Kriza financiare në Greqi dhe shqiptarët atje

Shkruar nga: Saimir Lolja  
Botuar më: 6 vite më parë

Saimir Lolja
Kriza financiare në Greqi dhe shqiptarët atje

Këto ditë rrjetet e lajmeve po përcjellin vlerësimin e agjensisë financiare “Standard & Poor’s” për bonot e thesarit (borxhin shtetëror) të Greqisë. Sipas atij vlerësimi investimet nga bonot greke të thesarit dalin me humbje dhe borxhi i Greqisë ka vlerën e plehrave/hedhurinave (“junk”, në anglisht). Pra, ato që kanë blerë bono thesari të Greqisë, përfshirë edhe blerjen që u bë prej Bashkimit Europian në formën e ndihmës financiare, ka shumë pak mundësi që t’i marrin paratë mbrapsh. Për më tepër, nëse Greqia do marrë para të tjera borxh për të shlyer borxhet e vjetra, ajo do e marrë atë me interes akoma më të shtrenjtë dhe kushte më të rrepta. Ky njoftim bëri që tregjet/bursat në Amerikën e Veriut të shohin teposhtë. Nëpërmjet bonove të thesarit (“bonds”, në anglisht) qeveria e një shteti prodhon apo blen paranë e vendit, të cilën përdor për të mbuluar pagesat brenda e jashtë shtetit, si dhe për ta investuar. Në kushtet e tanishme, Greqia nuk ka mundësi të prodhojë para (Euro) dhe ka shumë pak burime për të grumbulluar para të thatë (p.sh. Euro, Dollarë), sepse investitorët e huaj nuk i afrohen një vendi ku investimet dalin me humbje. Bonot e thesarit janë në fakt investime në borxh. Pala investuese është ajo që blen bono thesari. Pala shitëse, d.m.th. qeveria, grumbullon kështu para të cilat domosdoshmërisht duhet t’i investojë/qarkullojë me përfitim/interes më të madh se sa i është dhënë palës investuese. Bonot e thesarit janë të llojit të brendshëm (“government bonds”, në anglisht) dhe të jashtëm (“sovereign bonds”, në anglisht). Bonot e brendshme dolën në dritë për herë të parë në vitin 1693 kur qeveria britaike përdori skemën e tyre për të financuar vazhdimin e luftës nëntë vjeçare (1688-1697) kundër Francës. Vlera e bonove të brendshme kalon për të prodhuar/blerë para që përdoret brenda kufinjve të një shteti, kurse vlera e bonove të jashtme përdoret për të prodhuar/blerë monedha të huaja të nevojshme për pagesat e jashtme. Tërë shuma e parasë që iu është borxh blerësve të bonove të brendshme përbën atë që quhet borxhi i brendshëm (“government/domestic debt”, në anglisht). Tërë shuma e parave që iu është borxh blerësve të bonove të jashtme përbën atë që quhet borxh i jashtëm (“sovereign debt”, në anglisht). Në rastin e Eurozonës, këto dy lloj bonosh janë shkrirë në një, sepse 16 shtete (nga 27 shtete që ka Bashkimi Europian) nuk përdorin më monedha të veçanta por një të përbashkët, Euron. Megjithatë, çdo shtet e ka të caktuar sasinë e Eurove që mund të prodhojë për blejë dhe cilësia e tyre mbetet brenda kufinjve të shtetit përkatës. Eurozona i ngjan një karvani anijesh të lidhura njëra me tjetrën, i cili tërhiqet prej anijeve më të fuqishme (Gjermania e Franca). Borxhet e kanë rënduar aq shumë anijen e kalbur greke sa praktikisht ajo është e përmbytur dhe duke u fundosur. Nga kjo fundosje rrezikohen të tërhiqen në fund të detit edhe anijet pranë (Portugalia, Spanja, ndonëse këto mund të ndihmohen pak prej flotiljeve të tyre të ish-kolonive) dhe të ngadalësohet në përgjithësi vozitja e karvanit Europian. Për Eurozonën duket se ka dy zgjidhje: (1) Të këpusë litarët dhe ta lerë anijen greke të fundoset e mallrat e saja t’i marrin dallgët; në këtë rast piratët rusë e kinezë do suleshin për t'i hedhur çengelin anijes që fundoset dhe për të zënë sa më shumë plaçkë; (2) Të ndihmojë që të ndërtohet një anije greke plotësisht e re, me formë e madhësi tjetër, me përmbajtje e marrëdhënie perendimore, me qëllime e shërbime Europiane, me moral e mirënjohje për kombet e tjera. Teorikisht, blerja e bonove të thesarit quhet investim pa rrezik, sepse qeveria rrit taksat për të grumbulluar paranë që nevojitet për të shlyer blerësit e bonove të thesarit në afatin e paracaktuar. Agjensia financiare “Standard & Poor's” pohonte se Greqisë i duhen 8.5 miliard (bilion) Euro më 19 Maj 2010 për të shlyer blerësit e bonove të thesarit. Edhe nëse do gjehen këto para, niveli i jetesës do ulej mjaft thellë dhe ekonomia greke do të shkojë tatëpjetë për të paktën dhjetë vitet e ardhshëm. Në këto kushte kur vlera financiare (aftësia blerëse) e Greqisë barazohet me vlerën e hedhurinave, qeveria greke ka këto mundësi për të nxjerrë vlerë: (1) Të rrisë taksat mbi fitimin dhe ato doganore, gjë që rrjedhimisht rrit çmimet e shërbimeve dhe mallrave. Të rrisë taksat e pronave dhe pronësive, përfshirë këtu edhe gjobën e siguracionit të makinave, shtëpive, anijeve, etj. Qytetarët e Greqisë kanë kohë që bëjnë greva e demonstrata për dhimbjet e shkaktuara nga masa të tilla; vështirë se ato do të pranonin tani më shumë taksa të tilla. (2) Të marrë me një farë mënyre parat e kursyera të njërëzve nëpër banka. Një mënyrë e tillë është që një ditë qeveria apo bankat greke t’u thonë kursimtarëve në Greqi se paratë e tyre do i qarkullojnë për nevojat e vendit (në fakt, për blerje Eurosh) dhe do iua kthejnë më me shumë fitim (në dukje, bankat rrisin normat e interesit për kursimet). Dhe ditën tjetër të thonë se investimi i djeshëm qe jo i mbarë dhe është e pamundur të shlyhet borxhi ndaj tyre apo borxhi i brendshëm (“default”, në anglisht). Si rrjedhim, shpallet kalimi në falimentim dhe bankat treten brenda natës. Një shembull për këtë rast është kriza e Rublës ruse në Gusht 1998, kur p.sh. banka e madhe “Inkombank” zhduki egzistencën e saj me të gjitha ç’kishte brenda natës, Rubla ruse u zhvleftësua katër herë vetëm për një muaj, dyqanet u boshatisën dhe çmimet e mallrave shtegtuan me krillat. (3) Të ndjekë këshillën e dhënë nga disa politikanë gjermanë që të shesë ishuj apo toka kontinentale. Një situatë e ngjashme ka qenë në vitin 1878 kur Perandoria e krimbur Osmane mori ndihmën e shpëtimit prej ushtrisë së Perandorisë Britanike, në këmbim të shitjes së Qipros, për të përballuar ushtrinë ruse që kishte arritur në dyert e Stambollit. Çdo pare tjetër e dhënë do jepet (siç jepet) në formë borxhi me interes të përbërë (interes i shtuar kundrejt pjesëve të pashlyera). Ato që rrojnë në Amerikë të Veriut apo Europë Perëndimore e dijnë mire se çdo të thotë “blerje” shtëpie, makine apo shkollimi me para borxh. Para një jave lajmet rrëfenin për të pasurit e Greqisë të cilët kishin tërhequr prej bankave greke dhe i kishin dërguar jashtë 12 miliard (bilion) Euro. Duket se këto pasanikë e dinë mirë se që të mbeten të tillë nuk nevojitet të shkruhen çeqe (për të blerë bono thesari të Greqisë). Çdo para tjetër e derdhur tani në Greqi vetëm se do e mbajë atë edhe për ca kohë si "një grua e Lindjes dhe dashnore e Perëndimit". Anijen e zymtë greke nuk e shpëtojnë dot as numrat 900 në Shqipëri, as kazinot e buzuqet, as pagëzimet, as dëshirat e marinarëve të saj për t'u shplarë në gjiret detare të Shqipërisë, as urrejtjet fetare e kombëtare të edukuara që në vogli, as tanket e raketat e blera në Rusi, as paratë e nxjerra në Shqipëri nëpërmjet telefonave e celularëve, e as bashkëpunëtorët e tyre dhe të serbëve në Shqipëri. Lufta tani e Greqisë kundër borxheve të veta vjen si jehonë e Luftës së Peleponezit (413-404 p.e.s.) dhe do kalojë nëpër të njëjtat cikle natyralë që pasuan atë luftë në lashtësi. Për shqiptarët që kanë para nëpër bankat greke, një pyetje hutuese iu qëndron përballë: A është vonë që të tërheqin parat nga bankat greke, apo jo? Meqenëse çdo minutë rëndon shumë, atëhere veprimi më i shpejtë dhe i thjeshtë është marrja e parave nga llogaritë që kanë nëpër degat e bankave greke, qofshin në Greqi apo Shqipëri. Mëpas, ato mund t'i mbajnë ato para me vete (por siguria është e pakët) ose t'i dërgojnë nëpër bankat shqiptare apo jo-greke. Si monedhë, paraja e shqiptarëve në Greqi është e sigurtë, sepse është në Euro. Ndryshe qe situata finaciare e shqiptarëve në Shqipërinë zyrtare në fillim të viteve 1990 kur Leku (bashkë me kursimet nëpër banka) u zhvlerësua dhjetë herë. Dhe po ndryshe qe situata për to më 1997 kur hajdutët e brendshëm vodhën paranë e brendshme (Lekun), kurse porositësit e huaj morën nëpërmjet tokës, ajrit e detit paratë e huaja (dollarë, lireta, dhrahmi, marka, etj.). Shqiptarët e Greqisë e dijnë mirë se sa sakrifica e harxhime kanë bërë ato 20 vitet e fundit për të shkuar, punuar e kursyer në Greqi. Vendimi iu përket vetëm atyre; të dëgjojnë shumë e të bëjnë si dijnë vetë.