Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Falemnderit Erkand Qerimaj dhe Romela Begaj

Shkruar nga: Fidel Ylli  
Botuar më: 12 vite më parë

Fidel Ylli
Falemnderit Erkand Qerimaj dhe Romela Begaj

Të gjithë po përjetojmë këto ditë një krenari të përbashkët për dy heronj të rinj: ata janë sportistë dhe quhen Erkand Qerimaj dhe Romela Begaj. U stërvitën në palestra pa drita, pa ujë, pa kushte stërvitore, por u rritën si kampionë e nënkampionë Europe. Sporti edhe një herë tregoi se është një nga mundësitë më të mira për të “magjepsur” ndërkombëtarët, sepse sportistët gjithmonë kanë qenë dhe mbeten ambasadorët më të mirë të vendeve që përfaqësojnë.

Sporti mbart fuqinë e magjepsjes së botës ndoshta më shumë se ca fusha të tjera; kjo jo vetëm për shkak të garës ku triumfon veçse më i miri, por edhe krenarisë kombëtare që buron prej saj. Gazetat shkruanin në faqet e para se ky sukses është i të gjithë shqiptarëve. Euforia jonë kur Qerimaj këndonte Himnin Kombëtar fare mirë mund të krahasohet me ngazëllimin ndaj fitores historike të 2004-s të Kombëtares së Shqipërisë me kampionen e Europës në fuqi, Greqinë. Përmes sportit për shqiptarët mund të hapen dyer të tjera, miqësi të reja, imazh më i mirë, por edhe vëmendje dhe interesim i komunitetit ndërkombëtar. Përmes modeleve që ofron sporti, të rinjtë do të kërkojnë t’i qasen më shumë atij me një qëllim të vetëm, që të bëhen si Erkand Qerimaj dhe Romela Begaj.

Ashtu si qindra të rinj anembanë botës, ata do të duan të hedhin çdo hap si idhujt e tyre në përpjekje për të fituar trofe e për t’u ndjerë krenarë që janë shqiptarë. Do të aspirojnë që të ngjiten në pode fituesish për të ngritur mbi supe flamurin kuqezi e për të kënduar me dorë në zemër Himnin Kombëtar.  Erkand Qerimaj dhe Romela Begaj janë sot dy sportistë kuqezi që bashkojnë aspiratat e gjithë shqiptarëve duke i dhënë Shqipërisë imazhin e një vendi europian, sepse sporti nuk është thjesht e vetëm garë, ai është përçues i një imazhi pozitiv, është një rrugë më shumë për një Rilindje Shqiptare.

Derisa Shqipëria nuk mund ta përmirësojë imazhin e saj duke pasur një qeveri funksionale, duke zhvilluar një ekonomi të shëndoshë, duke luftuar korrupsionin e politikën e egër e pa vizion, janë këta sportistë modeli më ndikues i një Shqipërie me perspektivë europiane. Asgjë më shumë nuk bënë Kroacia dhe Greqinë, dy vende sa afër dhe larg nesh, që përmes sportit arritën të thyenin të gjitha paragjykimet dhe stereotipat negativë karshi vendit të tyre. Kampionët tanë treguan se Shqipëria mund të bëhet referencë e një modeli pozitiv që zgjon më shumë se çdo gjë tjetër krenari e dinjitet kombëtar. Ky është sporti që kemi ëndërruar, këta janë sportistët që kontribuojnë për këtë vend më shumë se të gjitha qeveritë të marra bashkë për integrimin e Shqipërisë.

Çështja është, si do të mund të ndërtojmë kushte për të prodhuar sa më shumë Erkandë dhe Romela. Druaj shumë se pas shuarjes së jehonës të gjithë do t’i kthehen jetës “normale” shqiptare. Druaj po aq se, pasi perdja të ulet, do të duartrokasim fort për suksesin e tyre e më pas do t’u kthejmë shpinën. Druaj se pas do kohe, këta kampionë Europe do të ngrenë zërin për më shumë vëmendje, kushte stërvitore dhe trajtim më të mirë nga shteti. Do t’i presim si heronj, ashtu siç ata e meritojnë, por druaj se do t’i përcjellim ashtu siç ata kurrë nuk e meritojnë.

Prandaj ky është momenti i tyre. Por ky është dhe momenti që të gjithë ne ta kthejmë vëmendjen te sporti. Ka ardhur koha që të reflektojmë e t’i vlerësojmë këta sportistë e shumë të tjerë që do t’i ndjekin nga pas, si pasurinë më të madhe të këtij vendi, të cilët me punë e sakrificë i kanë dhuruar Shqipërisë dhe shqiptarëve momente krenarie e dinjiteti kombëtar. Erkand Qerimaj dhe Romela Begaj e meritojnë sepse ata arritën atje ku nuk arriti dot askush duke i treguar Europës modelin europian të shqiptarëve. Çdo sukses i sportit është një tullë më shumë për një rilindje shqiptare dhe mbetet detyrë e të gjithëve, sidomos e klasës politike, që të dijë t’i shfrytëzojë këto thesare të çmuara të sportit shqiptar.

Ju falënderojmë Erkand Qerimaj dhe Romela Begaj që na rikthyet dinjitetin dhe na bëtë të ndjehemi krenarë që jemi shqiptarë. Europa është e juaja, prandaj ne kemi nevojë për ju, që ajo të bëhet edhe e të gjithë shqiptarëve.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama