Te ka marre historia...

Shkruar nga: Agim Isaku  
Botuar më: 11 vite më parë

Agim Isaku
Te ka marre historia...

Sot janë Krishtlindjet dhe në sfondin e nënkuptuar, paralelizmi me ndodhi e dimensione biblike ngjan gjithsesi më i pranueshëm, megjithatë… "Ne kemi bibël… Vota dje në Parlament është një fitore historike e shqiptarëve mbi krimin politik. Ajo është një fitore historike dhe shqiptarët do të mund të shohin tani drejt korridorit të tyre, drejt vlerave të demokracisë, do të mund të shohin drejt integrimit. Unë mendoj se Parlamenti shqiptar dje ka bërë histori". Këto janë vetëm disa fraza të shkëputura nga fjala e Berishës përpara gazetarëve, thënë dy ditë më parë, në sfondin e "rrugës historike kombëtare" dhe vetëm nja dymbëdhjetë orë pas miratimit të të ashtuquajturit ligj për pastërtinë e figurës. Retorika inflacioniste e ngritur e ditëve të fundit të kujton një orkestër tunxhesh në një shkretëtirë që luan bezdisshëm të njëjtit akorde të mjerë, pa asnjë frymëzim dhe të zvargur. Them në një shkretëtirë, pasi jehona shuhet e përthithet nga hapësirat e mpita sapo elaborohet nga fyti prej tunxhi i politikanëve.

Them kështu, sepse pavarësisht deklarimeve të porositura të ndonjë kryetari shoqate të persekutuarish, në të vërtetë ka humbur jehona: gjëja më normale dhe më e pakët që duhet të pasojë fjalën e një politikani të përgjegjshëm. Kohët e fundit, fjalori i politikanëve tanë "se përse" ka marrë dimensione folkloriko-epike. Përmenden në njërin krah, sikundër e pamë, historia, bibla, rruga historike e kombit; ndërsa nga krahu tjetër, ndarje përfundimtare me të kaluarën, përmbysjes dhe dhënies fund të sistemit të tetëmbëdhjetë vjetëve të fundit, bota e re, politika e re… Fjalë të mëdha, togfjalësha që "se përse" asociohen edhe në imagjinatën më të vyshkur me fluturime avionësh luftarakë, këngë majekrahi, tupana, lapidarë, ushtri hijerënda që mbushin qiejt me bubullimën (pa vetëtimën e rrufeve të Shën Gjergjit, sigurisht) të hapave të atyre që mendjelehtësisht nisen për t‘u asgjësuar në ndonjë bregore pa emër e pa biografi... Në të vërtetë, duket se gjithë sekreti qëndron i fshehur pikërisht te lidhëza kundërshtuese "se përse" që do të përpiqemi ta shqyrtojmë në kalim.

Si lepuri i madh që rri i fshehur në ferrën e vockël, përanash rrugës… E po në të vërtetë, marrja me historinë, pretendimi se ato që bën ti (nënkupto politikani me klanin e vet) janë qysh tash pjesë e historisë heroike të kombit, janë sëmundje tipike të megalomanisë që kanë me shumicë patriarkët e shoqërive primitive dhe të mbyllura, të atyre shoqërive ku historia pamëshirshëm rishkruhet sa herë që dëshirojnë të evidentojnë vetveten me ca shkëlqime e vlera që nuk i kanë pasur dhe që e dinë se do të veniten sapo të "bien nga kali". Heroizmi, më së shpeshti i shoqëruar edhe me një retorikë patriotike (ndaç edhe globale, kur i lipset patriarkut), duket se është strofkulla karakteristike e këtyre drejtuesve pa ide, të paaftë të konkurrojnë në një realitet, që realisht gjithnjë e më shumë bëhet i hapur, bashkëkohor, profesional. Nëse do t‘i marrësh e t‘i analizosh ato që tha Berisha, ndaç gjatë seancës parlamentare, ndaç edhe në ekskursionin "patriotik", e ke të lehtë ta kuptosh se ke të bësh minimalisht me deklarata kallpe. Ligji i pastrimit të figurave - që jo rrallë është përdorur për të bërë pis institucionet, pavarësinë e tyre dhe kundërshtarët politikë, pra për të kundërtën e asaj që është deklaruar, - në të vërtetë është i treti në radhë që përpilohet, miratohet mes sherresh dhe aplikohet në mënyrë preferenciale e selektive në këta tetëmbëdhjetë vjet. Prej këtej, lehtësisht kuptohet që së paku nuk mund të konsiderohet historik, ashtu sikundër, pavarësisht vlerave, edhe rruga e re nuk mund të jetë as historike dhe as rruga e kombit, sepse po aq e kombit është edhe ajo që të çon në Gjakovë dhe që e kanë hapur austro-hungarezët, po aq patriotike mund të konsiderohet edhe ajo që të çon në Prizren përmes Tetovës, të themi.

 Dhe të gjitha këto janë ku e ku më historike… Në të vërtetë, kultura hilacake bizantine që na e ka mbathur nëpër kohëra historia jonë e koklavitur dhe që i çimentoi përfundimisht komunizmi gjysmëshekullor, i ka mësuar politikanët tanë që, prapa këtyre deklarimeve të fshehin jo rrallë interesa banalë personalë, vjedhje monstruoze, pse jo edhe tradhti të mëdha kombëtare. A nuk ishte tradhtia më e madhe kombëtare izolimi që i bëri Shqipërisë Enver Hoxha gjatë qeverisjes së vet? Dhe të gjithë e kemi ende të freskët në zgavrat e kokës jehonën e fjalimeve të tij historike. Historike dhe heroike ishte përzënia e misioneve angleze dhe amerikane që në të hyrë të komunizmit. Historike dhe heroike ishte ndarja nga Titoja, nga Hrushovi dhe nga kinezët së fundmi. Edhe më shumë heroike dhe më shumë historike ishte prishja e kishave dhe e xhamive dhe izolimi përfundimtar i vendit. E në fakt, tashmë gjithkush e ka të qartë se në themel të këtyre veprimeve nuk kishte asgjë historike apo heroike: ishte vetëm interesi i Hoxhës për të qëndruar në pushtet, gjë që duket se ishte e garantuar vetëm në një sistem ku konkurrenca ishte përfundimisht e përjashtuar. Edhe deklarimet e fundit të Berishës u bënë thuajse në të njëjtin sfond zhvillimesh të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Përkundër këshillimeve të partnerëve tanë kryesorë ndërkombëtarë, përkundër këshillave të institucioneve të specializuara, me një anashkalim prepotent të rregullave më elementare të funksionimit të demokracisë, nën deklarimin absurd të një sovraniteti minimalisht joproduktiv dhe maksimalisht të rrezikshëm, Parlamenti miratoi në mënyrë të njëanshme një ligj, i cili sigurisht që nuk do të mund të implementohet, përveçse në u zbatoftë në rastin e ndonjë gjykatësi apo prokurori që ka shkelur në kallo, edhe pse me mjaft delikatesë e vonesë, këmbën e përbashkët të korrupsionit qeverisës. Velloja e heroizmit dhe e patriotizmit është një cergë e hollë që nuk e mbulon dot raportin me ligjin dhe me detyrimet ligjore të detyrës. Ja ku dolëm sërish tek ajo lidhëza që thamë në krye të herës, tek ajo "se përse", pas së cilës është strukur e vërteta e këtij heroizmi historik aq të ngjashëm me heroizmin tashmë vërtet historik të Enver Hoxhës. Dhe ja ku erdhëm në momentin kur nën trysninë e alarmit të përballjes qytetare me ligjin dhe me detyrimet e shtetit ligjor të gjallërojë ky fjalor sa "heroik", po aq dhe "historik". Bëjmë histori… Hyjmë në histori… Flet historia… Historia e ka thënë fjalën e saj… Janë vetëm disa togfjalësha të gjuhës shqipe që lidhen me përjetime historike. Mirëpo populli shqiptar, mbase i lodhur së tepërmi nga shkuma boshe që krijon shpërdorimi i këtyre togfjalëshave, ka krijuar edhe një togfjalësh tjetër, i cili përdoret sipas kontekstit:

"Të ka marrë historia…", "Na mori historia…" e deri te mallkimi: "Të marrtë historia!". E, të gjitha këto kanë një ngarkesë semantike përtallëse, që pak a shumë, do të thotë se është lënë nam për keq dhe historia do të tallet me ty. E këtë nuk kemi pse e dëshirojmë… … Po si do të ishte sjellja normale e politikanëve tanë? E zhveshur nga retorika boshe, e frikshme dhe mashtruese e këtij heroizmi historik? Më shumë se asnjëherë na nevojiten ca politikanë normalë, që pa bërë deklarata pompoze, të kryejnë detyrimet më të thjeshta ligjore: të japin llogari për metrat kub që kanë paguar me paratë publike, të ulen e të bëjnë hesap se si mund të jetojnë qytetarët me rrogat që marrin, se sa larg janë këto rroga nga rrogat e qytetarëve të Komunitetit Evropian, të shkojnë e të raportojnë në prokurori, në gjyq a kudo tjetër, siç bën edhe qytetari më pak i rëndësishëm i vendit… P.sh., le të lenë mënjanë retorikën e le të ndezin nga një qiri në këtë Krishtlindje për më shumë se 300 personat e ngratë që kanë vrarë veten vetëm gjatë vitit të fundit, sipas raportimeve, më së shumti për shkak të krizës "historike" që po kalon vendi. Le të falen e t‘u kërkojnë ndjesë njerëzve, pa heroizëm, pa patriotizëm të rremë… Ky do të ishte, mbase, një moment kthese në normalitet. Dhe ne do të ndiheshim më pak fatkëqija.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama