Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Blushi, një përpjekje për të rilindur

Shkruar nga: Mero Baze  
Botuar më: 9 vite më parë

Mero Baze
Blushi, një përpjekje për të rilindur

Kritikat e Ben Blushit për varfërinë janë normale. Madje mund të ishin edhe më të ashpra. Shqipëria vazhdon të jetë një vend i varfër dhe me mundësi të pakta për t’u rimëkëmbur. Tri burimet e saj kryesore të rimëkëmbjes, pasuritë natyrore, bujqësia dhe turizmi, janë goditur për vdekje këto 24 vjet. Pasuritë natyrore, kryesisht kromi dhe nafta janë në duar të papërgjegjshme, që kanë blerë shtetin dhe ndaj tyre duhet bërë betejë me emra. Blushi është i lirë, nëse është, ta bëjë këtë. Që nga Bulqiza e deri në Marinzë, ku njerëzit jetojnë mes pasurive si varfanjakë, ai e di kush i kontrollon pasuritë tona. Është mik i tyre.

Bujqësia këto 24 vjet është fundosur nga copëzimi i tokës bujqësore, lënia e fshatit jashtë sistemit administrativ të mbledhjes së taksave dhe mungesës së infrastruktrës së vaditjes dhe bonifikimit. Blushi mund të flasë dhe më konkretisht.

Turizmi po ashtu është dërrmuar, jo nga mungesa e investimeve, por nga investimet e gabura. Plazhi më i bukur i Adriatikut, Golemi, me një brez rëre rreth 200 metra është kthyer në një fjetore gjigande betoni me ujëra të zeza në sipërfaqe. Atë e ka imituar Shëngjini, Durrësi, Saranda, Vlora… Do të duhet një revolucion i madh të kthehet nga problem, në pasuri. Blushi dhe këtu mund të flasë me emra për përgjegjësit. I ka pasur në qeverinë Nano ku ka qenë anëtar kabineti, në kohën që ishte bumi i këtyre ndërtimeve.

Pra, Shqipëria është vërtetë në një fazë që duhet të rimëkëmbet, duke korrigjuar çfarë është bërë në 24 vjet. Edi Rama mund të mos ia dalë, por kjo do të jetë thjesht fati i tij i keq, ose i mirë nëse ia del. Varfëria nuk filloi më 2013-ën. Më 2013, ka nisur një përpjekje për të vendosur rregulla të reja, që mund të çojnë në një rimëkëmbje të vendit. Nëse do t’ia dalin dot apo jo, do pak kohë të duket.

Pra, Ben Blushi nuk mund të qortohet si kritik për konstatimet e tij. Ai mund të gjykohet vetëm si politikan.

Si politikan, ai është në rrugën e duhur për të qenë një kundërshtar serioz i Edi Ramës. Prej vitit 2007, kur Blushi ka dhënë dorëheqjen nga Grupi Parlamentar i PS-së, ai ka qenë kritik serioz i Edi Ramës. Ai nuk ka pranuar as opozitën e Ramës dhe as fitoren e tij. Natyrisht nuk po pranon as qeverisjen e tij. Prej vitit 2007 Blushi nuk ka folur asnjëherë, (nëse dikush gjen ndonjë deklaratë të ma dërgojë) si socialist i Edi Ramës. Ai ka folur si kritik i tij, si kundërshtar dhe tashmë edhe si revolucionar.

Pas vitit 2009, ai ishte partizan i një opozite të moderuar dhe krijoi atë që u quajt Lëvizja për Mendimin Ndryshe. Në krye të pesë deputetëve socialistë, ata kundërshtuan bojkotin parlamentar, ishin për një vijë të moderuar ndaj qeverisë Berisha dhe bënë opozitën e opozitës për çdo gjë që bënte Rama. Blushi kishte rastin të ishte një lider serioz i fraksionit anti-Rama në PS dhe të bënte betejë reale kundër tij. Por, në fund ai bëri kompromis me Ramën, duke shitur katër shokët e vet. Dy prej tyre ngelën jashtë listës së deputetëve, njëri shkoi tek PD-ja dhe Arben Malaj, më i sinqerti në atë betejë, kandidoi si i pavarur dhe mori një rezultat të konsiderueshëm.

Blushi u rikthye përkohësisht kokëulur në rreshtin e Ramës, për ta rinisur sërish betejën. Kur u rikthye, e dinte që po futej në radhët e Rilindjes dhe jo të partisë së vjetër të Fatos Nanos. Edi Rama nuk e ka fshehur kurrë këtë. Ai nuk e ka fshehur faktin që do ta bënte qeverinë me njerëz të rinj, që nuk kishin qenë më parë ministra të Nanos.  Ai nuk e ka fshehur as betejën e tij me Fatos Nanon. Nuk ia ka kërkuar partinë, por ia ka marrë. Dhe Blushi e ka ditur mirë ku po rikthehej, duke përcjellë në rrugë ish-miqtë e tij.

Tani ka zgjedhur një rrugë më revolucionare dhe një betejë më të fortë. Është duke kërkuar aleancë me mbështetësit në bazë, me njerëzit e zemëruar dhe shpresëhumbur, me ata që kanë pasur pritshmëri të larta nga qeverisja e re dhe që janë zhgënjyer. Pas eksperiencës së keqe për të formuar një grup kundër Ramës, ai ka nisur një betejë për të pasur aleancë me elektoratin e zhgënjyer. Kjo është një betejë reale politike e tij, një nismë që vlen të lavdërohet, nëse i qëndron deri në fund. Vështirësia për të formuar një grup deputetësh kundër Ramës nuk qëndron tek fakti se deputetët kanë frikë Ramën, por tek fakti se nuk besojnë më tek Blushi. Ky është një minus i madh për të, për shkak të biografisë së tij. Por, nëse ai ia del që në vend të deputetëve të nisë të bëjë një aleancë me votuesit dhe të bëhet lider i tyre kundër Ramës, është për t’u përshëndetur. Kjo është një përpjekje reale e tij për të rilindur si politikan dhe për t’i ikur historisë së vjetër si ministër i  qeverisë së korruptuar Nano dhe historisë së palavdishme të luftës së kulisave kundër Ramës, në aleancë me Klanin dhe grupe të tjera klienteliste biznesmenësh, që në të vërtetë janë dhe shkaku i varfërisë së shqiptarëve.

Nëse në këtë vend, do të ketë iniciativa të tilla, që të kenë vullnet të bëjnë aleancë me votuesit kundër zhgënjimeve qeveritare, ky vend ka shpresë. Ka shpresë dhe për Blushin, nëse nuk i lë në baltë ata në emër të të cilëve ka nisur e flet. Nëse ia del t’i përfaqësojë ata, edhe ai mund të rilindë. Dhe s´kemi për t’ia zënë në gojë që nuk është më socialist. Rëndësi ka t´ia dalë të eci vetë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama