“Investimi yne eshte shkaterrimi”

“Investimi ynë është shkatërrimi”

Xhevdet Jashari, aktori shqiptar i Maqedonisë, merr pjesë në prezantimin e filmit “Unë jam nga Titov Veles” në edicionin 58-të të Festivalit Ndërkombëtar të Berlinit (7-17 shkurt). Të martën projektohet në seksionin Panorama e megjithatë konsiderohet jo pak për kinemanë maqedonase dhe për regjisoren Teona Mitevska për të cilën ky është filmi i dytë. Për të dytën herë, pas filmit “Si e vrava një ëngjëll”, ajo ka zgjedhur Jasharin të interpretojë përkrah motrës tjetër Mitevska, aktorja e njohur Labina Mitevska. Filmi ka konkuruar më parë në festivalin e Torontos.

Emri i qytetit të vogël të vjetër me një fabrikë toksike, që filmi e mban për titull, i referohet emrit të Titos, udhëheqësit të ish- Jugosllavisë. Në qendër të historisë janë tri motra që duan të bëjnë një jetë më të mirë nga sa e lejojnë mundësitë e atij realiteti të kapur ndërmjet gjurmëve të së shkuarës komuniste dhe kapitalizmit. Emrat e tri motrave janë po aq simbolikë, Safo, Sllavika dhe Afrodita, motra memece, rol që interpretohet nga Labina Mitevska.

“Unë jam nga Titov Veles” është një bashkëprodhim ndërmjet Maqedonisë, Francës, Belgjikës dhe Sllovenisë. Kritika vendase eka kritikuar filmin për “imazhin e pasur por tekstin e varfër”. Në rolet kryesore interpretojnë Labina Mitevska, Nikolina Kujaca, Ana Kostovska, Xhevdet Jashari. Ish- aktori i Teatrit të Shkupit, ka qenë pjesëmarrës në dy edicione të festivalit të teatrit “Apollon” që zhvillohet në Fier, në njërin është shpallur aktori më i mirë. Xhevdet Jashari ka lindur në fshatin e Gostivarit, të quajtur Negotin. Jeton në Shkup prej 9 vitesh, ku ka studiuar në Akademinë e Artit.

Na trego pak më shumë për rolin në filmin “Unë jam nga Titov Veles”.

Në gjithë këtë film që ka një temë tepër sociale dramatike paraqitet dhe përsonazhi im i quajtur Aco. Është një djalë rreth të tridhjetave, tërheqës, punon në një spital ku trajtohen persona nën varësinë e drogave. Acojeton i vetëm, pa prindër, ka një lidhje me njërën nga tre motrat e historisë e quajtur Safo, është në kontakt me binjaken e saj, protagonisten Afrodita me të cilën fillon të ketë një histori. Kaq mund t’ju them për personazhin, për më shumë, duhet parë filmi.

“Si e vrava një shenjt” filmi paraardhes i Teona Mitevskes ku prapë ka pasur një rol, ajo e quan film për konfuzionin, ndërsa të dytin për shpirtrat e humbur dhe për fundin e një kombi. A je dakord me këtë pretendim të regjisores kur thotë që identiteti nuk është më i lidhur me vendlindjen apo me origjinën, por me kërkimin e njerëzve për ta përkufizuar veten pak më mirë.

Nuk do doja të komentoj gjykimet e tjetërkujt sepse në radhë të parë janëperceptime personale të gjërave. Nëse regjisorja është shprehur ashtu, nuk më mbetet veçse të pajtohem për pjesën e karakterit që interpretoj, pra pajtohem që edhe Aco është një shpirt i humbur.

Veç kësaj pajtohem edhe në një aspekt tjetër me idenë e rgjisores Mitevska dhe për këtë kam edhe pika vetëreference, nëse mund ta quaj kështu. Për shembull unë quhem Xhevdet Jashari, jam shqiptar, kurse në bazë të asaj shtetësie që kam ju më quani maqedonas. Vendlindja ime është Negotina e cila i përket një republike që s’ka të bëjë me identitetin tim por prapë unë jam shqiptar dhe ndihem mirë me identitetin tim shqiptar. Por nga ana tjetër, unë si artist kam tepër nevojë që përveçse me kulturën time të njihem dhe me kultura tjera dhe të përballem profesionalisht me to.

Është hera e dytë që punon me motrat Mitevska. Çfarë ju kanë dhënë profesionalisht, njëra regjisore dhe tjetra partnerja juaj në ekran.

E njohim njëri-tjetrin shumë mirë. Më respektojnë pa masë për atë që ne kuptohemi shkëlqyshëm profesionalisht. Është normale që do jesh i kënaqur me njeriun që kuptohesh.

Së fundi ke marrë pjesë në filmin “Koha e kometes” i Fatmir Koçit, që e çon Shqipërinë dhe Ballkanin në vitin 1913. Duken krejt të kundërta përvojat që ke pasur me Mitevskën dhe Koçin, në kuptimin se si i afrohen perceptimit të Ballkanit dhe kombit. Apo jo?

Vërtet janë përvoja të kundërta. Doja të veçoja pjesëmarrjen tek “Koha e kometës”, për fat të mirë mu dha rasti të luaja në gjuhën time shqipe edhe atë pas katër pervojave filmike në gjuhën maqedonase. Dua të theksoj edhe përvojën me kolegët e mrekullushëm që kam pasur, aktorë fantastikë.

“Une jam nga Titov Veles” merr pjesë në Berlinale, aty ku vazhdon ta ketë aq të vështirë të shfaqet një film shqiptar. Pse kinemaja jone nuk ka mundur të kapërcejë kufijtë lokalë?

Po, ditën e martë kemi premierën e filmit në Berlinale. Do të jem edhe une aty dhe shpresoj të kemi një paraqitje njerëzore, sepse e di që nuk po shkojmë të zbulojmë “ujin e nxehtë” atë e kanë zbuluar shumë herët.

Sa për pjesëmarrjen e filmit shqip kjo ka të bëjë për fat të keq edhe me atë ku nuk dua të futem po ja që më provokove dhe e ndjej të nevojshme ta them: politika shqiptare gjithandej ku janë shqiptarët është duke u marrë me gjëra të mëdha dhe nuk besoj se dikush prej nesh që merremi me art ta ketë kuptuar ç’është ajo gjë më madhore se sa kultura. Shumica e popujve investojnë në kulturë për ta ndërtuar atë, kurse në shqiptarët investojmë për ta prishur atë. O zot na shpëto!

A ke një përgjigje për pyetjen përse e ushtron këtë zanat?

Jam bërë aktor se edhe unë duhej të bëhesha diçka në këtë botë.

Aktualisht për çfarë po punon në teatër apo në kinema?

Aktualisht jam duke luajtur në një serial turk ku interpretoj në gjuhën turke. Kurse në teatrin shqiptar kam gati një vit e gjysmë që nuk jam i angazhuar. Nuk e di hiç përse.

 
Elsa Demo : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama