Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kotësia e akuzave korruptive

Shkruar nga: Arjan Konomi  
Botuar më: 14 vite më parë

Arjan Konomi
Kotësia e akuzave korruptive

Afërsia më zgjedhjet e ardhshme lokale e ka bërë shumë të ashpër komunikimin midis dy forcave politike kundërshtare. Prej javësh të gjithë ne shqiptarët jemi bërë spektatorë në një arenë ku luftohet verbalisht e pa asnjë përjashtim goditjeje.

Kështu nga ekranet e televizionëve kemi dëgjuar akuza të rënda të një pale për një tjetër. Një mëngjes zgjohemi me akuza socialistësh e në mëngjesin tjetër me akuza demokratësh. Çdo akuze të njërës palë i përgjigjet në mënyrë të rrufeshme pala tjetër më një akuzë të re.

Intervali kohor që ndan akuzat midis tyre është konstant e kjo bën që më shumë se e programuar t’i ngjajë një skenari të shkruar më parë. Të tëra përbëjnë një zinxhir i cili tirret e nuk ka mbarim dhe sigurisht që ka për të vazhduar deri në zgjedhje.

Të krijohet përshtypja se këto akuza janë gati në sirtaret e shefave të partive, të formuluara dhe të renditura mirë. Shefa që japin urdhëra se cilën nga ato duhet të nxjerrim dhe të lexojmë sot. Por dhe se kush do ta lexojë. Kështu nis një maratonë fytyrash, shumica edhe të panjohura që dalin nëpër konferenca shtypi dhe prapa një foltoreje nisin të lexojnë si shkollarë filloreje atë që është shkruar në letrat që kanë përpara.

Shpesh duket se nuk e kanë idenë e atyre që thonë. Akuzat janë nga më të fortat dhe paimagjinueshmërisht të rënda.

Flitet për korrupsion dhe afere të dyshimta për lidhje nepotizmi etj, të gjitha të shoqëruara me një garniturë fjalësh vulgare dhe ofendimesh të cilat shpesh krijojnë edhe efektin e kundërt, sepse në shumë raste nuk di se kush ta shpif më tepër, i akuzuari apo akuzuesi.

Për mos thënë pastaj kur përpiqen dhe të bëjnë ironi bëhen aq bajat sa kërkon të ndërrosh kanal nëse nuk je emocionalisht i përfshirë në politikë.

Por e tërë kjo nuk është vetëm një çështje shijesh. Problemi më i madh është se në çdo vend të botës nëse bëheshin akuza publike të tilla do të ishin rrëzuar qeveri, do të kishte nisur një valë hetimesh, mund të përfundonim në arrestime dhe jeta politike e vendit do të tronditej shumë.

Një çështje tjetër e rëndësishme është se kur zotërojnë prova për raste të rënda korrupsioni, të dyja forcat politike nuk i çojnë faktet që lexojnë përpara telekamerave në prokuri, në mënyrë që të nisin hetimet dhe në rast vërtetimi i fajit, personi i akuzuar të vendosej përpara drejtësisë. Dhe nëse drejtësia vlerësonte ekzistencën e krimit atëhere të dilej nëpër konferenca shtypi dhe të flitej papushim.

Nuk dihet saktë sesa nga akuzat e lexuara nëpër kanale televizive përfundojnë në dosjet e prokurorëve, sa prej tyre shqyrtohen por një gjë dihet me shumë siguri.

Nëse kemi dëgjuar dhjetra akuza nuk kemi dëgjuar asnjë dënim apo formë tjetër që do ta lidhte me drejtësinë. Sepse akuzat bëhen për interesa meskina personal partiake dhe jo për të riparuar një dëm shkaktuar ekonomisë apo për të vënë në vend drejtësinë.

Si ndodhi përpara disa vitesh kur Fatos Nano përmnedi publikisht një lumë akuzash korrupsioni për rivalët e parties së tij, por që mbetën vetëm fjalë. Asnjë hetim e asnjë dënim, por vetë zgjidhje e hallit të vet, pushtetit personal.

Kështu që njerëzit kanë filluar t’i besojnë gjithnjë e më pak e të jenë shumë skeptikë për vërtetësinë e tyre. Por edhe në rast se do ti besonin verbërisht fjalëve të politikanit që akuzon, me kalimin e kohës, kur sheh se asgjë nuk po ndodh fillon e të mos të ndikohet më prej tyre deri edhe më mosbesim.

Kështu “kënga” e akuzave vazhdon pandërprerje, duke respektuar rradhën dhe intervalet kohorë. E gjitha të krijon një ide sikur është një lojë “po ma the, ta thashë” më shumë se shqetësim për korrupsionin apo për dëme të shkaktuara shtetit.

Nuk dihet çfarë pasojash ligjore apo politike do të kenë por një gjë dihet mire. Çfarëdo të thonë nuk bën më efekt, ashtu si çdo gjë sado e jashtëzakonshme të jetë kur kthehet në monotoni fillon e nuk bën më efekt.

Ndaj më shumë sesa vërtetësia e akuza, që vazhdojnë të mbushin edicionet e lajmeve me ato pamjet neverisht të përsëritura të foltoreve të shtypit me logo partish nga mbrapa, ka efekt kurioziteti. Cili do të jetë personi i rradhës dhe çfarë do të thuhet. Ashtu si dëgjon bejtet e mëngjesit të idiotit të lagjes që bërtet nëpër rrugë me sa zë ka në kokë.

 

 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama