Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Lazarati si medalje për qeverinë

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 10 vite më parë

Armand Shkullaku
Lazarati si medalje për qeverinë

Në prag të marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE, qeveria shqiptare vendosi ta anulojë miqësoren e kthimit në futboll mes policisë dhe Lazaratit dhe ta kthejë atë në një ndeshje me armë për të vendosur ligjin brenda mbretërisë së kanabisit. Kjo ndërhyrje e munguar e shtetit për vite me radhë, që është në fazat e saj të para, po shoqërohet nga një tendencë për ta paraqitur si Aktin Final të luftës kundër drogës. Ka një nxitim për të ngritur kupën ende pa përfunduar një ndeshje që nuk fillon e nuk mbaron në plantacionet e Lazaratit. Në këtë eufori, më shumë të nxitur sesa të natyrshme, ku bëhen thirrje për rreshtime e solidarizime, duket sikur kërkohet të lihen në hije dyshimet për atë çka vjen më pas. “Shteti futet në Lazarat”, është togfjalëshi që duhet të mbizotërojë dhe pyetja “çka vjen më pas”, nuk ka rëndësi. Është pak a shumë e njëjta gjë që kryeministrit Edi Rama i doli ndoshta pa dashur gjatë një interviste në mediat franceze, kur i kërkoi Francës të votojë pro statusit e të mos trembej nga anëtarësimi i Shqipërisë, se ky është një proces i gjatë e nuk dihet si shkon. Pra duhet diçka tani për kapital politik dhe jo një angazhim afatgjatë për një qëllim jetik.

 

Si investim për kapital politik po tingëllon edhe aktivizmi me të cilin kryeministri Rama po përcjell në media e rrjete sociale operacionin e 800 trupave policore në Lazarat. Ka një shqetësim të tij për të treguar se ky është i pari që po sfidon fshatin e kanabisit, që qeveria po i jep fund kultivimit të drogës dhe po ia ngre kokën lart nënës Shqipëri në sytë e botës, etj., etj. E në fakt, aksioni i bujshëm e ka bërë efektin e duhur mediatik. Mediat më të mëdha të botës e kanë përcjellë kumtin që Rama priste: policia shqiptare po lufton kundër trafikantëve dhe kultivuesve të drogës. E nëse droga ka qenë një shqetësim real i vendeve të BE, qeveria ka bërë lëvizjen e pritshme në prag të marrjes së statusit. Po më pas?

 

Kjo është pyetja që qeveria shqiptare duhet t’i japë përgjigje për qytetarët e saj. Ajo që po ndodh në Lazarat nuk ka përse të përjetohet si një bast nëse hyn apo jo policia në fshat, as si sfidë se kush është më i forti. Një shtet, sado i dobët qoftë, nëse ka vendosmërinë e duhur ia del të fitojë çdo betejë me kriminelët. Por beteja në këtë rast nuk është futja ose jo në Lazarat, nuk është trajtimi si në eposin e kreshnikëve të një fshati me 5 mijë banorë. Operacionit policor deri tani dhe vendimit të qeverisë për të depërtuar në plantacionet e kanabisit, i duhet dhënë merita që i takon. Pse jo, edhe t’i njihet si sukses pas dështimit gati 15-vjeçar për të bërë diçka të tillë nga qeveritë e mëparshme. Por deri këtu. Përpjekja e kryeministrit që aksionin e deritanishëm policor ta varë në gjoks si medalje në luftën kundër trafikut të drogës është e tepërt dhe e nxituar. Nevoja e tij për kapital politik e zhvleftëson dhe e ul në banalitet atë çka po ndodh orë pas ore në Lazarat. Çfarë arsye ka kryeministri që edhe në një rast si ky, për të cilin kërkon mbështetje nacionale, të provokojë opozitën apo të bëjë mistrecin me statuse plot nënkuptime? Tendenca për ta paraqitur palën tjetër si pjesë e të keqes apo për ta shtyrë në anën tjetër të barrikadës, dëshmon që interesi politik prevalon mbi angazhimin e vërtetë për luftë kundër narkotrafikut. Përveç konfliktit me kriminelët, qeveria do të mbajë ndezur edhe konfliktin tjetër për t’i treguar botës dhe shqiptarëve se sa të vështirë e ka ajo luftën ndaj së keqes. Dhe se medalja i takon asaj dhe vetëm asaj.

 

Sigurisht që policisë dhe qeverisë, edhe me kaq sa ka ndodhur, u takon një medalje. Por ajo duhet pranuar nga kryeministri dhe ministri i Brendshëm me përulësi dhe jo me triumf, sepse futja në Lazarat nuk do të thotë luftë kundër narkotrafikut. Lazarati nuk është maja e lartë ku garohet se kush do të ngulë flamurin i pari. Është vetëm një pjesë, e rëndësishme sigurisht, në hartën e kultivimit të kanabisit në Shqipëri, nga Dukagjini deri në Tepelenë. Djegia e plantacioneve dhe arrestimi i Gates janë një goditje e fortë, por vullneti i qeverisë duhet të dëshmohet përtej një aksioni të bujshëm policor. Ky vullnet nuk ka të bëjë me pamjen hijerëndë dhe zërin e trashur të Sajmir Tahirit se tani kriminelëve po u vjen fundi, por me zbulimin dhe shkatërrimin e rrjeteve mafioze të drogës që çdo ditë kalojnë tonelata me lëndë narkotike përtej kufijve. Ministri nuk është për të bërë përbetime folklorike, por për të punuar më shumë që bosët e drogës të mos kenë lidhje me policinë e shtetit apo drejtues të saj që u japin garanci që marijuanën e Lazaratit apo heroinën e Turqisë ta tranzitojnë nëpër Shqipëri me destinacion perëndimin. Kjo do të ishte dëshmi e vullnetit serioz të qeverisë për të luftuar narkotrafikun.

 

Bimët e dënuara me djegie në Lazarat nuk janë një zgjidhje afatgjatë, sepse siç thotë edhe avokat Ngjela, nuk ka bimë të fajshme, por bllokimi i rrugëve të trafikut dhe eliminimi i lidhjeve kriminale brenda policisë janë një garanci për suksesin në luftën kundër drogës. Futja në Lazarat është një sukses, por që të mos kthehet thjesht në një certifikatë sa për marrjen e statusit, duhet shumë më tepër. Në vend të statuseve në facebook, kryeministri duhet të na tregojë çfarë do të bëjë qeveria e tij më pas.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama