Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

“Suficiti” i korrikut, deficit i fshehur dhe borxh i rritur

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 11 vite më parë

Arben Malaj
“Suficiti” i korrikut, deficit i fshehur dhe borxh i rritur

Shprehja “Djalli qëndron në detaje” ka vlerë edhe për analiza më të thelluara të treguesve të buxhetit, ku qartësohet se suficiti i korrikut është në fakt një deficit përkohësisht i fshehur dhe që do të rezultojë një borxh publik i rritur. Muaji korrik nuk mund të jetë me suficit, pasi analiza e treguesve të tij flet qartë se shumë detyrime në krahun e shpenzimeve nuk janë paguar, janë mbajtur artificialisht në një nivel më të ulet se muajt paraardhës. Bllokimi i sforcuar i tyre ose mospagesa e fondeve sociale dhe investimeve të kryera, do të jetë një presion i rritur shpenzimesh në muajit pasardhës.  Treguesit e 7-mujorit japin një pamje më të qartë të keqpërdorimit elektoral të financave dhe për risqet e rritura deri në fund të vitit. Të ardhurat tatimore, që janë baza e të ardhurave buxhetore si 7-mujor, janë 14.7 miliardë lekë më pak.

 

Një mosrealizim i konsiderueshëm, i cili nëse vazhdon me këtë trend, e bën akoma më të vështirë pjesën e mbetur të vitit. Burimet kryesore të të ardhurave nga doganat dhe tatimet, që zëne rreth 77% të të ardhurave tatimore dhe rreth 70% të të ardhurave totale të buxhetit,  kanë mosrealizime të konsiderueshme. Në disa nga zërat me peshë, si TVSH dhe akcizat, mosrealizimi është mbi 10%. Dështimi duket i qartë edhe kur krahasojmë 7-mujorin 2013 me të njëjtën periudhë të vitit 2012. Gjatë 7 muajve të parë të vitit 2013 janë mbledhur 167 miliardë lekë krahasuar me 173 miliardë të mbledhura gjatë 7 muajve të parë të vitit 2012.


Në krahun e shpenzimeve treguesit e fshehur të deficitit e borxhit duken qartë. Shpenzimet për mirëmbajtjen në korrik janë rreth 40% më të ulëta se mesatarja e muajve të mëparshëm. Pagesat për papunësinë në korrik janë rreth 30% më të ulëta se në qershor e maj. Ndihma ekonomike nga 1.7 miliardë lekë në muajt e mëparshëm, në korrik është rreth 1.2 miliardë lekë, ose 30% më pak.  Në korrik investimet publike janë në nivelin më të ulët, nga rreth 6 miliardë lekë mesatarisht në 6 muajt e parë të vitit, në muajin korrik ato janë vetëm 2.5 miliardë lekë, ose 60% më pak se mesatarja e muajve të mëparshëm. Kjo vërteton rritjen e pagesave të pakryera ndaj biznesit, pra kemi rritje të borxhit ndaj kompanive private shumë më tepër se “suficiti” zyrtar i korrikut. Aktualisht pushteti vendor nuk mund të jetë fajtori i përkeqësimit të financave publike dhe as risku i stabilitetit të tyre. Pesha e tij është e vogël, si në zërin e të ardhurave me vetëm 3.7% e të ardhurave tatimore, ashtu dhe të shpenzimeve, me vetëm 6.9% e totalit të shpenzimeve. Të ardhurat totale në buxhet nga pushteti vendor janë planifikuar 12 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet ku përfshihen edhe grantet, janë rreth 29 miliardë lekë. Autonomia e tyre është cenuar rëndë, ato kushtëzohen gjithnjë e më shumë nga burime të varura dhe jo nga të ardhurat e tyre. Në kushtet kur raporti i shpenzimeve të planifikuara ndaj të ardhurave  është 2.4 herë (29/12), atëherë sipas nivelit të të ardhurave faktike me 6.4 miliardë lekë, si 7-mujor ata mund të shpenzonin rreth 15.4 miliardë lekë. Rezulton se kanë shpenzuar rreth 17.4 miliardë, ose rreth 2 miliardë lekë më shumë, diferencë që ose do të ulet nga përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave, ose do të përkeqësojë disa shërbime të cilat janë funksione bazë ose të deleguara të pushtetit vendor. 


Rënia e të ardhurave nuk duhet të “kompensohet” nga moskryerja e investimeve. Gjatë 7-mujorit 2013 janë realizuar nga totali i shpenzimeve më pak se 7 miliardë lekë. Ndërkohë rezulton se vetëm investime publike në këtë periudhë janë realizuar më pak se plani, 6 miliardë lekë.  Pra, “suficiti” nuk ka ardhur nga realizimi i të ardhurave, nuk ka ardhur nga kontrolli efektiv i shpenzimeve operative të qeverisë, por nga mospagesat e detyrimeve kryesisht për investime publike, çka bazuar në efektin e tyre në ekonomi është modeli më i keq i “mbajtjes nën kontroll të parametrave makroekonomikë”. Deri në fund të vitit qeveria duhet të paguajë shpenzimet bazë, ku pjesën më të madhe e kanë pagat dhe buxheti social, pensionet dhe përfitimet për asistencë sociale, papunësi e paaftësi. Përveç uljes së interesave të borxhit, shpenzimet e tjera të buxhetit kanë pak rezerva kursimesh apo shkurtimesh, prandaj do të jetë e vështirë që të ruhet niveli i deficitit dhe borxhit publik. Buxheti deri në fund të vitit duhet të paguajë rreth 115 miliardë lekë paga, pensione, politika sociale dhe mirëmbajtje dhe rreth 39 miliardë investime publike.

 

Njëkohësisht janë për t’u paguar edhe 27 miliardë lekë interesa, zë ku shpresohet deri në fund të vitit të ketë kursime  4-5.5 miliardë lekë.    Për të mos tejkaluar deficitin dhe borxhin ka pak mundësi, si disiplinimi i prokurimeve publike, blerjeve dhe investimeve, ndërsa bllokim ose mospagesa e tyre nuk duhen parë si opsion. Bllokimi aritmetikor i prokurimeve dhe investimeve apo mospagesa e tyre, sjellin efekte negative në ekonomi.  Është vështirë që mosrealizimet nga të ardhurat, të cilat do të thellohen, të mbyllen nga kursimet në zëra të ndryshëm të shpenzimeve të buxhetit. Në këtë situatë, rritja e deficitit dhe borxhit mbetet një opsion i detyrueshëm, ndoshta mbetet  zgjidhja më pak e keqe krahasuar me çdo zgjidhje tjetër.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama