Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Enderroj sikur...

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 9 vite më parë

Edmond Tupja
Enderroj sikur...

Pas një tranzicioni të stërzgjatur, thuajse të mundimshëm për popullin tim, dhe në prag të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, ëndërroj sikur në Tiranën time të rrëmujshme të ndodhte diçka e re, premtuese për brezat e rinj, edhe për ty, lexues i vëmendshëm e dashamirës i kësaj rubrike të përjavshme, edhe për mua, që tashmë i përkas brezit të vjetër, për ne të gjithë që ende e ruajmë, ndonëse të ndrojtur, një regëtimë shprese për një të ardhme ndryshe, d.m.th. më të mirë, më të denjë për një jetë njerëzore…

Ëndërroj sikur zgjedhjet e 21 qershorit të sillnin vërtet risi në Tiranën tënde, timen, tonën, sikur të kishte një kryebashkiak e një Këshill Bashkiak jo verbërisht të nënshtruar ndaj udhëzimeve, orientimeve dhe direktivave të forcave politike të cilave ata u përkasin, por, në radhë të parë, ndërgjegjësisht të shqetësuar për problemet e popullit të Tiranës, të cilat ende nuk po gjejnë zgjidhjen e duhur…

Ëndërroj sikur të ishte vërtet e mundur të zgjidhej çështja e punësimit në mënyrë që të mos ketë varfëri, që të mos ketë më banorë që hanë një vakt në ditë, fëmijë që nuk shkojnë në shkollë, por lypin a shesin çikërrima rrugëve, trotuareve, buzë kafeneve e restoranteve…

Ëndërroj sikur të luftohej vërtet korrupsioni, favoritizmi, nepotizmi e klientelizmi që po e ndotin atmosferën psikologjike dhe peizazhin shpirtëror të tiranasve të lodhur moralisht nga tërë këto dukuri në mos vrastare, të paktën gërryese ose topitëse… Ëndërroj sikur Tirana të kishte më pak ndotje ajrore, tokësore, ujore e zanore, më shumë gjelbërim e më pak beton e asfalt, sikur qendra e Tiranës të ishte thjesht e vetëm hapësirë këmbësorësh, sikur sipërfaqet e gjelbra dhe udhëzat për çiklistët të shtoheshin, sikur liqeni i kryeqytetit dhe pylli përreth të mos tkurreshin për t’ua lënë vendin, një ditë fatkeqe, kullave shumëkatëshe që do të kërcënonin frikshëm mushkërinë e vetme të Tiranës…

Ëndërroj sikur të gjitha lagjet e Tiranës, madje edhe rrethinat e saj, të furnizoheshin me ujë 24 orë në 24, dhe të zhdukeshin nga pamja rezervuarët e ujit, maja tarracave të pallateve, të zhdukeshin qentë e macet rreth kazanëve të plehrave… Ëndërroj sikur… Por, mjerisht, ëndërrimet e mia bien në kundërshtim me ç’është premtuar nga gjithë kryebashkiakët e deritanishëm, të cilët, për hir të së vërtetës, kanë lënë gjurmë, por jo aq sa duhet, as atje ku duhet, as për ato e ata që duhet.

Po pse ka ndodhur e ndodh kështu? Ky qëndron thelbi i kësaj fatkeqësie? Do të përpiqem t’i jap përgjigje këtyre jo me një analizë të tipit klasik, por duke vazhduar të ëndërroj… Të ëndërroj sikur kryebashkiaku dhe këshilli bashkiak i ardhshëm i Tiranës të merrnin njëfarë distance nga forcat politike që përfaqësojnë, sidomos nga krerët e tyre, sikur njëshi për ata të mos ishte më kryetari i Partisë, të mos ishte më Presidenti i Republikës, as kryetari i Kuvendit, as Kryeministri, as ndonjëri prej ministrave, por banori më i thjeshtë, më i përditshëm, më anonim i kryeqytetit, pra, ti, lexuesi im, ne të gjithë të zhgënjyerit, pak a shumë, ndër vite…

Të ëndërroj sikur kryebashkiaku të debatonte pa ndrojtje e faqe botës me autoritetet më të larta të shtetit si zëdhënës i popullit tiranas dhe, sidomos, si mbrojtës i interesave të drejtpërdrejta të tij para interesave të partive apo të organeve shtetërore, duke e bërë realitet shprehjen e romakëve të lashtë “Vox populi, vox Dei”, të cilën mund ta shqipërojmë si vijon: “Po ta thotë populli, e ka thënë Perëndia”…

Të ëndërroj sikur, për çështjet madhore të jetës kryeqytetase të zhvilloheshin referendume që, ashtu si në Zvicër, të bëhej i mundur, në nivel lagjeje apo minibashkie, ushtrimi i drejtpërdrejtë i demokracisë… Të ëndërroj sikur të vinte një kryebashkiak që të na kujtonte Zhak Shirakun, kryebashkiakun e Parisit për 18 vjet rresht, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e parisianëve të majtë e të djathtë, të varfër e të pasur (të cilët janë aq kritikë e nganjëherë aq mistrecë saqë konsiderohen si mjaft të vështirë për t’u qeverisur), pikërisht sepse ai vuri në plan të parë interesat e tyre, madje ndonjëherë edhe mbi ato të partisë së cilës i përkiste, një nga arsyet kjo që atij iu besua dy herë posti i Kryeministrit e dy herë ai i Presidentit të Francës…

Të ëndërroj sikur… Gjithsesi, të ëndërrosh do të thotë të shpresosh deri diku, por jo të parashikosh, sepse parashikimet, siç theksonte dikur në trajtë batute vetë Zhak Shiraku, janë të vështira, sidomos kur kanë të bëjnë me të ardhmen!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama