Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Trafiku i drogës dhe statusi

Shkruar nga: Kastriot Islami  
Botuar më: 10 vite më parë

Kastriot Islami
Trafiku i drogës dhe statusi

Shqipëria është vend origjine i marijuanës që kultivohet në Shqipëri dhe i tranzitimit të drogave të përpunuara që vijnë nga lindja drejt perëndimit. Fatkeqësisht, të konfirmuara edhe nga mediat ndërkombëtare. Për herë të parë, SHISH dhe AIM (Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes), ngritën “dyshime serioze” për përdorimin e “aerodromeve ushtarake” për qëllime të trafikut të drogës me avion. Në datën 10.05.2014, publiku u bë me dije me rastin e “trafikimit të drogës me avion” në Divjakë. Pra, në Shqipëri është kryer trafik droge me avionë të vegjël. Pyetja që shtrohet: A është implikuar qeveria dhe drejtuesit e lartë të qeverisë në këtë trafik të drogës? Përgjigjen finale do ta japë Prokuroria, e cila ka paralajmëruar se zotëron “prova e fakte”. Rastet e trafikut të drogës i) prej 5.6 ton në Gjermani me kamion, ii) prej rreth 1,7 ton në Itali nga deti; iii) dhe prej rreth 700 kilogramë në Greqi përmes kufirit kanë rritur “dyshimet serioze” për “trafikun qeveritar të drogës”…Për shkak të zhvillimeve në Ukrainë, duket se ka gjasa për marrjen e statusit në qershor, ndonëse mesazhet nga Tirana janë më konfuze se në dhjetor 2013.

Dyshime serioze për “trafik qeveritar të drogës”…

Që nga momenti i bërjes publike të informacionit inteligjent për “dyshime serioze” për trafikun e drogës me avion dhe deri në njohjen me ngjarjen e Divjakës, Ministri i Mbrojtjes, Ministri i Brendshëm, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri janë përpjekur të mohojnë informacionet, të fshehin gjurmët, të eliminojnë faktet e provat, të pengojnë hetimin opozitar, të kërcënojnë dëshmitarët okularë e gazetarët investigativë, të tallen me këtë dukuri serioze, të maskojnë gjithçka media zbulon dhe të paraqesin dështimet për suksese. Këto janë arsyet përse logjikisht qeveria nuk është thjesht e paaftë dhe vetëm e papërgjegjshme për të luftuar trafiqet, por ekzistojnë “dyshime serioze” që të jetë e implikuar dhe/ose bashkautore e këtij trafiku.

 

Prej 15 vjetësh Rama ka ngritur një “sistem oligarkik”…

 

Sistemi i qeverisjes klienteliste është i) konceptuar e ngritur gjatë 11 vjetëve kur Rama ka qenë në krye të Bashkisë së Tiranës, ii) gjatë 8 vjetëve të Ramës në krye të PS dhe iii) po konsolidohet e përmbyllet 9 muaj pas formimit të qeverisë në shtator 2013. Shqipëria është në fazën finale të një sistemi oligarkik, të ngjashëm me atë të Ukrainës. Ndonëse Rama është vetëm prej 8 muajsh në drejtimin e qeverisë qendrore, i) formësimi i rrjetit klientelist e i klaneve përfaqësuese të interesave të oligarkisë, ii) eliminimi i të gjithë kundërshtarëve politikë, iii) blerja e medias dhe biznesit, iv) futja nën sqetull e shoqërisë civile, v) zotërimi i një pjese të gjyqësorit, janë të konceptuara, ngritura e forcuara prej 15 vjetësh. Me përmbylljen e “Reformës Territoriale” sistemi klientelist-korruptiv merr formën e tij përfundimtare në nivel qendror e rajonal. Një situatë e ngjashme me Ukrainën në vitin 2004, në prag të Revolucionit Portokalli.

 

Dyshime serioze mbi Ministrinë e Mbrojtjes….

Dyshime serioze bien mbi Ministren e Mbrojtjes. Pyetjes nëse kishte pasur informacion lidhur me “përdorimin e objekteve ushtarake” për trafik narkotikësh, Ministrja e Mbrojtjes, normalisht do të duhej t’i përgjigjej: “.. Po, kam informacion, kam marrë të gjithë masat dhe po pres nga vartësit të hartojnë planin e veprimit për adresimin e kësaj çështjeje…Jam e hapur të bashkëndaj gjithçka me Kuvendin e publikun… ”. Ajo iu shmang pyetjes dhe me arrogancë refuzoi të paraqitej në Komisionin e Sigurisë të Kuvendit. Disa ditë më vonë, e ligështuar e jashtë loje, paraqiti në Kuvend një fjalë, i) duke demonstruar se nuk e kontrollonte situatën, ii) se ishte detyruar të fshihte gjithçka, iii) të akuzonte e ofendonte të gjithë, dhe iv) më tej, të largohej e fshihej për t’ua lënë përgjegjësinë Ramës e Tahirit. Kjo sjellje përforconte dyshimet se ishte bërë trafik narkotikësh përmes përdorimit të aerodromeve ushtarake, dhe për më tepër se ajo kishte pasur dijeni dhe nuk kishte vepruar. Vendosja e blloqeve të betonit veçse i konfirmon dyshimet serioze. Sulmet ndaj opozitës me akuzën false se kishte prishur imazhin e Forcave të Armatosura dhe implikimi i paprecedentë i gjeneralëve të ushtrisë ishin jo vetëm të gabuara, por edhe një tentativë e dëshpëruar për të dalë nga një batak ku u zhyt më thellë. Po ashtu, implikimi i disa drejtuesve të lartë të ushtrisë në debatin për çështjen e drogës ishte një precedent i rrezikshëm, i cili përbën një rast për t’u hetuar seriozisht.

 

“Dyshime” serioze mbi Ministrinë e Brendshme….

 

Ministri i Brendshëm ishte në dijeni të “dyshimeve serioze” nga letra e SHISH, ku ndër të tjera thuhej se “nga ana jonë janë evidentuar raste që lidhen me përdorimin e avionëve të vegjël për trafikimin e drogës nga Shqipëria jashtë vendit. Për këto situata kemi informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit…”. Ministria e Brendshme, ndonëse ishte në dijeni, nuk kishte ndërmarrë asnjë aksion për të luftuar këtë lloj trafiku. Veprimet e Ministrit të Brendshëm, të tilla si i) shkatërrimi i strukturave të antitrafikut, ii) emërimet në Policinë e Shtetit të personave të akuzuar për trafik droge; iii) kundërthëniet për ngjarjen e 10 majit 2014, iv) tentativa për të paraqitur si “superaksion”, veprimet e komprometuara të policisë nga aksidenti “i avionit dhe makinës”; v) hedhja e tezës së “inskenimit të ngjarjes nga forcat e errëta”; vi) lënia e lirë e narkotrafikantit për të grumbulluar e transportuar 460 kg drogë; e tjerë mund të konsiderohen si “dyshime serioze” për implikim të Ministrisë së Brendshme në trafikun e drogës.

“Dyshime serioze” nga kërcënimi i një dëshmitari në Divjakë…

Genti Kuqi, një banor i fshatit Bedat të Divjakës ka deklaruar se “rreth një muaj më parë kishte parë të ulej një avion në rrugën “Bedat Adriatik”, rreth orës 09:00 të mëngjesit…”. Por pas disa ditësh ky dëshmitar në vend që të pyetej në prokurori u shoqërua në komisariat, ku thuhet se “dha dëshminë për gjithçka kishte parë”. Kjo ishte një mënyrë kërcënimi për të gjithë banorët e zonës, të cilët kishin parë ngjarjen, por duhet të heshtnin. Në zonë banorët filluan të kishin frikë të flisnin edhe midis tyre për këtë çështje. Madje për të ushtruar terror u përhap lajmi se kjo është një çështje që ka të bëjë me trafikantët më të rrezikshëm të zonës, në mënyrë që banorët e zonës të heshtnin. Ky ishte një rast tjetër që ngrinte “dyshime serioze” për përfshirjen e shtetit në trafikun e drogës.

 

“Dyshime serioze” nga kërcënimi i një gazetari…

 

Edhe një fakt tjetër që përforcon “dyshimet serioze” për implikim të qeverisë. Brenda tri orëve gazetari Telnis Skuqi u kërcënua dy herë. Kërcënimet kishin ardhur vetëm pasi ai kishte botuar një shkrim investigativ mbi uljen e avionëve të vegjël të drogës në fushën e Kardhiqit në Gjirokastër, si dhe përdorimin e bazës ushtarake në fshatin e quajtur “Arshi Lengo”. Në një sms kërcënuese dërguar gazetarit shkruhej “si shumë të lirë e ke dorën, por ta skuqim mirë ne, legen”. Në drejtim të gazetarit u bë kërcënimi i dytë me “një kokë dhie të prerë të hedhur para banesës së tij”. Nga mosveprimi i policisë rriteshin “dyshimet serioze” për implikimin e saj. Ndërkohë që mediat pranë Ramës, të porositura nuk kanë dhënë lajmin e kërcënimit të gazetarit.

 

“Dyshimet serioze” bien të gjitha mbi Kryeministrin Rama….

 

Të gjitha veprimet e mosveprimet e kryera nga Ministri i Brendshëm, nga Ministri i Mbrojtjes, nga strukturat e agjencitë publike të përfshira në këtë trafik janë të konceptuara, përpunuara dhe urdhëruara nga kryeministri. Gjithçka është thënë publikisht: i)mohimet, ii) kundërshtimet për paraqitje në komisionet e përhershme apo ngritjen e komisioneve hetimore, iii) talljet, sulmet agresive dhe fjalori banal në kuvend; iii) kundërthëniet e mashtrimet me superaksionin e policisë; iv) mburrjet me emërimet në polici të personave të implikuar në trafiqet e drogës; v) hedhja në treg e skenarit për inskenim të ngjarjes nga opozita apo shërbimet e huaja sekrete; vi) paraqitja si normale e veprimeve dhe mosveprimeve të Albcontrol; vii)  implikimi aspak profesional i Forcave të Armatosura në këtë çështje; viii)tentativat për të fajësuar opozitën për dëmtim të imazhit të FA,  e tjerë e tjerë  janë konceptuar, përpunuar, urdhëruar, orkestruar vetëm nga Rama. Kulmi i diskreditimit do të arrihej në seancën e 17 prillit 2014 në Kuvend. Në këtë seancë, Rama, i kapur në flagrancë e dëshpërim të thellë, do të zhytej edhe më thellë pas një reagimi joserioz: “…Doktorit i shkojnë sms çdo natë se janë avionë që ulen në Divjakë, nuk janë avionë. Janë mushkonja që nuk i gjëmon më njeri prej 20 vitesh….”. Kjo mënyrë talljeje do të rriste “dyshimet serioze” për implikim të Ramës në trafikun e drogës…

 

“Dyshimet serioze” dhe statusi…

Nga informacionet e faktet arrihet në përfundimin e parë së droga nga Shqipëria drejt perëndimit ka filluar të transportohet me avionë të vegjël duke përdorur të gjithë objektet civile e ushtarake. Së dyti, analiza racionale e të gjithë veprimeve e mosveprimeve, talljeve, sulmeve ndaj opozitës dhe kundërthënieve të Ramës e të qeverisë së tij për çështjen serioze të trafikut të drogës kanë lënë hapësirë për “dyshime të arsyeshme e serioze” lidhur me kryerjen trafikut të drogës nga kupola e shtetit, Mbetet prokuroria dhe gjyqësori të merren ligjërisht me këto dyshime. Po ashtu mbetet të vlerësohet ndikimi i kësaj sjelljeje të qeverisë në hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ndikimi i këtij trafiku do të ishte negativ në marrjen e statusit të vendit kandidat, ndërkohë që vendimmarrja për statusin mund të ndikohej pozitivisht  nga gjykimi “gjeopolitik” i Brukselit bazuar në ngjarjet në Ukrainë. Ndikimi i rezultatit të zgjedhjeve europiane mbetet për tu vlerësuar. Disa ambasadorë në Tiranë po përpiqen të mbështesin një qasje prostatusit duke lënë përkohësisht mënjanë “dyshimet serioze” për trafikun e drogës dhe mjaft shqetësime të tjera që do alertohen me forcë pas mbledhjes së Këshillit Europian në qershor… 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama