Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

“Kur më lëshojnë ëndrrat…”

Shkruar nga: Besnik Mustafaj  
Botuar më: 11 vite më parë

Besnik Mustafaj
“Kur më lëshojnë ëndrrat…”

Fushata elektorale për 23 qershorin ka arritur tashmë një pikë shumë të lartë. Dhe, të gjitha shenjat janë se në dhjetë ditët që mbeten, temperatura elektorale do të vazhdojë të ngjitet. Siç ishte e pritshme, kjo fushatë, dukshëm më shumë se të gjitha fushatat elektorale të zhvilluara gjatë këtyre 22 vjetëve demokraci, është përqendruar në të ardhmen ekonomike të vendit. Udhëheqësit e dy partive të mëdha kanë hapur një thes përrallor premtimesh, për të ushqyer ëndrrën e shqiptarëve për mirëqenie. Pikërisht kjo mënyrë qasjeje ndaj realitetit ekonomik si nga ana e Berishës, ashtu edhe e Ramës, krijon pa dyshim një problem të madh. Premtimet e tyre ndryshojnë lehtësisht në shifra, por edhe në këtë pikë, Rama dhe Berisha duket sikur yshtin njëri-tjetrin për të shkuar larg e më larg nga një miting në tjetrin. Në paraqitjet e tyre ata kanë vetëm një ndryshim, i cili mund të konsiderohet deri diku parimor, e, si i tillë, do të meritonte vëmendje. Ky ndryshim është: “taksë e sheshtë” për Berishën, “taksë progresive” për Ramën.

Gjithsesi, ky dallim mbetet abstrakt, përgjithësisht i pakuptueshëm për votuesin e zakonshëm, qoftë ky edhe i vetëpunësuar me një biznes familjar. Pra, në thelbin e tyre, këto paraqitje janë mirëfilli listë e pambyllur premtimesh dhe jo programe zhvillimi, në kuptimin që ka kjo fjalë në terminologjinë e shkencës politike e ku shqiptarët do të mund të dallonin dy alternativa, një të majtë e një të djathtë për të ardhmen e vendit në katër vjetët që kemi përpara. Në këtë pikëpamje, del në pah një nga simptomat e rënda të pjekurisë së munguar të klasës sonë politike pas më shumë se dy dekadash pluralizëm.

Rama dhe Berisha premtojnë çdo ditë me një bujari princërore projekte prej qindra milionë eurosh. Por nuk shfaqin asnjë merak për të treguar se ku do t’i gjejë qeveria shqiptare këto fonde, ndërkohë që edhe të dhënat zyrtare, ato të INSTAT-it, të cilave gjithsesi u bëhet një makijazh, tregojnë se rritja ekonomike e vendit vetëm është rrudhur nga një tremujor në tjetrin. Dhe vazhdon të rrudhet përditë. Vendi nuk është ende në recesion. Por është gjithsesi në buzë të recesionit. Nuk duhet të jesh doemos ekonomist për ta kuptuar këtë fakt. Nga ana tjetër, si Rama, edhe Berisha, po me një bujari princërore premtojnë ditë përditë vetëm shkurtime apo edhe heqje fare të taksave, heqje akcizash, lirim nga TVSH-ja. Sikur çereku i këtyre premtimeve të mbahen, arka e shtetit do të pësonte një gropë tjetër të madhe.

Në një sondazh lidhur me fushatën në fjalë, zhvilluar javën e kaluar nga një kompani italiane e specializuar, 72.8 për qind e të pyeturve shpreheshin se këto premtime janë të parealizueshme pikërisht për shkak të mungesës së fondeve. Kjo e dhënë ka një lexim të shumëfishtë. Ajo tregon se opinioni ynë publik është mjaftueshëm i ditur sa të mos shohë ëndrra syçelur e të mos ngopet me lugë të zbrazët.

Nga ana tjetër, nuk u pa që kjo e dhënë të tërhiqte sadopak vëmendjen e udhëheqësve tanë. Shpërfillja e plotë e kësaj të dhëne nga ana e shtatmadhërive politike të dy partive kryesore e prish gjithsesi shijen e mirë që jep leximi i mësipërm. Kjo shpërfillje është në vetvete një shenjë e qartë arrogance nga ana e udhëheqësve tanë. Ata janë të bindur se vota nuk ndahet në përputhje me programet elektorale, por sipas disa kritereve të tjera, të cilat nuk janë politike, sigurisht. Në kulmin e krizës greke, diku dy vjet më parë, u shfaq në Athinë një aventurier si i dalë nga romanet e Aleksandër Dymas, i cili shpalli se dinte vendin ku ishin fshehur thesaret e Ali Pashë Tepelenës dhe nisi gërmimet.

Shteti dhe mbarë shoqëria e traumatizuar, siç u pa në kronikat televizive anembanë botës, besuan se po u realizohej një mrekulli që do t’i nxirrte nga humnera. Ky shembull tregon se koha e ëndrrave me mrekulli nuk është mbyllur me perëndimin e shoqërive primitive. Rrjedhimisht, Rama dhe Berisha duhet të na tregojnë me logjikë ekonomike se nga do burojnë ato miliarda euro që nevojiten për të realizuar premtimet e tyre, ndërkohë që do të pakësohen burimet për të mbushur arkën e shtetit. Ose të na gëzojnë me lajmin se janë në dijeni të vendndodhjes së thesarit të Ali Pashë Tepelenës. Përndryshe, ne jemi të detyruar të rrudhim buzët përpara premtimeve të tyre.

Shqetësimi se premtimet e tyre janë shumë jashtë realitetit përforcohet edhe nga disa paralajmërime thellësisht serioze ardhur nga guvernatori i Bankës sonë Qendrore javët e fundit. Nuk po flas për paralajmërimet e ardhura e të përsëritura nga FMN, Banka Botërore dhe institucionet e tjera financiare ndërkombëtare. Guvernatori i Bankës sonë Qendrore iu drejtua më në fund mbarë opinionit publik shqiptar e posaçërisht klasës sonë politike, e cila po fillonte shpalosjen e premtimeve elektorale. Pa nënkuptime, me një gjuhë të drejtpërdrejtë, guvernatori kërkoi uljen e borxhit publik si e vetmja rrugë për të shmangur krizën. Po ashtu, Banka jonë Qendrore bëri të ditur për qindra milionë euro, të gjitha kursime të shqiptarëve, të cilat janë nxjerrë nga Shqipëria nga bankat e nivelit të dytë për t’u investuar në vende të tjera. Bankat kanë, sigurisht, hallin e tyre për t’i dhënë vlerë parasë që mbledhin. Kjo ndodh në një kohë kur edhe kompanitë më serioze po ankohen publikisht për mungesë likuiditetesh. Edhe të keqen e këtij fakti mund ta kuptojë çdo votues shqiptar me shkollim mesatar. Dhe fakti i tretë, po në këtë vazhdë, është njoftimi se rritja e kreditimit të individëve apo bizneseve gjatë tremujorit të parë të këtij viti nga bankat në Shqipëri ka qenë zero. Mësohet se është hera e parë qysh nga viti 2002, kohë kur Banka Qendrore nisi monitorimin e kreditimit nga bankat e nivelit të dytë, që kjo rritje është zero.

Këto kambana alarmi të pazakonshme erdhën nga Banka Qendrore pikërisht këto ditë fushate. Megjithatë, edhe ato ranë në vesh të shurdhër. As Rama e as Berisha nuk u kushtuan as vëmendjen më të vogël. Madje as Bode si ministër i Financave dhe as ndonjëri nga ekonomistët socialistë nuk i zunë në gojë për mirë, as për keq. Si duhet ta kuptojmë ne, votuesit, që do të vazhdojmë të jemi qytetarë të këtij vendi edhe pas 23 qershorit, një heshtje të tillë? Shqetësimi i Bankës Qendrore është i kotë? Udhëheqësit tanë të sotëm, që do të jenë pashmangshëm edhe udhëheqësit tanë nesër, nuk e kuptojnë këtë gjuhë? Apo ata janë aq të papërgjegjshëm, sa nuk u bën syri dritë për gjë tjetër veç të fitojnë zgjedhjet? Në një këngë të vjetër tropojane thuhet: “Kur më lëshojnë ëndrrat, më kapin dhimbat”. Unë, që nuk jam trim, kam shumë frikë nga çastet kur njerëzinë e kapin dhimbat e zhgënjimit.

Për të folur seriozisht, do mbajtur parasysh se për një vend si Shqipëria, pa ndonjë peshë në zhvillimet globale, programi ekonomik do të duhej të përbënte aspektin thelbësor të fushatës elektorale për çdonjërën nga partitë në garë. Sa për kujtesë: para afro tri vjetësh Greqia shkoi në zgjedhje. Kryeministri i asaj kohe, Karamanlis, i humbi zgjedhjet. Por ai u tregua serioz me kombin e vet gjatë fushatës: nuk bëri asnjë premtim nga këto që dëgjojmë ne sot gjatë njëzet e katër orëve. Ai e dinte gjendjen financiare të shtetit. Por do besuar se gjendjen financiare të shtetit e dinte edhe Papandreu, që kryesonte opozitën. Megjithatë, Papandreu bëri premtime të mëdha, që do të thotë se ngjalli edhe iluzione të mëdha. Dhe pati atë fund politik që pati pa mbushur vitin në pushtet. Krahasimi nuk është identifikimi i dy realiteteve, na mëson Aristoteli 2400 vjet më parë. Por krahasimi jep rrugën më të shkurtër për të kuptuar më shpejt realitetin që ke para syve. Ky mësim i Aristotelit vlen edhe për shembullin që solla unë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama