Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pak Papë do ta kemi. Po Zotin?!

Shkruar nga: Artur Zheji  
Botuar më: 10 vite më parë

Artur Zheji
Pak Papë do ta kemi. Po Zotin?!

Ndoshta ndodh kudo kështu. Në vendet e vogla dhe në vendet me histori zymtake si e jona. Vizita e një Pape, apo e një Merkeli nesër, apo e Bushit ca kohë më parë, apo e Hrushovit dhe e Cu En Lait, në shekullin e kaluar, përjetohet si një emocion tronditës. Dhe ndërmerren gjithkund masa drithëruese, mbarëkombëtare.

Sot në Shqipëri, nga ateizmi kemi brofur në papizëm. Porse vende-vende edhe nga enverizmi, në jihadizëm. Por ja, nuk ka dyshim. Shqipëria do të zgjohet dhe do të jetojë ca ditë e “papizuar”.

Vetëm në formë, sigurisht. Vetëm në formë. Sepse, pjesa më e madhe e të përzgjedhurve për të thithur të njëjtin ajër me Papën dhe pranë Papës, dyshoj se e ka lexuar ndonjëherë Dhjatën e Re, apo Ungjillin. Dyshoj se do të jetë përqendruar ndonjëherë te “Përseja” e thellë e kryqëzimit të Krishtit dhe te brendia e Testamentit të Ri.

Sigurisht aty do të ketë rrotull, edhe ca portrete të dhimbsura, që do të qarkojnë Hirësinë e Tij. Por logjika e do se shumica do të jenë ateistë të konvertuar simbas kohës. Me kostume të shtrenjta. Me buzëqeshje të porositura. Dhe me përdëllim të marrë borxh nga filmat.

Por sidoqoftë, unë personalisht shpresoj shumë te mesazhet që vetë Papa Françesku do të japë këtë të diel nga Tirana.

Uroj  që ardhja e Tij, të përforcojë origjinën e thellë dhe të lashtë e të krishterë të të parëve të shqiptarëve. Dhe kjo është e rëndësishme. Historikisht e rëndësishme. Edhe gjeopolitikisht e rëndësishme.

Sëpaku për konceptin e asaj që do të quaja, simbas stilit të babait tim, Petro Zhejit, Shqipërija Teorike. Shqipëria që sot nuk është, por që dikur ish. Dhe që ndoshta nesër do të mund të jetë. Një Shqipëri pa banditë me frak, pa klane dhe pa bejlerë të lyrshëm orientalë, pa kapitalistë primitivë në gjendje gjysmë kafshërore, pa mjerim të thellë dhe të mbuluar me dy-tri gjethe fiku aty këtu… Por sëpaku me një Shqipëri, që ka diku në një kënd, edhe Zotin, apo e thënë ndryshe, një Referencë Morale, që përcakton kufirin midis së Mirës dhe së Keqes. Që dikur, kur ishim europianë, deri në Mesjetë, thuhet e shkruhet në mënyrë të besueshme, të parët tanë e nderonin në mënyrë fisnike Zotin dhe kodet e tij. I druheshin dhe i kërkonin ndihmë, simbas ritualeve të krishtera.

1300 gazetarë të huaj janë akredituar për këtë vizitë. Bota do të shohë Shqipërinë e bëmave të sotme “pagane”dhe heterogjene, me kryebariun katolik që pritet të mbarështrojë edhe njëherë kopenë e përhumbur të shpirtrave shqiptarë.

Tani çështja që më shqetëson, ndoshta fare kot, është marrëdhënia e shqiptarëve me Zotin. Sepse  marrëdhëniet teatrale dhe shtiranake me të fuqishmit e kësaj bote, përfshirë këtu edhe Papën, ne i kemi të përkryera.

Sepse ne shqiptarët, në artin e shtirjes dhe në këngët false që burojnë nga zemra false, kemi dëshmuar një talent të parrëfyer.

I kam parë vetë me sy bashkombësit e mi, të qajnë mbi kryet e vdekur të Enverit me një “oi oi”, vërtet tronditëse të cilat, për pak e ngjallën së vdekuri. Të tjerë kanë parë brohorima për të gjithë diktatorët apo gjysmë-diktatorët që ky vend ka prodhuar. Kanë parë mikpritje me zell të parrëfyer, për shumë përbindësha që kanë rrugëtuar këtej nga ne. Kemi thurur qilima me lule, këputur me dashuri të rreme, nga të gjitha bahçet e Shqipërisë.

Dhe, pikërisht ndërsa kemi kujtuar se këto dredhira mjeshtërore do të na sillnin begati dhe përfitime, kemi pësuar disfata të panumërta kombëtare. Sepse përveç të tjerash, si kampionë të shtirjes, kemi dalë të fundit në çdo garë, ku morali dhe shëndeti shpirtëror i kombeve, besnikëria ndaj një Besimi të Vërtetë, qoftë ky Deist apo Ateist, është një cilësi e domosdoshme.

Dhe kështu kemi humbur apo ndrruar simbas rastit identitetet, siç ndrrohen teshat e trupit. Duke tradhtuar të tjerët dhe së fundi edhe veten.

Papa mund të sjellë shumëçka në Shqipëri, por jo Zotin.

Zotin e tyre të Vërtetë, shtegun drejt Besimit, shqiptarët duhet ta rizbulojnë brenda vetes. Ashtu si edhe ndizen zjarret. Pak e nga pak, me shkarpa tonat dhe si edhe i fryhet zjarrit, kur drutë janë të njoma, t’i fryjmë, me Frymë, Frymë Shpirtërore, nga e jona.

Përndryshe, mbas largimit të Papa Françeskut, me shkepjen dhe zhbërjen e tribunave, do të shkepen dhe do të zhbëhen edhe maskat e shtirjeve.

Dhe kështu, në vend që të jemi një Hap më afër Zotit, do vijojmë të largohemi prej tij.

Dhe kjo, koha ka provuar, nuk është aspak një gjë e mirë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama