Çlirimi i territoreve te gjera te Kosoves

Porta e Lartë ndërmori masa të reja dhune ndaj popullsisë së pambrojtur e sidomos ndaj familjeve të kryengritësve. Në shpalljen që publikoi më 6 korrik 1912 Fadil Pasha, komandant i Korpusit të 7-të, i cilësoi udhëheqësit e kryengritjes, Hasan Prishtinën, Zejnullah Vuçiternën, Isa Boletinin, Xhemal Prishtinën, Riza Gjakovën, Bajram Currin, Ahmet Gjakovën, Mahmut Zajmin nga Peja, Sali Gjilanin etj., si “tradhtarë” dhe deklaroi se, po të mos dorëzoheshin brenda tri ditëve, do t’u digjeshin kullat, do t’u internoheshin familjet dhe do t’u konfiskoheshin pasuritë.
Terrori qeveritar ishte më i egër sidomos në vatrat më të nxehta të kryengritjes në Shqipëri, në rrethet e Prishtinës, të Mitrovicës dhe të Vuçiternës. Autoritetet osmane arrestuan këtu familjet e udhëheqësve dhe të pjesëmarrësve të thjeshtë të kryengritjes (si atë të Bajram Currit e të tjerë) dhe duke i mbajtur peng synonin t’i përdornin si mjet presioni ndaj tyre. Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe ngritjen e gjyqeve të posaçme praktikuan sërish si më 1910 rrahjet publike të njerëzve. Këto masa u bënë shkak për protesta të popullsisë shqiptare sidomos të asaj të qyteteve.
Ndërkohë vazhduan dezertimet në ushtrinë osmane. Më 5 korrik një batalion nuk pranoi të zbatonte urdhrin e komandantit të ushtrisë në Ferizaj për t’u hedhur në luftë kundër Isa Boletinit. Të nesërmen një batalion tjetër nuk pranoi të shkonte në Gjilan. Ushtarët i deklaronin komandës së tyre se ata ishin gati ta mbronin Perandorinë nga armiqtë e jashtëm, por jo të luftonin kundër shqiptarëve.
Në fundin e qershorit kryengritësit, të udhëhequr nga Hasan Prishtina, Isa Boletini, Ahmet Prekazi, Zehnullah Vuçiterna, Xhemal Prishtina etj., u hodhën në sulm në zonën Drenicë-Mitrovicë, Podujevë-Prishtinë. Pas sukseseve të para në rrugën Mitrovicë-Pejë dhe Podujevë-Prishtinë kryengritësit e Shalës, të Llapit e të Gollakut, të mbledhur afër Vuçiternës, lidhën besën për ta çuar luftën deri në fund. Më 28-29 qershor kryengritësit e këtyre rretheve të udhëhequr nga Hasan Prishtina shpartalluan tek Ura e Sitnicës, pranë Mitrovicës, dy batalione ushtarësh osmanë, që u detyruan të tërhiqeshin në Mitrovicë.
Në të njëjtën kohë kryengritësit përballuan në zonën e Boletinit operacionin që ndërmori kundër tyre komanda osmane. Nga data 30 qershor deri më 2 korrik 1912, 4 000 forca turke, të pajisura me artileri, nën komandën e Fadil Pashës rrethuan kullën e Isa Boletinit, përkrah të cilit qenë rreshtuar 1 500 kryengritës. Sulmi mbi kullën filloi më 3 korrik, pas një bombardimi të dendur me artileri. Luftimet vijuan më shumë se dymbëdhjetë orë. Ushtria turke la këtu rreth 100 të vrarë e të plagosur, ndërsa kryengritësit u tërhoqën, një pjesë (nën udhëheqjen e Isa Boletinit) drejt Pazarit të Ri, ndërsa pjesa tjetër drejt Llapit, nga Podujeva.
Më 9 korrik kryengritësit e Malësisë së Gjakovës, të udhëhequr nga Bajram Curri, rrethuan dhe shpartalluan tri batalione.
Më 10 korrik shqiptarët e Llapit dëbuan xhandarët dhe rrethuan 300 ushtarë e 50 xhandarë të përqendruar në Podujevë. Autoritetet e atjeshme mbetën të veçuara pa asnjë lidhje me qendrën e prefekturës. Kryengritësit zunë gjithashtu pozitat strategjike në drejtim të Prishtinës, prenë lidhjet telefonike midis Ferizajt e Gjakovës, Vuçiternës e Mitrovicës, Ferizajt e Prishtinës dhe Prishtinës e Podujevës.
Një betejë e rreptë u zhvillua më 12 korrik në hyrje të Fushës së Llapit. Forcat osmane u nisën drejt kësaj zone nga dy drejtime për t’i futur kryengritësit në mes dy zjarresh. Fadil Pasha në krye të tetë batalioneve u nis nga Prishtina, ndërsa një kolonë tjetër këmbësorie e shoqëruar me artileri nga Vuçiterna. Forcat kryengritëse, të përbëra nga 2 000 veta, rezistuan në hyrje të Fushës së Llapit për gjashtë orë në një betejë të pabarabartë dhe të përgjakshme, në të cilën ushtria la 56 të vrarë e 60 të plagosur. Pas kësaj artileria osmane filloi të qëllonte dhe të shkatërronte fshatrat e pambrojtura.
Ndërkohë popullsia shqiptare e qytetit të Prishtinës u grumbullua para prefekturës dhe kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të veprimeve luftarake. Ajo i paralajmëroi autoritetet turke se do të bashkohej me kryengritësit nëse, nuk ndërpritej terrori. Edhe banorët e Mitrovicës, të Pazarit të Ri e të Vuçiternës i mbyllën pazaret. Në telegramet që popullsia e Prishtinës dhe e Mitrovicës i dërgoi sulltanit e senatit, kërkohej dorëheqja e qeverisë, shpërndarja e parlamentit dhe shpallja e zgjedhjeve të rregullta. Në Mitrovicë populli i shpalli të pushuar nga puna zëvendësprokurorin, komisarin e policisë dhe disa punonjës të tjerë të urryer. Fitore të rëndësishme në luftën kundër sunduesve osmanë arriti grupi i zonës Gjilan-Prizren dhe Lumë-Tetovë, i udhëhequr nga Idriz Seferi, Islam Spahiu, Mehmet pashë Deralla etj. Në gjysmën e parë të korrikut, pasi kishin shpartalluar repartet xhonturke të strukura nëpër qytete, ata kishin çliruar krahina të tëra në trevën juglindore të Kosovës.
Ndërkohë forcat kryengritëse, nën komandën e Bajram Currit, i shkaktuan ushtrisë turke në Has humbje të rënda, rreth 300 të vrarë e të plagosur dhe shumë ushtarë të zënë robër. Pas një përleshjeje të shkurtër në Qafën e Prushit, 250 ushtarë e 5 oficerë u dorëzuan me të gjitha armatimet. Kryengritësit shtinë në dorë 800 pushkë. Prej këtej forcat kryengritëse marshuan drejt Gjakovës dhe e rrethuan qytetin për herë të dytë. Më 13 korrik kryengritësit, të drejtuar nga Bajram Curri, Riza Beu (Kryeziu) dhe Mahmut Zajmi, u futën në lagjet e jashtme të qytetit të Gjakovës.
Sukseset e kryengritësve, si dhe turbullirat në Prishtinë, në Mitrovicë, në Vuçiternë, në Pazar të Ri dhe në qytete të tjera, e nxitën të vepronte edhe opozitën ushtarake. Oficerët e shtabit të Divizionit I të nizamëve në Gjakovë hynë në bisedime me kryengritësit për të ndërprerë luftimet. Më 15 korrik, pas arritjes së marrëveshjes, në emër të ushtrisë e të popullsisë iu përcoll telegrafisht sulltanit dhe komandës së lartë kërkesa për dorëheqjen pa vonesë të qeverisë, për shpërndarjen e parlamentit e të Komitetit xhonturk, për shpalljen e zgjedhjeve të reja, si dhe për ndërprerjen e operacioneve ushtarake kundër kryengritësve. Sulltanit iu dërgua një telegram tjetër me po këtë përmbajtje dhe me nënshkrimet e 78 oficerëve e përfaqësuesve të parisë. Me kryengritësit u bashkuan edhe oficerët e divizioneve të Mitrovicës, të Selanikut, të Manastirit, të Shkupit dhe të Edrenesë. Në telegramet me të njëjtën përmbajtje që i dërguan Stambollit ata e paralajmëruan se, në rast se nuk plotësoheshin kërkesat e tyre, do të marshonin me ushtri drejt kryeqytetit.
Më 17 korrik kryengritësit hynë në Gjakovë pa ndeshur ndonjë qëndresë. Një pjesë e mirë e oficerëve dhe e ushtarëve u bashkuan me ta për t’u hedhur më pas bashkërisht drejt Prishtinës.
Prishtina u bë në ato ditë të korrikut qendër e tubimeve të parisë shqiptare nga Gjilani, Presheva, Vuçiterna dhe nga Mitrovica. Këtu qenë ftuar edhe përfaqësues nga Pazari i Ri, Prizreni, Peja, Gjakova dhe nga Rozhaja. Prej këtej paria e Kosovës i dërgoi sulltanit e senatit kërkesën për ndërrimin e ministrave, shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja. Ky tubim shënon hapin e parë që paria qytetare bëri për të përkrahur kryengritjen. Stambollit iu deklarua që, në rast se kërkesat e tyre nuk do të plotësoheshin, ata do të bashkoheshin me kryengritjen e armatosur.
Ndërkaq u shtuan veprimet luftarake të kryengritësve edhe në viset e tjera të Shqipërisë. Në fillim të muajit korrik kryengritësit elbasanas dogjën prefekturën dhe prenë rrugën që lidhte Elbasanin me Tiranën. Më 4 korrik kryengritësit morën Krujën e mbrojtur nga 600 ushtarë. Garnizoni u detyrua të mbyllej në kështjellën e qytetit. Në të njëjtën kohë grupe të tjera kryengritësish hynë në Shijak, ku shtinë në dorë depon e municioneve. Kavaja ishte e rrethuar nga forcat kryengritëse. Komanda osmane, me qëllim që të rimerrte Krujën, dërgoi katër batalione (rreth 3 000 forca) nga Shkodra dhe tri batalione nga Tirana, të pajisura me artileri. Pas përpjekjeve të ashpra, që u zhvilluan më 8 korrik, kryengritësit, përballë epërsisë së armikut, u detyruan ta lënë qytetin (Krujën).
Po në këtë kohë gjallërohet lëvizja e çetave të armatosura po merrte hov edhe në viset e Jugut. Në korrik vepronte në rrethet e Gjirokastrës çeta e studentëve shqiptarë të Selanikut e të qendrave të tjera, që ishte formuar me nismën e Salih Gjukës, me të cilin u bashkua edhe Dervish Hima, duke u vënë në krye të saj. Çeta prej rreth 40 vetash zbarkoi në fillim të korrikut nga Korfuzi në Ksamil, hyri në lidhje me çetat e tjera të Shqipërisë së Jugut dhe zhvilloi në këto vise një veprimtari të gjerë politike e ushtarake në të mirë të kryengritjes shqiptare. Në fillim të korrikut katërmbëdhjetë atdhetarë nga qyteti i Korçës dolën në mal për t’u bashkuar me kryengritësit. Çetat e këtij rajoni hynë në bashkëpunim me forcat e Tajar Tetovës. Ato goditën në Kolonjë ushtrinë e komanduar nga Dajlan bej Qafëzezi, që ishte vënë në shërbim të autoriteteve. Atij i shkuan në ndihmë 500 forca qeveritare nga Korça. Luftimet e Kolonjës zgjatën disa orë. Pas saj çetat u tërhoqën në anët e Skraparit.
Ndërkohë kryengritësit kosovarë po përgatisnin sulmin për çlirimin e qyteteve të këtij vilajeti.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama