Regjistroni domainin tuaj .al

Kisha në Manastirin e Shën Mërisë në Spile, mundësi turizmi kulturor e historik

Shkruar nga:  
Postuar më: 5 vite mĂ« parĂ«

Kisha në Manastirin e Shën Mërisë në Spile, mundësi turizmi kulturor e historik
Kisha në Manastirin e Shën Mërisë në Spile, mundësi turizmi kulturor e historik

Kisha e manastirit të Shën Mërisë në Spile mbi fshatin Saraqinisht, rreth 20 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, vazhdon të ruajë të njëjtat vlera arkitektonike ashtu si mbi 3 shekuj më parë. Mbishkrimi mbi portën kryesore të kishës (naosit) tregon se ky objekt kulti daton në vitin 1634. Naosi i gdhendur në formë kryqi me kupolë me përmasa të brendshme 7.40x6.20 m është pikturuar nga piktor Mihali në kohën e peshkopit, zotit Kalist. prof. as. Gëzim Sala, rektor i universitetit “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, thotë se objekti fetar më i vjetër në rajonin jugor është Kisha dhe Manastiri i Shën Mërisë në Spile, rreth 2 kilometra në lindje të qytetit antik të Antigonesë. Manastiri ngrihet mbi një shkëmb konglomerat gëlqeror për shkak të shpellave karstike ku kanë banuar eremitët, njerëz që qëndronin të izoluar nga bota, të cilët përpiqeshin të vuanin qenien e tyre mëkatare, si një vepër shlyerje para Perëndisë.

Prof. Sala, njohës i historisë së kulteve fetare, shprehet se në jug të vendit për shkak të rrethanave historike dhe vazhdimësisë së jetës urbane e shpirtërore u ndërtuan në shekuj mjaft objekte kulti, që veç kultivimit të besimit fetar nga popullsia, përfaqësojnë dhe vlera të jashtëzakonshme artistike dhe kulturore, që mund të shfrytëzohen mjaft mirë prej turistëve vendas e të huaj.

Pirro Thomo, studiues i objekteve fetare në jug të vendit, thotë se kompozimi planimetrik, zgjidhja konstruktive dhe formulimi i jashtëm arkitektonik i kishës dhe Manastirit të Shën Mërisë ndryshojnë shumë pak nga kishat e tjera në Saraqinisht. “Duke pasur parasysh kohën e njëjtë të ndërtimit, mendojmë se kisha dhe manastiri janë ndërtuar nga e njëjta dorë mjeshtri”, shpjegon Thomo. Sipas tij, kolonat e brendshme të objektit lidhen ndërmjet tyre dhe me muret perimetrale me harqe në dy drejtime, duke formuar bërthamën qendrore katrore, mbushur me kupolë mbi tambur dhe katër krahët e kryqit, të mbushura me qemerë cilindrikë. Çifti lindor i pjesëve këndore mbulohet me kësula sferike, ndërsa ai perëndimor me qemerë me prerje çerekrrethore.

“Edhe pse objekti fetar ndodhet pranë një faqe mali, mjeshtrit e projektuan në mënyrë që kisha të sigurojë ndriçim të mirë, çka realizohet nga dritaret e tamburit të hapura në muret veriore dhe jugore”, thotë Thomo. Në anën perëndimore porta (naosi) lidhet me narteksin, që mbulohet nga një qemer gjatësor në pjesën qendrore, i ngritur mbi dy qemerë tërthor në pjesët anësore. Hyrja nga jugu mbrohet nga një portik i hapur në tri anë me harkada që formojnë një bërthamë katrore të mbuluar me kupolë. Kisha është e suvatuar nga jashtë, por suvatimi nuk i ka rrafshuar relievet e krijuara në apsidë dhe në tambur. Tamburi tetëfaqësh përmban katër dritare, të alternuara me faqe të plotë e të rrafshëta. “Muratura e tamburit ka një kornizë tepër të fuqishme, të përbërë nga tri radhë në formë dhëmbësh sharre”, shpjegon studiuesi, duke nënvizuar se, apsida pesëfaqëshe përmban elemente të vogla në pjesën e sipërme, mbi të cilat kalon një kornizë tullash të vendosura në formë dhëmbësh sharre. Në qarkun e Gjirokastrës ka mbi 100 kisha, 32 prej të cilave klasifikohen si tepër të rëndësishme për vlerat tipologjike dhe arkitektonike.

Nga : Gazeta Metropol

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema të nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi