Kjo konfirmoi se fitorja 4-1 përballë skuadrës së Gus Hidink në fazën e grupeve nuk ishte e rastësishme. Edhe pse gjermanët nuk kanë pasur kundërshtarë të vështirë në rrugën e tyre dhe zhgënjyen me lojën e tyre në gjysmëfinalen e fituar 3-2 me Turqinë, mesfushori i Barcelonës këmbëngul se ata mbeten favoritë. Më shumë Çavi u përqendrua te historia: ai ka kujtuar se Spanja nuk fiton asnjë trofe që prej vitit të largët 1964 (Kupën e Evropës), ndërkohë që Gjermania është shpallur tri herë si skuadra më e mirë në kontinent. Sipas Çavit, "Mannschaft" duhet pasur frikë edhe për faktin se ata luajnë finalen e gjashtë në Kampionatin Evropian, ndërsa për Spanjën kjo është finalja e tretë në histori. "Për vite me radhë nuk kemi fituar asnjë trofe, ndërsa Gjermania ka qenë gjithmonë duke luftuar për tituj. Kjo është arsyeja përse do të thosha se ata janë favoritët në këtë finale", tha ai. Në këtë mënyrë, Çavi tenton ta shpërngulë presionin te skuadra gjermane, megjithatë ai shprehet i gatshëm se skuadra është gati për finalen: "Kundër Rusisë luajtëm një ndeshje të madhe dhe jemi shumë të lumtur. Skuadra vazhdon të shkruajë historinë dhe tashmë do të luajmë në finale. Rruga deri këtu nuk ka qenë aspak e lehtë, por jemi gati për gjithçka".
Edhe yjet e tjerë të "armatës spanjolle" shpresojnë se të dielën do të jenë ata fitimtarët. David Vija nuk do të luajë në finale për shkak të dëmtimit muskulor kundër Rusisë, që detyroi Luis Aragones të ndryshonte modulin e lojës që me aktivizimin e Cesk Fabregas e pa Spanjën të rreshtuar me pesë mesfushorë. Ashtu si në çerekfinalen me Italinë, lojtari i Arsenalit ishte vendimtar me lojën e tij, duke asistuar në golin e dytë dhe të tretë. "Ndeshja ishte aty dhe ne duhej ta shijonim njësoj si në periudhën kur ishim fëmijë dhe luanim në park", tha Fabregas. "Kur loja ecën në këtë mënyrë, gjithçka bëhet edhe më e lehtë. Gjithmonë jam ndjerë një pjesë e rëndësishme e kësaj skuadre". 21-vjeçari shtoi se tashmë që Spanja ndodhet vetëm një hap larg fitimit të titullit Evropian pas 44 vjetëve, skuadra nuk do të shpërqendrohet. Ai tha: "Kemi edhe 90 ose 120 minuta për të luajtur dhe kjo është një kohë e gjatë. Gjithsesi jemi shumë të motivuar dhe shpresojmë që të dielën festa të jetë edhe më e madhe se ajo pas fitores me Rusinë". Të njëjtin mendim ka edhe Fernando Torres: "Kjo skuadër po shkruan historinë, por jemi të bindur se në finalen me Gjermaninë mund të arrijmë edhe më shumë".
Nga: Gazeta Shqip