Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

  Trashëgimia Kulturore
  Arkeologjia
  Besimet Fetare
  Gjuha Shqipe
  Artet e Bukura
  Fotografia Shqiptare
  Kodikėt e Shqipėrisė
  Eposi Shqiptarėve
  Kultura Tradicionale
  Kanun e Kuvend
  Letėrsia Shqiptare
  Solidariteti
  Arkitektura
  Teatri
  Kinemaja
  Muzika

  Historia e Shqipërisë
  Ilirët
  Mesjeta shqiptare
  Sundimi Osman
  Rilindja
  Artikujt mbi Historinë

  Shqipëria
  Letersi Shqipe
  Arkeologji
  Pamje nga Shqipėria
  Figura tė Ndritura
  Sporti Shqiptar
  Humor
  Transmetime
  Kuzhina Shqiptare

  Qytete Shqiptare
  Korca
  Shkodra
  Mirdita
  Tepelena
  Tetova


E vetmja vulë ekzistuese e Gjergj Kastriot Skënderbeut është gjetur në Danimarkë.

Me kërkesë të zv/kryeministrit Meta, vula e gjetur në Danimarkë pritet të mbërrijë në Shqipëri për t’u ekspozuar

Vula e Skënderbeut, udhëtim për në Tiranë

Ambasadori shqiptar në Danimarkë: Ja si u gjet vula e rrallë. Konsiderohej si relike osmane

Belina Budini
TIRANË – Nga kancelaria e Gjergj Kastriot Skënderbeut në Muzeun Kombëtar të Danimarkës. Bëhet fjalë për një vulë dylli origjinale, të përdorur nga Skënderbeu, e cila pritet të mbërrijë së shpejti për t’u ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë dhe në muzeun e Krujës. Sipas studiuesve dhe njohësve të epokës së Skënderbeut, kjo vulë mbart vlera të shumta historike si dëshmi materiale e kancelarisë së Skënderbeut. Përveç disa letrave nga korrespondenca e Skënderbeut, pak prej objekteve që ka përdorur ai kanë mundur t’i rezistojnë kohës e të ruhen deri sot. Më shumë se për vulat dhe objektet e skrivanisë së tij është treguar kujdes për armët, të cilat ruhen në muzeume. Sipas studiuesve, deri tani nuk është zbuluar dhe nuk ka mbërritur në Shqipëri asnjë vulë origjinale, përveç stampimeve të vulave të ndryshme që ka përdorur Skënderbeu në letrat që ai ka shkruar, pak prej të cilave kanë arritur të gjenden. Lajmi për mbërritjen e pritshme të vulës së rrallë është konfirmuar dje për “Shekullin” nga zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme. Zëdhënësi i kësaj ministrie është shprehur se “Vula e dyllit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, e cila ndodhet në Muzeun Kombëtar të Danimarkës, me interesimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme do të ekspozohet së shpejti në Muzeun Kombëtar në Tiranë si dhe në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë.

Vula e Skenderbeut e gjetur ne Danimarke

Si u njoh vula
Prej kohësh qëndronte e ekspozuar në Muzeun Kombëtar në Kopenhagen. Por studiuesit shqiptarë nuk e kanë pikasur atë. Ajo ka qëndruar e harruar deri para pak kohësh, kur ambasadori i Shqipërisë në Danimarkë, Qemal Minxhozi ka treguar interes për objektin në fjalë. Pasi ka parë vulën e ekspozuar në muzeun e Danimarkës, ambasadori shqiptar ka zhvilluar një takim me kuratorin e Muzeut Kombëtar të Danimarkës, Peate Penz, me të cilin kanë rënë dakord që vula të sillet për t’u ekspozuar në Shqipëri. Minxhozi e ka vrojtuar nga afër vulën e dyllit të Heroit Kombëtar në këtë muze. Ai është shprehur se vula është në gjendje shumë të mirë dhe se të gjitha inicialet e saj ishin tepër të qarta. Nga ana tjetër, sipas kuratorit të muzeut të Danimarkës, Peate Pentz, vula mendohet të jetë derdhur në gadishullin Italik, pasi kualiteti i derdhjes është shumë i lartë dhe i avancuar për t’u krijuar në vende të tjera të Evropës. Me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ambasadori ynë ka biseduar me kuratorin danez për mundësinë e ekspozimit të kësaj vule me kaq vlera të mëdha kombëtare e historike në Muzeun Kombëtar të Tiranës dhe edhe në atë të Krujës. Në takim janë dorëzuar formularët për kushtet që duhet të plotësohen nga specialistët shqiptarë përkatës, për të bërë të mundur zhvendosjen e shpejtë të kësaj vule dhe mirëmbajtjen e saj në kushte të mira.

Prononcim:
Sabri Godo: Sikur të na bëhej dhuratë kjo vulë!

Shkrimtari Sabri Godo, i cili ka shkruar edhe një libër kushtuar heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, titulluar “Skënderbeu”, shpreh entuziazëm për mbërritjen e kësaj vule të ekspozuar në Danimarkë, edhe në Shqipëri. “Ky është një lajm i bukur. Mendoj se kjo vulë, nëse vërtet është ajo që përshkruhet, është e një rëndësie të madhe dhe mbart shumë vlera. Unë nuk e kam parë atë, por do të pres kur ajo të mbërrijë që ta vrojtoj nga afër. Megjithatë, ndoshta do të ishte më mirë që ajo jo vetëm të ekspozohej në muzetë tona, por të ishte edhe pjesë e tyre. Më bukur do të qe nëse muzeu i Evropës ku është ekspozuar t’ia bënte dhuratë Muzeut tonë Kombëtar”, - shprehet Godo. Ai shton se nga kancelaria e Skënderbeut janë zbuluar disa gjëra interesante dhe me shumë vlera dhe se të tilla, me siguri, ende kanë për t’u zbuluar në të ardhmen. Zbulimi i korrespondencës së Skënderbeut në arkivat e Vatikanit është një nga surprizat më të bukura të kohëve të fundit si dëshmi tepër e rëndësishme historike e kohës. Në shumë prej këtyre dokumenteve ka edhe vula të Skënderbeut,

Studiuesi:
Vulat e Skënderbeut, historia e vulës shtetërore dhe sekrete

Studiuesi Dhimitër Pilika, autor i disa studimeve për vulat dhe për betejat e kohës së Skënderbeut, na shpjegon historinë e gjetjes së vulave të stampuara në letër nga epoka e Skënderbeut. Ai thotë se bëhet fjalë për vulën shtetërore dhe atë sekrete të Skënderbeut. “Por nuk janë vula materiale, madje nuk janë gjetur as dokumentet origjinale në letër të vulosura, por disa kopje të tyre. Këto kopje me vulën shtetërore dhe atë sekrete të Gjergj Kastriot Skënderbeut janë ekspozuar prej kohësh në muzetë shqiptare, që prej vitit 1961. Që të dyja janë gjetur nga një profesor sllovak në Pragë, në arkivin e Raguzës”, - tregon Dhimitër Pilika. Ai shton se vula shtetërore stampon imazhin e një shqiponje me dy krerë dhe një yll me gjashtë cepa, që përfaqëson diellin, ndërsa vula tjetër, ajo sekretja, që sipas Pilikës, përdorej nga Skënderbeu për dokumente kryesisht financiare, stamponte imazhin e Zeusit të Dodonës bashkë me Ledën, një perri pellazge. Pilika përmend si gjetje interesante nga kancelaria e Skënderbeut edhe letrat që ky i fundit i ka pas çuar Vatikanit. Deri më tani gjenden të botuara vetëm letrat që Vatikani i ka pas dërguar Skënderbeut dhe jo anasjelltas. Në letrat e zbuluara janë gjetur edhe stampimet e vulave që ka përdorur Skënderbeu. Sa i përket vulës së gjetur, Pilika thotë se nuk e ka parë ende atë dhe se nuk mund të flasë me siguri pa e vrojtuar.


Pamje e Vulës së Skënderbeut

Minxhozi në tratativa për sjelljen në Tiranë. Ja aventura e vulës, që mbërriti në muze nga një ankand

Ambasadori: Si e gjetëm vulën në muzeun e Danimarkës

Ka përfunduar në muzeun e Danimarkës që në 1839, por jo si vulë e Skënderbeut. Është blerë nga ky muze me ankand në këtë kohë si një relike e Perandorisë Osmane. Deri në dhjetor të vitit 2002 njihej dhe ekspozohej në pavijonet e Muzeut Kombëtar të Danimarkës si e tillë. Ja çfarë rrëfen ambasadori shqiptar në Danimarkë për odisenë e kësaj vule qindravjeçare: “Që nga 1839 vula e Skënderbeut që pritet të mbërrijë në Tiranë konsiderohej si një relike nga vulat e Perandorisë Osmane. Vetëm përpara një viti, arkeologu Peate Penz, kurator i muzeut, në një studim të bërë, zbuloi se nuk bëhej fjalë për një relike të Perandorisë Osmane, por për një nga vulat origjinale të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Në të njëjtën kohë vula e zbuluar, pjesa e dyllit ka iniciale të qarta që tregojnë datimin e saj që nga koha e Skënderbeut. Arkeologu i njohur danez Penz ka përgatitur një artikull të gjatë studimor që do të botohet së shpejti në mediat shkencore të Kopenhagenit dhe do të titullohet “Shqiptari i madh”. Në këtë artikull ai do të zbulojë se si arriti ta identifikojë objektin e pretenduar për relike të Perandorisë Osmane që doli se është vula e heroit kombëtar të shqiptarëve”, - shprehet nga Danimarka, ambasadori i Shqipërisë atje, Qemal Minxhozi. Ai këto ditë është duke bërë tratativa për ta sjellë objektin në Shqipëri që të ekspozohet dhe thotë se mendohet që objekti të mbërrijë këtu pas një ose dy muajsh. “Ky është një proces që kërkon dëshirë politike, të cilën, ne e kemi patur deri tani, por edhe i kushtueshëm”, - shprehet Minxhozi. Më tej ai shton se ka vetëm tre ditë që ka patur mundësinë ta vrojtojë nga afër dhe ta prekë vulën në fjalë. “Përpara tre ditësh m’u mundësua ta vrojtoj nga afër këtë vulë dhe ta prek atë, sigurisht i pajisur me dorashkat përkatëse. Vula nuk është ndonjë objekt mahnitës, as i ndonjë madhësie të pazakontë siç mund të mendohet. Është pak më e madhe se vulat tona të zakonshme zyrtare. Ajo përbëhet nga pjesa metalike, që është vula e parë nga sipër dhe pjesa e dyllit ku lexohen qartë inicialet identifikuese të kohës së Skënderbeut. Gjatë gjithë këtyre kohëve, pra që nga 1839 kur vula ka mbërritur në muzeun e Danimarkës, është prezantuar siç thashë, si relike e osmanëve dhe vetëm para një viti është identifikuar si shqiptare nga Penz”, - shprehet ambasadori Minxhozi. Ai shton se ndërkohë që bëhen tratativat për ta sjellë në Tiranë, po mendohet që ardhja e saj në Shqipëri të shoqërohet edhe me ndonjë aktivitet, ku ajo të prezantohet më mirë për publikun dhe studiuesit shqiptarë. Sa i përket blerjes apo dhurimit të këtij objekti për muzeun shqiptar, Minxhozi thotë se është ende herët të flitet për këtë dhe se ajo që pretendohet për momentin është sjellja e objektit për t’u ekspozuar në Tiranë.