Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shteti dhe kombi kosovar

Shkruar nga: Arjan Konomi  
Botuar më: 15 vite më parë

Arjan Konomi
Shteti dhe kombi kosovar

Shteti dhe kombi janë dy nocione shumë të thjeshta kur i përdor të ndara nga njera tjetra por që bëhen tepër të komplikuara nëse i përdor bashkarisht. Me zhvillimin e mendimit politik botëror kuptimi dhe lidhja e dy termave kanë ndryshuar shumë, gjithnjë me të njëjtën tendencë, atë të shkëputjes së nocioneve nga njeri tjetri në realitetet politike aktuale. Sot i vetmi vend në botë ku shteti dhe kombi përkojnë është Islanda, që duke qenë ishull nuk ka pakica të saj në vendet të tjera. Për shqiptarët është ekstremi i kundërt, kufijtë etnikë nuk përkojnë me kufijtë politikë dhe jo në një pjesë, por në tërësinë e tyre.

Në Shqipëri përsa i përket shtetit dhe kombit konfuzioni është edhe më i madh e sidomos kur në Kosovë sot ndeshen mendime mbi ekzistencën e një kombi kosovar, të cilat kanë shkaktuar jo pak debate dhe kundërshtime. Ajo që çudit më shumë është fakti se mendohet të shkohet drejt formimit të një kombi të ri, të nevojshëm në kushtet e një shteti të ri si ai i Kosovës, sikur kombi të ishte një shoqatë për gratë në nevojë.

Problemi nuk qëndron në faktin se këta intelektualë nuk dinë se çfarë është shteti dhe çfarë kombi. Me përjashtim të një pjese të vogël ekstremiste, të gjithë e kanë të qartë se shteti është tërësia e institucioneve qeverisëse që ushtrojnë pushtetin në një hapësirë gjeografike e ndaj një popullate që jeton në këtë hapësirë. Kurse kombi me fjalë të thjeshta është një grup njerëzish që kanë të përbashkëta gjuhën, zakonet, traditat, origjinën etnike, historinë dhe kulturën. Pra nëse shteti është një entitet gjeopolitik, kombi është një entitet etniko-kulturor.

Problemi në të vërtetë qëndron në lidhjen që u bëhen këtyre dy entiteve. Dhe nuk është një debat i tanishëm. Teoritë që lidhen me shtetin-komb janë të lindura në Europën e fundshekullit të 18-të, kohë kur u krijuan teori të reja mbi shtetin, përkufizime mbi kombin e që çuan në lindjen e një ideologjie të re të mendimit botëror, të nacionalizmit. Dhe nëse luftërat deri në atë moment të historisë së njerëzimit ishin bërë për hapësira ekonomike, hegjemonie apo feje tani e tutje do të bëheshin për kombin, të shtyrë nga nacionalizmi.

Sot, ndërsa në Europë është jo vetëm anakronike por ‘herezi’ politike të flasësh për shtetin-komb, në Kosovë që gëzon pavarësinë aq shumë të dëshiruar, kërkojnë të kenë një komb me argumentin se kanë një shtet. Ende nuk është e qartë në disa intelektualë të shqiptarëve të Kosovës koncepti i ndarjes së shtetit me kombin. Edhe nga pikëpamja e juridiksionit ndërkombëtar një komb apo pakicë kombëtare nuk ka të drejtë të ketë shtetin e vet por të ketë të gjitha të drejtat e veta në shtetin ku ai jeton. Nato ndërhyri në Kosovë jo sepse shqiptarët ishin shumicë dhe duhet të kishin shtetin e tyre por se shteti ku ata ndodheshin, pra Jugosllavia, jo vetëm që nuk u njihte asnjë të drejtë por edhe i persekutoi.

Kur një shtet lind nuk ka nevojë të ketë një komb të ri por ka popullatën e tij pavarësisht kombësisë që ata i përkasin. Ky është nocioni i shtetasve apo i qytetarëve. Në letërnjoftimet europiane me të dhënat anagrafe të një personi krahas emrit figuron vetëm shtetësia e jo kombësia, e cila është hequr qysh pas Luftës së II Botërore.

Në mentalitetin e sotëm kombësia po humbet domethënien e saj duke u bërë një element gjithnjë e më periferik ashtu si ka ndodhur edhe më përkatësinë fetare, e cila pakkujt mund t’i interesojë të informohet. Pra, një banor i Kosovës ka shtetësi kosovare por kombësia e tij mund të jetë shqiptare, serbe, rome, etj.

Por edhe nëse bëjmë pak fantazi dhe arrijmë të pranojmë që në një të ardhme do të jetë krijuar e forcuar një komb kosovar lind një paradoks tjetër. Që në Kosovë të kemi një minoritet shqiptar dhe këtu në Shqipëri të kemi një minoritet kosovar që do t’u shtohet listës së minoriteteve nga të dyja anët e kufirit. Ose me ekzistencën e kombit kosovar, Kosova dhe Islanda do të ishin shtetet e vetme në botë etnikisht të pastërta. Një realitet jo aq paradoksal sesa qesharak e utopik.

Ndaj ideja e shtetit-komb kosovar nuk është e realizueshme. Duhet të kuptojmë që ekzistenca dhe forca e një shteti nuk varet nga faktori komb, por nga funksionimi i institucioneve të tij si një shtet i së drejtës. Në Shtetin e Kosovës ka shqiptarë dhe pakica kombëtare të tjera ndaj nuk ka nevojë të sajojmë kombësi të reja e aq më tepër të shkojmë drejt formimit të tyre.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama