Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ç'fshihet prapa dy teksteve?

Shkruar nga: Agim Isaku  
Botuar më: 15 vite më parë

Agim Isaku
Ç'fshihet prapa dy teksteve?

Tash së fundmi, në hapësirën shqiptare po diskutohet gjerësisht dhe me emocion të lartë në lidhje me dy tekste. Është fjala për të ashtuquajturën "Enciklopedi", të përpiluar nga e ashtuquajtura Akademi e Shkencës dhe e Arteve e Maqedonisë dhe për të ashtuquajturin Tekst Historie (në fakt: Historia 12) të miratuar dhe të mbrojtur nga Ministria jonë e Arsimit dhe e Shkencës me tre autorë, ku kryesori duket të jetë Beqir Meta. Mediat raportojnë se në qeverinë maqedonase po "vlon" sherri. Kryeministra dhe shefa partish nuk ia përtojnë të rrëmbejnë foltoret dhe, sipas zakonit të politikës, të akuzojnë… kundërshtarët politikë. Analistë gjithfarësh përjetojnë një dalldi të ëndërruar "patriotike" dhe tifozllëku partiak.

Ekranet e televizioneve, të paktën në dy gjuhë, pra shqip dhe maqedonisht (ka që pretendojnë se kjo gjuhë nuk ekziston, por është vetëm një dialog i bullgarishtes, sikundër ka ca të tjerë që pretendojnë se të gjitha gjuhët sllave janë nëndialekte të një gjuhe të vetme: rusishtes) shkreptijnë dhëmbët. Ne jemi më të vjetër. Ata janë ardhacakë. Dhe, sikur të mos mjaftonte ky "sherr" ndërnacional, ja ku na mbin edhe një sherr ndërpartiak, këtej nga ne, më së shumti i shkaktuar nga teksti shkollor i lartpërmendur i historisë. Kush ka qenë Kryeministër? Sa të korruptuar kanë qenë socialistët? Lum Shqipëria që i hoqi qafe.

Edhe vetë kryetari (prej dy ditësh jo më "në detyrë") Rama, e ka deklaruar kur u kërkoi ndjesë shqiptarëve për qeverisjen e keqe të socialistëve… Çuditërisht i ngjashëm ishte edhe reagimi i dy autorëve ose redaktorëve përgjegjës: Tekstet kanë nevojë për korrigjime të lehta dhe saktësime. Do ta heq emrin e Majkos e do vë atë të Ilir Metës, tha Beqir Meta. "Do heq fjalën "shiftar" dhe do vë fjalën "shqiptar", tha me këtë rast Bllazhe Ristevski, redaktori kryesor i "enciklopedisë". Qëndrime këto që lehtësisht mund të ndryshojnë pas konferencës për shtyp të Berishës dhe pas presionit politik të brendshëm, por posaçërisht pas presionit anglo-amerikano-bullgaro-shqiptar në anën tjetër të kufirit.

Në pamje të parë duket sikur pas dy teksteve qëndrojnë probleme të natyrave të ndryshme, por nëse do përpiqesh të kërkosh të vërtetën, e kupton se kemi të bëjmë me të njëjtën dukuri: shkenca (apo më saktë ajo që në këto anë të Ilirisë së vjetër konsiderohet me megalomani si e tillë) vazhdon të lëngojë thellë nga sëmundjet tipike të regjimeve totalitare dhe që lidhen pandashmërisht me konceptin komunist të të shërbyerit ndaj interesave të politikës dhe interesave të… kombit. Sapo një parti politike "hipën" në pushtet (ja një togfjalësh që shpreh shumë dhe që ia vlen të analizohet me thellësi), në të gjitha institucionet "shkencore" ia behin "shkencëtarët" militantë të kësaj partie dhe bëhen (në të vërtetë: "zgjidhen" në respekt të ligjeve që mbrojnë pavarësinë e aktivitetit shkencor nga politika), drejtorë, dekanë, rektorë, kryetarë institutesh, shefa të akademive të shkencave dhe të arteve (ja edhe një emërtesë tjetër që dëshmon paaftësinë tonë për t‘u ndarë nga një e kaluar totalitare) dhe me furçat nëpër duar, fillojnë të bojatisin gjithë ç‘u del përpara dhe kësisoj, gjithçka, para se të jetë shkencore dhe e vërtetë, pra që i nënshtrohet rreptësisë së rregullave të shkencës, është "politikisht korrekte" (politically correct), korrekte ndaj partisë në pushtet dhe ndaj kombit, sigurisht…

Në mënyrë paradoksale, ashtu siç kanë vënë në dukje shumë studiues, regjimi komunist, pavarësisht pretendimit teorik për të ashtuquajturin internacionalizëm proletar, në të vërtetë, më së shumti për të justifikuar dhunën, por edhe në zbrazësinë e ideve të cilave shumë shpejt duket se u kishte humbur aftësia për të gjeneruar lëvizje, lehtësisht u shartua me nacionalizmin. Përpjekjet e Enver Hoxhës për lashtësinë e kombit shqiptar, ditirambet e tij për kombin "më të vjetër", për Shqipërinë "fanar ndriçues", nuk ishin produkt vetëm i filozofisë së tij qeverisëse, as i asaj që shumëkush e justifikon nën argumentin se kjo tendencë krijoi dhe fuqizoi unitetin e munguar kombëtar. E njëjta dukuri ngjan të jetë e vërtetë edhe për vende të një komunizmi "liberal", apo që pretendonte bashkëjetesën mes kombeve, sikundër ishte komunizmi titist. Pavarësisht dukjes, nuk ishte e vështirë të kuptohej se përposh fasadës së teorizimeve për "bashkim e vëllazërim", nacionalizmat qenkëshin majmur të pakontrolluara dhe e paskëshim gërryer bashkëjetesën false derisa shpërthyen tragjikisht duke u materializuar në luftërat, thellësisht të ashpra e tragjike, që shoqëruan copëzimin e ish-Jugosllavisë. Një gjë e tillë, vërejnë studiuesit, ishte edhe më e prekshme në ish-Bashkimin Sovjetik.

Në momentet kur pesha e ideologjive humb, në vakumin e krijuar pas vdekjes së tyre, por edhe si një veprim kontrovers e instiktiv i qëndresës dhe i identitetit në realitetet globale, ndjenjat kombëtare, ato lokale e deri edhe tek individualizmi, shpërthejnë dhe lulëzojnë, duke u bërë thuajse të pakontrollueshme. Rizgjohet dhe shpërthen kultura retrograde e identiteteve të lavdishëm, të cilët jo rrallë as që kanë pas ekzistuar ndonjëherë. Fillon epoka e evokimit të një të kaluare krejt të ndryshme e sipërane krahasuar me atë të fqinjëve. Në pretendimet për rishikimin e historisë lulëzojnë spekulimet që jo rrallë marrin në konsideratë dhe e shndërrojnë në argument "shkencor" edhe vjershën e rapsodit të fshatit më të humbur. Në të gjitha ato që mund të konsiderohen "humbje" apo theqafje në histori, shkaktari gjithherë fillon të gjendet jashtë vetes, kryesisht te fqinjët, domosdoshmërish të këqij, të poshtër dhe hilanjozë. Kultura e viktimizimit shndërrohet në një segment integral të gjykimit. Nxirren nga sëndukët e pluhurosur paragjykimet e një periudhe arkaike kur moskomunikimi ishte normë dhe përleshja ishte gjella e ditës. Kjo situatë anormaliteti mbathet lehtësisht me epitetet pa fund dhe me bishta "fjalësh të urta" që përqeshin fqinjin, i cili përherë është armik.

Tashmë nuk është e re të përsëritet që rajoni ynë posaçërisht ka vuajtur nga paragjykimet e pafundme për njëri-tjetrin. Një gjuhë urrejtje lëvrin ndaç në tekstet që përbëjnë fondamentet e kulturave nacionale, ndaç në librat shkollorë. Stereotipat gjallërohen thuajse anekdoteskë. Sipas tyre, turku është vetëm i prapambetur. Greku vetëm i pabesë dhe hilanjoz. Serbi gjakatar. Bullgari dhe maqedonasi (që mendësia popullore nuk i ndan dot) kokëmushka. Shqiptari "bari e burekxhi", sikundër këmbëngul në artikullin e shumëpërmendur autorja e tekstit të enciklopedisë, mësuesja e matematikës, e cila na qenka deklaruar "shkencëtare" e një fushe tjetër, siç është historia, vetëm sepse ka demonstruar përkushtim të spikatur "kombëtar" ndaj maqedonasve sllavë. Kjo "marria" e të vetëdistancuarit përmes klasifikimeve të të tjerëve si të padenjë dhe inferiorë, delegimi i problemeve të brendshme në "oborr të fqinjit", nuk janë as më shumë e as më pak, por një provë direkte e paaftësisë sonë për të bashkëjetuar me të ndryshmin, për të ndarë me të vlera. E, shoqëria ku ne pretendojmë se kemi hyrë, ndryshe konsiderohet edhe shoqëri e ndarjes së vlerave.

Ministri ynë i Arsimit, përkundër deklarimeve të para disa ditëve të zëvendësit të tij dhe të shef-grupit të hartimit të tekstit, na dha dje lajmin se "Historia 12" do të tërhiqet nga përdorimi, më së shumti jo për shkak të presionit mediatik, se sa si refleksion ndaj konferencës korrekte të Kryeministrit Berisha me rastin e kthimit të tij nga SHBA-të, kuptohet. Edhe në anën tjetër të kufirit duket se presioni po rritet. Partitë politike janë shprehur, përfshi edhe partinë që drejtohet nga ish-presidenti Cërvenkovski. Duket se edhe andej do të jetë një vendim politik ai që do ta "zgjidhë" çështjen. Edhe një herë "shkenca" do të ketë rastin të vërtetojë varësinë e drejtpërdrejtë nga politika

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama