si ai, përtojnë ta bëjnë dhe mbyllin njërin sy sikur nuk e shikojnë atë që ndodh. Krenar Ahmeti është komisar i aksionit gjatë gjithë ditës. Të mjafton të rrish disa orë me të dhe e kupton. Është një ëndërrimtar i pandreqshëm që mendon se kaosi rrugor i Tiranës mund të zhbëhet nëse nuk e kthen kokën në anën tjetër kur “të fortët” si prokurorja në fjalë shkelin rregullat dhe ligjet.

Në fakt nuk ishte surprizë një përfundim i tillë për komisar Ahmetin, në një vend si Shqipëria, ku morali funksionon në kah të kundërt. Ku “i mirë” dhe “i zgjuar” quhet ai që nuk bën asgjë dhe “i keq” ai që përpiqet të bëjë punën e tij dhe të zbatojë ligjet. Dhe ai me siguri që e dinte këtë. Ka edhe shembuj të tjerë si ai i komisar Kosenit në Elbasan, që arriti t’i bëjë qytetarët të dilnin pa frikë nëpër rrugë, në kohën që në pjesën tjetër të vendit njerëzit mblidheshin nëpër shtëpi që në 5 pasdite nga frika e bandave. Edhe fundi i Edmond Kosenit dihet tashmë.

Komisar Ahmeti mund të kish vepruar edhe ndryshe, të merrte dhurata milionëshe nga disa, e të hapte firma ndërtimi si ndonjë paraardhës i tij. Por nuk e bëri. E vetmja gjë që arriti, përveçse uli në maksimum aksidentet rrugore, ishte për fatin tonë të keq që na bëri të shpresojmë se mund të bëhej më mirë. Por na “zhgënjeu”, jo për faj të tij, por të sistemit.

Mos shpreso dhe atëherë nuk do të zhgënjehesh”, thotë Salman Ruzhdie. Këtë duhet të kishim bërë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama