Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

« Ishulli » i Blushit, ishullarët dhe vështrimi i të verbërit.

Shkruar nga: Gjergj Xexo  
Botuar më: 16 vite më parë

Gjergj Xexo
« Ishulli » i Blushit, ishullarët dhe vështrimi i të verbërit.

Për një varg arsyesh nuk kam mundur të lexoj romanin e Ben Blushit « Të jetosh në ishull ». « Sepse na mungojnë këmbanat » – i përgjigjej kryebashkiaku i trembur prusian i anekdotës Perandorit Napoleonit të zemëruar që e kërkonte të dinte përse nuk po binin ato të uruara. Mua më mungon libri.
Duke mos e patur këtë të « uruar këmbanë » dhe duke mos qenë as Napoleon me Blushin përpara, vendosa të « lexoj » librin nëpërmjet komenteve që janë shkruar mbi të. Zoti vetë është dëshmitar se sa të tilla janë shkruar ! Me fjalë të tjera, e vura vehten në rolin e një të verbëri që ju kërkon të afërmve t’ja lexojnë. Por, meqë bëhet fjalë për një libër me mbi 400 faqe (po qe se ju besojmë komenteve), sejcili prej lexuesve të sjellshëm lodhet ende pa e filluar dhe preferon të tregojë përmbledhjen, pikpamjen e tij mbi librin. I bie barra të verbërit të shkojë tek vepra me anë të mendjes, nëpërmjet syrit të të tjerëve. Dhe për të qenë sa më afër të vërtetës i kërkova ndihmë disa lexuesve sa të kujdesshëm aq dhe të rreptë – Fatos Lubonja, Olsi Jazexhi dhe Nexhmedin Spahiu. Me shpresën e dukshme se, me të vërtetë, ata e kanë lexuar librin dhe me shpresën e fshehur se ata janë seriozë në ato çka thonë mbi të.
 
* * *
 
1. Më asnjanësi i komentuesve – Shtëpia e Librit – përkulet përpara talentit të shkrimtarit-politikan, i cili braktisi përpjekjen civilizuese të popullit për të ndriçuar mendjen e lexuesve ; një rast unik përgjatë këtyre viteve të tranzicionit ndërkohë që shumë të tjerë braktisën penat për t’ju përkushtuar politikës. « Në një rrëfim e stil jo të zakontë në letrat shqipe ». Mësoj se autori qëmton Historinë e Shqipërisë të shekujve XV – XVIII « duke e trajtuar artistikisht si rrallëkush e duke sjellë një informacion me frymë analitike nga një pikëvështrim i ri dhe tërësisht sipas gjykimit të tij të ngjarjeve të mëdha të shoqërisë shqiptare të kësaj periudhe ». Duke i renditur këto konsiderata në raftin e furçave të dhëmbëve, ajo çka më tërhoqi dëgjimin ishte vijimi : « tema themelore e romanit do të mbesë procesi i gjatë shoqëror i islamizimit të shqiptarëve nga të krishterë në myslimanë, debatet për të cilin vazhdojnë të jenë në qendër të polemikave edhe në ditët tona dhe i kanë ndarë studiuesit, historianët, analistët, etj. në kampe me pikëpamje të ndryshme ». Befas, interesi u ngjit katër shkallë njëherësh pasi bëhet fjalë për një temë që më intereson posaçërisht. Procesi i gjatë shoqëror i islamizimit ! Hajde pra të shohim se si e ka përtypur Blushi ynë këtë proces kaq misterioz ku plot të tjerë kanë thyer dhëmbët dhe ndoshta më mirë fillimisht, është të dëgjojmë vetë autorin.
 
2. Ata që ishin prezent ditën e prezantimit të librit nga vetë autori – sot ky proces quhet promovim, një fjalë fort e bukur dhe e re e gjuhës shqipe – thonë se ai e filloi fjalën me një falenderim: « ... dua të falenderoj... Edi Ramën! Ne nje moment te caktuar, qe jane shume ne jeten tone politike, pa dashje, pa dyshim, ai me dekurajoi te merresha me politike dhe kjo eshte arsyeja qe une lash politiken dhe u ula 6 muaj te shkruaja romanin ». Mbresëlënëse dhe fort prekëse ! jo aq përmendja e Edi Ramës se sa fakti që atij ju deshën 6 muaj për të shkruar këtë vepër voluminoze, ku « çdo rresht ka mendim ». Vetëm 6 muaj për të ndërtuar një vepër që zhytet 500 vjet pas në histori. Gjashtë muaj të lumë, nga të cilët 100 ditë shkrim intensiv dhe pjesa tjetër dokumentim, hulumtim – pra fifti-fifti, e gjitha në kohën e krizës energjetike ! Po kriza energjetike ç’hyn këtu ? Për të nënvizuar vështirësinë e leximit me qiri apo e shkrimit me llampë vajguri ? Apo për të thënë se në kushte të tjera normale do të duheshin vetëm dy muaj – një muaj hulumtim, një muaj shkrim ?
Për një moment, mbylla veshët me duar dhe rashë në mendime të zeza, dekurajuese : më ishin dashur dhjetë vjet për të shkruar « Përjetësisht të Panjohur » me 600 faqe – 7 vjet lexim dhe 3 vjet shkrim në frëngjisht dhe përkthim në shqip, pra vetëm 60 faqe në vit. Bile duke patur dritë dhe ujë, ngrohje dhe përkujdesje, internet dhe kompjuter, ndërkohë që Blushi nxinte ato 400 faqet e tij për 3 muaj, në errësirën berishjane. Duke patur parasysh që të shkruarit nuk është krejt njëlloj me pjekjen e simiteve – bile edhe këto të bekuarat kërkojnë kohën e tyre në mënyrë që brumi të vijë – i bie pak a shumë që një e treta e kohës të shkojë për të ngjizur « brumin » letrar, një e treta për të prodhuar mendimet-simite në letër dhe ajo çka mbetet, nevojitet për pjekjen : lexim, rilexim, korrigjim, pra, për t’i dhënë dorën e fundit. Me një fjalë, një mesatare prej 10-15 faqe në ditë. Edhe sikur të arrijë të flerë, të çlodhet dhe te regjenerojë neuronet gjatë gjysmës së ditës, duke llogaritur këtu edhe të ngrënët, të dhjerët të pirët - dhe Shvejku do të shtonte : edhe të tjera bëma që rimojnë me të parat – dhe të ulë bythën në karrike pa lëvizur për dymbëdhjetë orë të tjera, i bie mesatarisht 1 faqe në orë ! përgjatë 100 ditësh rresht ! Një mesatare e ndershme për një kampjon të vërtetë të mendjes dhe të penës – dhe të marketingut pasi arriti të shesë 1400 kopje të librit të tij për një javë ! Sikur të kisha edhe unë atë fat, këtë të marketingut ! Ishte zëri i Toçit, botuesit të Blushit që më zgjoi nga këto ëndrra, ndërkohë që thoshte : « .. filli kryesor i tij perpiqet qe te shtellize disa nyje mbi procesin e gjate dhe teper te ngaterruar te islamizimit te shqiptareve pas pushtimit nga perandoria otomane. I paqte a i dhunshem ishte ky proces, Blushi e thote te verteten e tij ne faqet e romanit voluminoz ». Që Blushi thotë të vërtetën e tij në faqet e romani të vet, kjo gjë s’kish asnjë dyshim, e vetmja e panjohur mbetej në se kjo e vërtetë përputhet me atë tjetrën, të vertetën « objektive ». Ja vlente më mirë pra, të braktisja Blushin dhe të dëgjoja në këtë pikë rrëfimin e çmitizuesit Fatos Lubonja.
 
3. Ndonëse nuk kam patur fatin të njoh Blushin e ri, ngushëllohem me faktin se « njoh » Fatos Lubonjën. Çmoj vështrimin e tij kritik dhe vlerësoj seriozitetin e analizës, shtjellimin e argumentave, saktësinë e përfundimit. Dhe Lubonja më mëson se veprës i mungon koherenca dhe nga ky shkak, « ngjarja humbet besueshmërinë që është një nga elementë kryesorë të artit të të rrëfyerit ». Më tutje Lubonja e ngul gozhdën edhe më thellë, pasi « historia (sipas Blushit) është interpretuar sipas disa klisheve ideologjike të njohura nacional romantike shqiptare të rimarra në kontekstin e zhvillimeve nacionaliste tona të periudhës pas komuniste ». E thënë nga goja e Lubonjës, ky përfundim merr formën e një note negative. Bile edhe të një verdikti, kur ai fillon dhe shtjellon « qasjen esencialiste (blushiane – plotësimi ëhtë i imi) ndaj identitetit kombëtar shqiptar ». Arritur në këtë stad mund të « braktis » qetësisht Lubonjën dhe t’i kthehem për konsultim disa komenteve dhe teksteve të miat, lidhur me identitetin shumëformësh shqiptar – për të rikqyrur raportet mes shqiptarisë dhe fesë, mes procesit të ndërlikuar të krijimit të identitetit kombëtar gjatë shekullit të XIX – që jo vetëm nuk shoh të piqen gjëkund me përfytyrimin artistiko-historik të Blushit (ashtu si ma përshkruan Lubonja), por që hera herës nuk përputhen forcërisht as edhe me ato të vetë Lubonjës.
Për fat është vetë Blushi që më vjen në ndihmë, kur thotë : « Unë vendos historinë në funksion të imagjinatës sime dhe kjo është një histori e rikrijuar dhe e stilizuar ». Pa e patur përpara për t’i drejtuar pyetjen, nuk mund të them se si i kupton Blushi raportet mes historisë së vendit të vet dhe imagjinatës së tij. Por sidoqoftë, do s’do Blushi, edhe kur pretendon se e rikrijon ose e stilizon, nga momenti që i përvishet punës të shkruajë një « roman historik » të mesjetës së vonë dhe të fillimit të kohës moderne, pra të shekujve XV-XVIII, atij i duhet të hulumtojë në mjegullnajën e shkrimeve dhe të dokumentave. Këtë gjë ai e thotë vetë - dhe çdo lexues është në gjendje të vlerësojë përpjekjen titaneske. Vetë shifra 3 (muaj) dëshmon për seriozitetin e ndërmarrjes dhe thellësinë e reflektimit.. Por hulumtim do të thotë jo vetëm shfletim ose lexim por edhe përzgjedhje. Me fjalë të tjera, ai rrethohet me ato vepra që i konsideron si të « të vërteta » dhe flak tutje ato të tjerat që atij i duken si të sajuara, për të mos thënë tendencioze dhe të gënjeshtërta.
Pasi hulumton epokën – pra pasi përzgjedh dhe flak tej, pasi fikson kornizën historike, autori fillon dhe pikturon tabllonë, skicon personazhet mbi këtë tabllo dhe i çvendos ata në kohë, si ato bimët që shkojnë drejt dritës. Të paktën kështu bëjnë të tjerë autorë… dhe kur dëgjoj se ai tregon sagën e Aranit Komnenit dhe të familjes së tij, mendoj se kjo zgjedhje nuk është as e pafajshme as edhe krejt e rastit. Sikundër dhe portretet e skicuara apo shprehjet që ai ve në gojën e tij apo të bashkëkohësve të tij – që jo vetëm kanë dalë nga koka e Blushit por edhe i përgjigjen nivelit intelektual, imagjinatës artistike dhe botëkuptimit historik-shoqëror të vetë autorit.. Dhe s’ka si të jetë ndryshe, pasi është shkrimtari Blushi i sotëm që rrëfen Komnenët e asaj kohe dhe jo Komnenët e lashtë që i rrëfejnë jetën e tyre kronikanit Blushi. I vetmi rrezik që duhet përballur është shkalla e ngjashmërisë mes të vërtetës të Voskopojës voskopojare të shekullit të XVII-XVIII dhe përfytyrimit voskopojar nga Tirana e shekullit të XXI – si edhe tallanditë reale ose të sajuara, por sidoqoftë mbijetuese, të « ishullit ortodoks të qytetëruar vllaho-shqiptaro-çifut » mes detit valëshumë, fanatik dhe përpirës mysliman. Në këtë moment kaq pasionant të tregimit më duhet të ndahem – me keqardhje - nga Fatos Lubonja pasi më ndjell zëri bubullitës i Olsi Jazexhiut, « Fortis athtleta et verus propugnator fidei musulmanæ ».
 
4. Nuk mund të them se e njoh Olsi Jazexhiun, megjithëse dikur, për të më përshëndetur lidhur me një shkrim timin lidhur me islamizimin e Shqiptarëve, më ka dërguar një mesazh të përzemërt. Mesazhi kthyes mbeti pa përgjigje.. Ndoshta, për shkak të shprehjes time se historiani dhe militanti zakonisht nuk përbënin një çift të përsosur. Por nejse ! Kësaj rradhe, kisha nevojë për zërin e tij si udhërrëfyes, për të depërtuar në labirintin e mendimit Blushian.
Që në fjalët e tij të para mësova se, i joshur nga komentet e mira te lexuesve, Jazexhiu kish kërkuar t’i nisnin librin me ugjencë deri në Italinë ku ndodhej për të ndjekur fillin e mendimit të një autori racist dhe ksenofob. Një e tillë parti pris nga ana e lexuesit-historian i qytetërimeve myslimane nuk ndillte asgjë të mirë për një « të verbër » si puna e ime. Një listë e tërë citimesh nga teksti i Blushit që fyejnë ndjenjat myslimane si dhe dhe një katalog i tërë kundërsharjesh nga pena e Jazexhiut që fyejnë dhe poshtërojnë vllaho-grekët dhe shqiptarët ortodoksë. Bir Selman i nënes ç’të të qaj më parë – thosh dikur populli i viseve të Blushit dhe të Jazexhiut që rastësia i ka vënë karshi-karshi. Duke i lënë mënjanë këto detaje të militantit Jazexhiu, u mundova të ndjek fillin e historianit Jazexhi, deri sa ndesha me shprehjen « arsyeja pse personi do të bëhet musliman… (është) triumfi teologjik të Islamit ndaj Krishtërimit » dhe jo ajo « teoria e vjetër greko – sërbe kundër shqiptarëve e dhunës turke, taksave turke.. ». Aferim Olsi ! Sidoqoftë, dhelpra të rrezikshme mbeten këta greko-serbët që përpunojnë teorira të tilla kasten për shqiptarët ndërkohë që ata vetë, megjithë dhunën turke dhe taksat turke – pasi m’a merr mendja që kanë rënë edhe mbi ata – realizuan të kundërtën : triumfin teologjik të Krishtërimit ndaj Islamit.
Nuk e di mirë cilës kategori i përkas – shqiptar mysliman, ateist dhe patriot të Jazexhiut apo shqiptar ortodokso-vllaho-grek, besimtar të Blushit – por një gjë qënka e sigurt : të gjithë duhet të lexojnë librin. Të parët për të kuptuar kërcënimin fondamentalist greko-ortodoks dhe të dytët për të kuptuar kërcënimin fondamentalist turko-mysliman. Në se është kështu, si thjesht shqiptar që flet shqip nuk jam pishman që s’paskam dëgjuar zërin e Blushit, ama mallkova vehten që dëgjova atë të Jazexhiut. Pasi më dha dhimbje koke ! Dhe në vend të aspirinës, vura shiritin me zërin e Nexhmedin Spahiut. Me plot shpresë se gjykimi i tij do të më zbulonte të tjera horizonte. Aq më tepër kur vetë Spahiu përmend se i kish dhënë mend deri edhe Ismail Kadaresë lidhur me mbylljen e të spikaturit « Prill i thyer ».
 
5. Arsyetimi i Nexhmedin Spahiut mbështetet mbi një këmbë të vetme, e cila përmblidhet me një shprehje, bile me një fjalë – trend. Francezët do t’a kishin përkthyer effet de mode. Shqiptarët, ata që nuk zotërojnë as metodën koncize angleze as edhe elegancën franceze të të shprehurit, do t’a kishin quajtur – të qenit në rrymë, në temën e ditës. Dhe tashmë dihet (të paktën nga ana e Spahiut) që tema e ditës në vend është – shfrimi ndaj myslimanëve. Pra me fjalë të tjera, nuk duhet parë Blushi si një qënie e skëterrshme që shfryn zjarr nga hunda dhe mban erë squfur, por thjesht si një shkrimtar snob që ndjek rrymën e përgjithshme. Përse ? për të fituar famë ose për të fituar para. Sikur i mungonte fama dhe paratë ! Por duke ndjerë se kjo këmbë, si e vetme që është, mbetet e pasigurt, Spahiu i shton arsyetimit të tij edhe një patericë – sillogjizmin. Dhe meqënëse ky i fundit ka tre këmbë, tashmë me katër jemi të sigurt që godina e arsyetimit nuk do të bjerë.
Në se arsyetimi fillestar i Spahiut ka pamje kandide, në të kundër sillogjizmi i tij është fort i thellë. Le të gjykoj si i verbër që jam, mbi ato çka dëgjoj nga goja e tij :
Termi i parë : asnjëherë, një popull i zhvilluar nuk mund të sundohet nga një popull më pak i zhvilluar.
Termi i dytë : Në kohën kur Perandoria Osmane ishte në kulmet e saj ajo ishte shoqëria më e përparuar e kohës dhe « pushtimi Osman, përjashto këtu shkatërrimet që sillte lufta, sillte kulturë e civilizim ».
Përfundimi : Shqiptarët në përgjithësi (dhe Blushi në veçanti) s’kanë asnjë arsye të qahen nga Perandoria Osmane, e cila jo vetëm nuk është është shkaktare e prapambetjes shqiptare por edhe i nxorri ata në dritë.
Për fat të keq, nuk i njoh kriteret e Spahiut që e lejojnë të përkufizojë një « popull të zhvilluar » dhe një tjetër « të pazhvilluar », por kam dëgjuar se kur erdhën Osmanllinjtë në Ballkanin e shekullit të XIV-XV në vend të tregonin kartën e tyre të vizitës me epitetin « i zhvilluar » për të legjitimuar pushtimin, ata zhveshën shpatën. Pra, fitorja e Osmanllinjve mbi Ballkanasit ishte çështje raporti forcash. Dhe historia dëshmon se jo gjithmonë raporti i forcave ka të bëjë me zhvillimin. Për të na bindur, ajo na jep rastin e Gotëve dhe të « barbarëve » gjermanikë që jo vetëm pushtuan Romën në shekullin e V p.e.s. por edhe administruan Perandorinë romake gjatë shekujve në vijim ; ajo na jep gjithashtu shembullin e Mongolëve që pushtuan Kinën dhe instaluan dinastitë e tyre gjatë disa shekujsh.
Sa për pohimin tjetër, ndërkohë që pranoj me dëshirë se në kulmet e saj, Perandoria osmane ishte një nga fuqitë më të mëdha të epokës, ende e kam të vështirë të mësohem me idenë se ajo përfaqsonte shoqërinë më të përparuar të kohës. Mbi ç’baza ngrihet ky kategorizëm ? Mbi strukturën autokratike me Sulltanin në krye ? Mbi kastën laiko-ushtarake që administronte jetën civile apo mbi kastën e ulemave që kontrollonte jetën shpirtërore të subjekteve ? Zaten, kujt periudhe historike i përgjigjet kulmi i Perandorisë otomane ? Pasi, në gjatë asaj periudhe që na intereson posaçërisht - shekulli i XVII, kur ndodhi edhe islamizimit masiv të Shqiptarëve, ylli i saj kish filluar të perëndojë. Aq më tepër, ky proces kaq i përfolur s’ka të bëjë me kulmin e madhështisë së Perandorisë « mëmë » por me kushtet e brendshme politiko-ekonomike të viseve shqiptare. Së fundi, edhe sikur t’i referohemi sumumit të kulturës osmane – fesë islamike, duhet të kujtohemi së pari se Muhamedi nuk ishte turk por arab dhe së dyti se islamizmi i përqafua prej Turqve disa shekuj pas vdekjes së Profetit. Pra, sikundër dhe subjektet e tyre të mëvonshme të islamizuar arbër-shqiptarë, edhe Turqit vetë ishin « renegatë ». Veçse këtu natyrisht nuk bëhet fjalë për krishtërimin, por për braktisjen e besimin e tyre të parë - një përzierje e habitshme mes paganizmit të stepave mongole, arianizmit iranian, hinduizmit dhe zoroastianizmit, gjurmët e të cilit mbeten në ndërgjegjen popullore deri sa riçfaqen në formën e skizmave alevite.
Sa për përpjekjen civilizuese në « dar-el-harb »-in arbëror, pasi kish përfunduar përpjekja shkatërruese, mbetem fort skeptik pasi nuk më shqitet nga mendja fakti se edhe pas largimit të osmanit të fundit, Shqipëria ishte vendi më pak i zhvilluar i Ballkanit.
Duke ju kthyer së fundi sillogjizmit sokratik, më mbetet të them se edhe Aristoteli, babai i saj grek, hezitonte shpesh përpara se t’a përdorte. Pasi i druhej namit të sofistit. Ndërsa unë vura re se u mora më shumë me sofistin tim të rradhës se sa me vetë Ishullin e Blushit.
 
6. Mitrovicën e Spahiut një vrap pele e ndan nga Tetova, nga vjen jehona e zërit të akademikut Xhaferri. Arbër Xhaferri e thotë shkoqur : ato 200 faqet e para të librit të Blushit kishin qenë të mjafta që ai njëherësh të bindej për erudicionin dhe për guximin e autorit për të ndërmarrë « një viviseksion, një introspekcion (një inspektim të brendshëm) të asaj çka ka ndodhur me ne në një periudhë historike ». Fjalë politikani të vjetër, i cili sikundër dhe shumë shqiptarë të tjerë, e ndjen vehten të « kontaminuar me.. paragjykime », nevojtar « për një zbrazje, për një çlirim, për një katarsis ». Ja përse ai e rendit veprën në rradhën e përpjekjeve për lirinë e fjalës, të diversitetit të mendimit, të opinionit ndryshe. Shkurt, një pikë pozitive në favor të Blushit.
Përse fundja-fundit, një libër i tillë ngjall të tilla ndjenja pendese një politikani të rregjur si Xhaferri ? Pasi ai vëren që të ngjashmëve të tij ju mungon toleranca veçanërisht në fushën fetare, çka dhe i shtyn të zhurmërojnë kur hasin në vepra të tilla. Ja pêrse ai i këshillon tê kqyrin botën nëpërmjet prizmit të sistemit të vlerave perëndimore. Nëpërmjet një « aparature të tillë » libri i Blushit, nga roman historik, shëndrrohet në eliksir që shëron paragjykimet, bile edhe ato të trashëguara. Po a është në gjendje të korigjojë edhe sensin e vetë historisë, dhe të sjellë përgjigje pyetjes : përse Shqiptarët mbetën vetëm përballë dilemës së apostazisë ? Dukshëm jo, po qe se i referohemi pêrgjigjes të vetë Xhaferrit, i cili shpjegon : .. pasi ishin të vetmit katolikë të rajonit, ndërkohë që dihej urrejtja reciproke mes ortodoksëve dhe katolikëve si edhe fakti që, për shkak të bizantinizimit të tyre, Turqit u renditën në pararojë të armiqve të papatit të Romës.
Në këtë pikë erudicioni dhe guximi nuk i takon më Blushit por vetë Xhaferrit, pasi ndërkohë ka harruar se myslimanët shqiptarë të konvertuar rishtas ishin po aq të shumtë, në mos më tepër, në jugun ortodoks se sa në veriun katolik. Në emër të kujt urrejtjeje ndodhi apostazia e toskëve jugorë ? A mos ishin vallë të gjithë katolikë në origjinë, arbër-shqiptarët e Maqedonisë, sot myslimanë ?
* * *
 
Ngado që ta marrësh, ky dialog i shurdhër nuk i tejkalon dot caqet e horizontit të verbër. Pasi tashmë është e qartë se « Utopia » e Blushit është një ishull i krishterë brenda ishullit mysliman – ishull brenda ishullit. Vetvetiu më vjen ndërmend shprehja e historianit Fernand Braudel, specialistit më të shquar të hapësirës mesdhetare, i cili viset malore ballkanike i kqyrte si « ishuj në tokë të thatë » ku « shoqëria, qytetërimi, ekonomia, pra gjithçka mban vulën e arkaizmit dhe të pamjaftueshmërisë ».
Ishuj dhe ishullarë, ishullarë të mendjes – mendimtarë ishullarë. Sejcili mendon se ishulli i tij është kontinent dhe vetë kontinenti s’është gjë tjetër veçse ishulli përballë, ndërkohë që e trajton historinë sikur të ishte jasteku puplor i gjyshes që sa herë shkundet, prodhon një pendë gjithmonë të ndryshme, herë të kuqe herë të zezë, herë të drejtë herë të harkuar.
 
 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama