Çfare eshte KED dhe perse Nishani kerkon takim me partite Exit shpjegon

Çfarë është KED dhe përse Nishani kërkon takim me partitë  Exit shpjegon

Sot, Presidenti Nishani ftoi në një takim konsultativ përfaqësues nga të gjitha grupet parlamentare për të diskutuar për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Zoti Nishani u shpreh se nuk ka bazë ligjore për të nisur formimi i këtij komisioni.

Më poshtë Exit sqaron se çfarë është KED dhe se ku qëndron problemi sipas Presidentit Nishani.

Çfarë është KED?

Me miratimin e ndryshimet kushtetuese në 21-22 korrik, një prej institucioneve të reja që u krijua ishte Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

KED do të bëjë verifikimin, vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe për lnspektor të Lartë të Drejtësisë.

Ky komisioni përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët shërbejnë për një mandat një vjeçar, nga 1 janari deri më 31 dhjetor të vitit përkatës.

KED do të përbëhet nga 2 anëtarë nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, 1 anëtar nga gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, 1 anëtar nga prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, 2 anëtarë nga gjyqtarët dhe 2 nga prokurorët e apelit, dhe 1 anëtar nga gjyqtarët e gjykatave administrative.

Ata gjyqtarë apo prokurorë, ndaj të cilëve është dhënë masë disiplinore nuk mund të marrin pjesë në shorte. Kriteret e tjera për anëtarët rregullohen me ligj të veçantë.

Anëtarët zgjidhen me short nga Presidenti i Republikës.

Presidenti zhvillon shorteun për anëtarët e KED-së nga data 1 deri në 5 dhjetor të çdo viti. Më pas anëtarët e përzgjedhur fillojnë punën në janar të vitit të ardhshëm.

Shqetësimi i Presidentit Nishani

Përveç neneve që shpjegojnë si do të funksionojë sistemi i ri i drejtësisë, kushtetuta e re përmban dhe nene që shpjegojnë se si do të veprohet gjatë periudhës tranzitore deri në ndryshimin e institucioneve të sistemit të drejtësisë

Sipas nenit 179/11 (nen për periudhën tranzitore), Presidenti duhet ta zhvillojë shorteun për anëtarët e KED-së brenda pesë ditëve pasi ndryshimet kushtetuese hyjnë në fuqi. Ndryshimet kushtetuese hyjnë në fuqi më 11 gusht, ndaj shorteu duhet të zhvillohet brenda datës 16 gusht.

Shqetësimi i Presidentit Nishani lidhet me faktin se ligji përcakton që kriteret mbi të cilat do të caktohen gjyqtarët dhe prokurorët që mund të marrin pjesë në shorte rregullohen nga një ligj i veçantë, që ende nuk është miratuar nga Kuvendi. Kujtojmë se shtatë projektligjet që shoqërojnë ndryshimet kushtetuese dhe rregullojnë institucionet e reja janë ende në diskutim në Komisionin e Posaçëm të Reformës.

Nëse Presidenti i Republikës nuk i përzgjedh anëtarët brenda 16 gushtit, kjo kompetencë i kalon Kryetarit të Kuvendit. Ky i fundit duhet t'i zgjedhë ata me short brenda dhjetë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Deri më tani, ende nuk ka reagim nga PS, PD e LSI lidhur me këtë shqetësim të Zotit Nishani.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama