Miremengjes Shqiperi. Mitologjia e Eposit Shqiptar
Fillimi Email Forum Chat Kontakto  
 

VI.

Në emrat e personazheve ka një përzierje shtresash të periudhave dhe burimeve historike të ndryshme. Llatinka e Bukur ngjan më shumë si një huazim në fazën pasilire të gjuhës sonë, sepse një huazim më i hershëm duhej të kishte dhënë "Ltinka e Bukur" (krhs. shprehjen arbëreshe: "ruhu biri kaha ltiri ..."). Në veri disa veshje tipike të të krishterëve nga muslimanët quhen "ltinka". "Budi i Talit" padyshim është Budi, pjesë e kryeqytetit të sotëm hungarez, por në anën tjetër "Tali" mund të jetë një formë popullore e etnonimit italian.
Skema më e përhapur e emërtimeve të personazheve dhe të vendeve është: emër i përveçëm plus cilësor karakterizues, që përfaqëson një skemë shumë të lashtë të përveçimit (individualizimit) të heronjve dhe hapësirave ku ata veprojnë. Kjo skemë, ndonëse formalisht rezulton me një strukturë dygjymtyrëshe, në fakt ka një përmbajtje kuptimore prej fjalie të plotë: Ajkuna e Bardhë (ose Kuna) - Ajkuna që është e bardhë, e ndritur, boreale (por dhe që "qoftë e bardhë, qoftë e bekuar"); Lugjet e Verdha - luginat ku dimër e verë ka gjelbërim (këtu cilësori " i verdhë" nuk ka kuptimin e sotëm të shqipes, por atë semantikë që kishte në burimin latin fjala "veridis" - i gjelbër)31 Klladushane Muji - Muji prej Klladushe (por edhe "Muji që mbron Klladushën, heroi mbrojtës i krahinës"); "Klisyrat e Zeza" - klisyrat (qafat) e zeza, që janë vazhdimisht të mbuluara me mjegull e re. Në këtë tip emërtimi ruhet gjurma e një kohe kur përveçimi (personalisation) i individit apo i mjedisit nga bashkësia/ natyra nuk bëhej përmes nominimit, por përmes përshkrimit situativ.
Prania e një shtrese emrash të personazheve dhe të vendeve prej burimit latin në eposin e shqiptarëve është gjithashtu domethënëse për lashtësi. Këtu po përmendim veçmas antroponimin "Bruc, Bruc-Eleze", që duhet të jetë një formë e ardhur gojë pas goje prej formës romake "Brutius, Brut, Bruc", pandërmjetësisht përmes këngëtarësh shqiptarë, pa u ndalur gjatë në një varg emrash të tjerë. Ky është një emër që gjendet në përdorim jo vetëm në epos, por edhe në fondin e emrave/mbiemrave aktivë, në formën: Bruç - Bruçi.
Vetë emërtimi mbiquajtës i kreshnikëve, "tridhet agt e Jutbinës", përmban një të dhënë interesante në lidhje me hershmërinë e tij: shumësi i formës "agt", "agët", i ndërtuar sipas strukturës "emër titulli turko-arab plus mbaresë shqipe" (aga - agë - agët) përbën një rast të veçuar. Në të gjitha përdorimet e tjera jashtepike të kësaj fjale shumësi është ndërtuar me formantin oriental -llarë ("agallarë"). E njëjta fjalë, në dy sisteme të komunikimit, gjegjësisht në folklor dhe në gjuhën e zakonshme, u nënshtrohet dy regjimeve të përshtatjes: në epos ruhet shumësi i kryehershëm, kurse në komunikimin gjuhësor ruhet një shkallë më e vonët e ndikimit, kur fondi i leksikut të huazuar filloi të shoqërohej me morfema (-llar, -ler).
Një strukturë e dytë e emërtimeve të personazheve në epos, e quajtur nga studiuesit si "strukturë trigjymtyrëshe", gjithashtu është interesante si mendësi individualizuese. Kjo skemë, duke përjashtuar mbiemrin, dëshmon se ruan në thelbin e saj një gjurmë mentaliteti parafisnor, sepse formimi i fisit solli si cilësim të kushtëzuar konsolidimin e mbiemrave. Këtu është fjala për një periudhë prearistokratike, para krijimit të fisnikërisë, e cila kishte nevojë për kultin e mbiemrit. Ndikimi i strukturës tregjymtyrëshe në emërtimet e personazheve duket qartë se ka qenë jo vetëm nga e shkuara në drejtimin e së ardhmes. Emra që shihet fare qartë se kanë ndryshuar në një periudhë të vonshme, kur jo vetëm ishte krijuar e konsoliduar tradita e mbiemrave, megjithatë ruajnë formalisht strukturën e qëmoçme. Shpesh kjo strukturë është krejt formale, por bota e eposit e kërkon për të ruajtur frymën e "lashtësisë së pavarur" të saj: Bud Aline Tali (krahas me Budaline Tali ose Tali prej Budinit), Aga Hasan Agë, Bylyk Bashe Muji, Dizdar Osman Aga e të tjerë.
Ngjarjet dhe figurat e eposit shqiptar kanë karakter parahistorik, ato nuk janë të lidhura me ngjarje e figura reale. Kreshnikët e eposit shqiptar as lindin dhe as vdesin, ata ngujohen në zgafellë kur mësojnë se "nji gja e vogël" si plumbi mund të bëjë më shumë zullume se trimëria e tyre fizike. Kjo përkon me mbarimin e kultit të fuqisë fizike dhe me lindjen e kultit të fuqisë intelektuale.
Gjithçka në ciklin e kreshnikëve është madhështore. Inati i Mujit dhe Halilit është homerik: "shtatqin' vjet do t'i djeg kullat", i kërcënohen ata kundërshtarit. Kur kreshnikët mendohen, shohin "barin kah rritet". Ata plagosen në mejdan, mbeten një shekull në bjeshkë pa frymë dhe pastaj përmenden duke thënë: "paskam marrë nji sy gjumë". Një shekull në kalendarin e kohës mitologjike të kreshnikëve është si disa minuta në kohën e njerëzve të zakonshëm të kësaj bote.
Heronjtë epikë shqiptarë bëjnë çudira të mëdha dhe marrëzi po aq të mëdha. Kreshnikët koha e sotme nuk i nxe. Ata i takojnë një bote ku ka vetëm të shkuar. E tashmja dhe e ardhmja janë të përjashtuara. Rapsodi ka frikë të afrohet tek ngjarjet dhe rregullisht e mbyll këngën e tij me vargun-klishe: "Kshtu m'kan' thanë, atje s'jam kanë". Mund të thuhet se ai vjen para audiencës së tij si një spiritus, si një përthirrës i shpirtrave të të parëve, të cilët mund të ftohen në kohën moderne me lejen e zotit ("Hej, lum për ty more zot, i lumi zot /na s'jem kanë e zoti na ka dhanë") dhe prapë mbeten në botën e tyre, ku njeriu i zakonshëm tokësor mund të mbërrijë vetëm përmes këngës.
Edhe sllavët e jugut, në radhë të parë boshnjakët, pastaj dhe serbët, në eposet e tyre kanë si personazhe një pjesë të kreshnikëve shqiptarë. Por në poezinë popullore sllave Muji dhe Halili ose, siç quhen, "vëllezërit Hrnjiçki", janë figura historike dhe jo legjendare, pavarësisht prej fuqisë së mbinatyrshme të tyre që u jep rapsodi dhe mitit që u ka ngritur kënga. Ata kanë lindur në Banja Luka dhe atje kanë edhe varret, kanë vdekur si luftëtarë të mundur në shekullin e 16-të. Personazhet e përbashkëta, që gjenden edhe në eposin shqiptar edhe në atë sllav, zhvillohen në raportin "hero - antihero". Nën të njëjtin emër mbulohen personazhe që, duke shtegtuar nga një epos në tjetrin, shfaqen me përmbajtje të përkundërt.
Tani është provuar se në këtë cikël ka një shumicë motivesh me përhapje të gjerë në gjithë hapësirën kulturore popullore shqiptare, deri në viset më jugore të vendit, në zhanrin e prozës popullore. Ai është i integruar në këtë kulturë dhe nuk mbetet i izoluar në një krahinë të ngushtë, siç pritej në rastin e një vepre të huajtur. Kjo nuk e përjashton ndikimin e ndërsjellët të kulturave për shkak të bashkëjetesës dhe fqinjësisë, ndikim që, sipas një përcaktimi të Çabejt, mund të shkojë deri në krijimin e zhvillimeve "me karakter simbioze". Nga ana tjetër, edhe në poezinë orale ka dukuri që dallohen për një shkallë të lartë ballkanizimi. Ajo që vlen të theksohet më vete është shpërngulja që ndodh në eposet e sllavëve të jugut prej së papërcaktuarës në të përcaktuarën, prej mitologjisë në mitologjemë.
Fondi i emërtimeve dhe termave tradicionalë popullorë përbën një univers ku përzihen e ndërlikohen fjalë e njësi më të vogla semantike të burimeve nga më të ndryshmet, të cilat vërtetohen të huajtura ose kanë ngjashmëri evidente, që të shtyjnë të mendosh në një raport analogjie:
- latine: zana (Diana); Bruc (Brutius); Llatinka (Ltinka); Ngjelina (Angjelina); Kunora (corona);
- neolatine: bajloz (venet. "baiulus - i dërguar", jo siç e interpreton A. Pipa: "an evil giant, at times a monster, in popular mythology"); kapetane (Shuflaj përmend përdorimin e kësaj fjale në kuptim jerarkik në shprehjen "capetaneus Hottorum montagnae" - kapedan i malit të Hotit - qysh në shekullin e 13-të); Frangu (Lule Frangu);
- greko-bizantine: krhs. ngjashmërinë fonetike të emrit të kreshnikut të brezit të dytë të eposit shqiptar "Omeri i Ri" me emrin e heroit të brezit të dytë të heronjve të këngëve akritike: Armuropulos (Armurwpulos), Klisyrat (qafat); Qefanak (nga "kefalos", krye)32. Edhe emri i Tanushës mund të shpjegohet prej një rrënje të fondit të greqishtes, më saktë të fondit të emrave biblikë: "thanatos" (nga buron edhe emrin i sotëm për gjininë mashkullore "Thanas" - forma e mëhershme: Tanush/Tanushë).
- perse-hinduse: al-laud, aloes - lahutë;
- ungro-fine: Gjuri (harambash); Budini (Tali prej), magjarisht (veshje, gjuhë, sjellje);
- sllave: Kraljeviçe, probatin;
- turko-arabe: agë, dizdar, bajraktar;
Disa çështje të terminologjisë mbeten të hapura e të diskutueshme edhe për eposin, por edhe për shkencën folkloristike në tërësi. Tani për tani shihet një mosmarrëveshje e dukshme për termat. Njëra prirje është ajo që ka të bëjë me ruajtjen e një terminologjie tradicionaliste. Por është edhe prirja tjetër, e aplikimit të një terminologjie më moderne, "universale"33. Prirja e unifikimit të terminologjisë shihet edhe në projektet që hartohen nga organizma ndërkombëtarë për krijimin e një gjuhe të përbashkët teknike (kompjuterike) për transmetimin e informacionit shkencor.
Konsolidimi i terminologjisë, si një prej kushteve të nevojshme të një debati me premisa shkencore të pranuara, sidomos në kushte të tilla, kur, në njërën anë, njësimi i fjalorit vjen edhe në formën e diktatit informatik, kurse, nga ana tjetër, mund të shfaqet pasoja e mosleximit të lëndës shqiptare prej tij, mbetet një çështje shkencore që nuk i humbet rëndësia.
Shqyrtimet terminologjike dhe ato të emërtimeve mbeten në çështje përherë e diskutueshme, në formën e krahasuar ndërnacionale, krahas me krahasimet e brendshme.




Me tej

 

© Copyright 2001Shqiperia.com
Shqiperia.com, Nje projekt per nje tjeter Rilindje Kombetare