Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ç’ta bëjmë piramidën?

Shkruar nga: Arjan Konomi  
Botuar më: 14 vite më parë

Arjan Konomi
Ç’ta bëjmë piramidën?

Në qendrën historike të Berlinit, fare afër sheshit të famshëm Alexander Platz gjendej Pallati i Kulturës. Kjo ndërtesë e stërmadhe ndodhej ashtu si qendra historike e kryeqytetit gjerman në pjesën e ish Berlinit Lindor.

Komunistët kishin ndërtuar aty një qendër kulture për të rinj ku kishte pothuajse ato funksione që ne shqiptarët i njohim mirë, duke qenë se të gjitha këto lloj ndërtesash ishin si kopje të njera tjetrës në të gjitha vendet komuniste. Stili tipik sovjetik kuptohej qartë. Nëse shkon sot të vizitosh Berlinin këtë ndërtesë nuk do ta shohësh më.

Gjermanët, pas rënies së Murit të Berlinit, transformuan tërë pjesën e qytetit që ndodhej nën pushtetin komunist duke u kthyer ndërtesave historike, shkëlq­imin e mëparshëm të tyre. Por vetëm me pallatin e kulturës nuk dinin se çfarë të bënin. Provuan një sërë idesh dhe projektesh që konkretisht nuk ishin të zbatueshme për vetë strukturën e asaj ndërtese.

Qeveria gjermane gjeti zgjidhjen ta rrëzonte në tokë krejtësisht dhe në vend të saj të rindërtonte Pallatin Perandorak, që gjendej aty përpara sesa komunistët ta shkatërronin tërësisht, pa­varësisht se ishte nga ndërtimet gotike më të bukura të tërë Gjermanisë.

Vendimi pati debate nga opozita dhe disa nostalgjikë të sistemit të mëparshëm. Por dhe kundërshtarë që flisnin në terma ekonomikë, për kostot e larta të një ndërtimi të tillë, kur dhe vetë Gjermanisë perandorake i kishte zbrazur thesarin e Shtetit në kohën e lulëzimin historik të saj më të madh.

Nëse sot kalon aty sheh që në vend të saj janë vënë skeleri të veshura me pamje të ndërtesës komu­niste ndërkohë që projekti i ri i Pallatit gjigant perandorak pritet të përfundojë e të fillojë zbatimi i tij.

U zgjata në këtë përshkrim sepse një situatë e ngjashme po ndodh tek ne. Një ide e kryeministrit Berisha u bë realitet me një vendim parlamenti për prishjen e piramidës, ish muzeut të diktatorit shqiptar. Polemikat që kanë nisur janë të shumta e vijnë nga të gjitha anët. Në fakt, në dallim nga rasti i Berlinit piramida ia zuri vendin vetëm një lulishteje, pra nuk u shemb asnjë ndërtesë e dikurshme.

Janë të shumtë ata që e interpretojnë vendimin e qeverisë si një akt për t’u hakmarrë ndaj komunizmit, por nuk besoj se ka lidhje me komunizmin sesa me funksionalitetin e saj. Para tre vitesh asnjë nuk men­donte ta prishte.

Edhe vetë qeveria Berisha kishte vendosur ta boshatiste nga zyrat dhe lokalet dhe të kryente një rikonstruksion total të ndërtesës së amortizuar, duke e kthyer në një qendër kulturore me sallë teatri, ekspozitë arti, bibliotekë, etj. Institucione kulturore nga më të ndryshmet do të merrnin jetë në atë godinë. Ideja ishte brilante dhe ndoshta do t’i jepte një impuls artistik jetës së kryeqytetit.

Edhe pse një pjesë e madhe e piramidës u lirua dhe u fol për projekte, asgjë nuk u dëgjua më. Arsyeja kryesore ishte se ajo strukturë kishte jo vetëm kosto tepër të mëdha rikonstruksioni, por dhe sepse ishte e pamundur ta adoptoje atë arkitekturë e ta përshtasje për qëllime të tjera.

Çdo bëhet atëhere me Piramidën? Edhe Keopsi të ishte gjallë nuk do të dinte të jepte një përgjigje.

Përsa i përket anës ideologjike të problemit, pra asaj të kujtesës së komunizmit edhe kjo nuk besoj se bind njeri. Kryeqytetit shqiptar i është bërë një dëm më i madh nga komunizmi sesa ndërtimi i piramidës.

Janë të shumta ndërtimet tmerrësisht të shëmtuara që kanë shkatërruar shumë gjurmë të historisë sonë, si Muzeu Kombëtar, Pallati i Kulturës, etj, duke lënë Tiranën pa një qendër historike ashtu si kanë gjithë qytetet europiane. Të vetmet gjurmë të mbetura janë xhamia dhe Kulla e Sahatit.

Imagjinoj qendrën e Tiranës gjysmëshekulli më parë sesi do ishte sot. Shtëpitë e vogla dhe rrugët e ngushta midis tyre, në stil tipik orientalo otoman do të ishin të mbushura me butikë luksozë dhe zyra që do të tërhiqnin shumë vëmendjen e të huajve. Ndërsa sot, as ne nuk shkojmë në qendër, nëse nuk e kemi të domosdoshme për të kaluar. Por ky është një argument tjetër.

Vendit i duhet një parlament dinjitoz, i prezantueshëm dhe funksional, ndërkohë që kemi një sallë të adaptuar në parlament jashtë çdo parametri të kohës së sotme dhe aspak të përshtatshme për funksionet që ai duhet të kryejë si dhe për njerëzit që punojnë në të. Pothuaj në të gjitha vendet e botës ndërtesat parlamentare janë më të bukurat, në qendrën kryesore dhe shërbejnë si pika kyçe të kryeqyteteve.

Në këtë aspekt vendi i piramidës do të ishte ideal, duke qenë se qendra e Tiranës nuk ka më hapësira të lira. Ndryshe çfarë të bëjmë me piramidën?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama