Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Është fushatë dhe partitë kanë ngritur redaksitë e tyre gazetareske

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 11 vite më parë

Mustafa Nano
Është fushatë dhe partitë kanë ngritur redaksitë e tyre gazetareske

Edicionet e lajmeve dhe programet televizive talk show janë të dominuara tanimë nga politika. Madje, është politika që, në një masë a në një tjetër, ka nën kontroll qoftë lajmet, qoftë vetë programet talk show. Politikanët që ftohen në këto të fundit nuk është se kanë rënë dakord me moderatorin e programit. Jo, nuk është moderatori që zgjedh të ftuarit. Moderatori zgjedh vetëm temën; madje dhe këtë, jo gjithmonë. Ndërsa pjesëmarrësit në debatin e tij caktohen nga shtabet elektorale. Fjala vjen, për të ftuar Olldashin e Lamen në Opinion, ku pastaj patën një ménage a trois të dhunshëm e vulgar, Fevzo nuk foli drejtpërdrejtë me të ftuarit e vet; foli me drejtuesit partiakë të PR-it, dhe janë këta që vendosin se kush do të shkojë tek Fevzo e te kolegët e tij në televizione të tjera.

Kisha bërë në plan dhe unë që të ftoja politikanë në programin tim “Jamais Vu”, deri më 23 qershor. Por ma prishi “festën” Majlinda Bregu. Fola me të, siç më thanë se duhej të bëja, dhe këtu unë e pashë veten peng të saj për një copë herë. “Do të të marr unë në telefon”, më tha ajo. Në pritje që ajo të bëhej e gjallë, më merr në telefon një vajzë që më prezantohet si sekretarja e saj. Dhe më thotë: Ministrja do paraprakisht një strukturë të programit “Jamas Vu”.

“Çfarë? Strukturë të programit ‘Jamais Vu’?”, ia bëra unë. “Bëji të fala ministres dhe uroji shëndet të plotë nga ana ime”. Dhe me këtë i dhashë fund planit për të marrë politikanë në “Jamais Vu”. Nuk doja të isha peng as i Majlindës së PD-së, as i Majlindës së PS-së. Nuk kisha asnjë arsye që të isha peng i tyre.

Mirëpo kolegët e mi nuk mund ta bëjnë këtë që bëra unë. Ata kanë programe talk show të tillë, që e kanë të domosdoshme të kenë në studio politikanë dhe kandidatë për deputetë. E prandaj, ata do të vijojnë të bëjnë lojën e politikës, s’ka gjë se kësaj nuk i thonë gazetari. Nuk është gazetari të varesh nga Majlindat.

Mirëpo nuk kanë vetëm këta hall. Hallin më të madh e kanë gazetarët televizivë që merren me lajmet. Këtu dukuria e kontrollit politik është më e dukshme dhe më spektakolare. E keni vënë re që udhëheqësit e partive të mëdha, teksa janë nëpër tribunat e improvizuara elektorale, vetëm apo me krerët lokalë të partive të tyre, nuk bezdisen prej kameramanëve të shumtë të televizioneve shqiptare? Kush ka ndjekur transmetimet live të këtyre tubimeve elektorale nuk e ka pasur të vështirë të pikasë që fusha është e pastruar nga kameramanët e gazetarët. Madje, kush i ndjek këto transmetime live në televizione të ndryshme, mund të ketë pikasur që pamjet janë të njëjta. Me fjalë të tjera, është i njëjti film, që është prodhuar nga e njëjta regji. Nëse je duke ndjekur në televizionin “Oranews” një tubim të Berishës, ku ky i fundit kapet me shpinë, me shpinë do ta gjeni në atë moment edhe në ekranin e televizioneve “News 24”, “Top News”, “A1 Report”, ABC, etj. Është i njëjti sinjal pra që shpërndahet nga regjia e partisë për të gjitha televizionet. Çdo shtab elektoral ka një skuadër të fortë, ku bëjnë pjesë kameramanë, regjisorë, teknikë, etj., e që të gjithë bartin kudo që shkojnë një studio televizive, d.m.th pajisje ndriçimi, autobus apo minibus për regjinë, ekrane të mëdhenj ku shfaqen pamje të përgatitura filmike që shërbejnë si sfond për udhëheqësin që do flasë, etj., etj. Kushedi sa para janë harxhuar për të ndërtuar këto studio lëvizëse, e për të paguar stafin teknik që i monton e i çmonton ato nga njëri vend në tjetrin.

Televizionet nuk janë të lejuara që të filmojnë për qejf të tyre. Sigurisht, televizionet mund të filmojnë nga jashtë tubimit, mund të kapin pamje nga ndonjë lartësi, mund të rrinë në anë të veprimtarisë, mund të futen dhe mes njerëzve; kuptohet, nëse nuk dalin roje vullnetarë të namuzit të partisë që, nga frika se dikush mund të marrë pamje që synojnë ta fëlliqin këtë namuz, mund t’i pengojnë kamerat “armiqësore” të bëjnë punën e tyre. Por kjo e fundit mund të ndodhë e mund të mos ndodhë. Ndërsa një gjë është e sigurt që nuk mund të ndodhë: Kamerat nuk mund të filmojnë tribunën, nuk mund të ngjiten në tribunë, e nuk janë të lejuara të marrin pamje “pa autorizim” pranë foltores.

Kjo është arsyeja që tubimet elektorale në versionin “zyrtar” të tyre dalin të gjitha madhështore, me pjesëmarrje të jashtëzakonshme njerëzish, me brohoritje të vazhdueshme. Nëse shihni në TV ndonjë tubim modest, ku ka pak njerëz, ku entuziazmi është i vogël, e ku politikanët nuk shkëlqejnë në rolin e tyre prej tribuni, duhet të jeni të sigurt se nuk janë pamje të rreme e mashtruese. Jo, janë pamje reale, por janë marrë nga kamera të paautorizuara. Në fakt, këto janë kamerat që mirëfilltazi janë duke bërë një punë gazetareske. Ndërsa kamerat “zyrtare” janë në funksion të propagandës e të marketingut elektoral.

Siç shihet, është “sofistikuar” disi kontrolli editorial i transmetimit të ngjarjeve elektorale. Ju kujtohet se ç’ndodhte në zgjedhjet e shkuara? Partitë i filmonin po njësoj tubimet e tyre, por në vend të sinjalit të përbashkët të transmetimit që ato “ua dhurojnë” sot të gjitha televizioneve, atëherë jepnin një kasetë të tyren, ku kishin të gatshëm lajmin të përmbledhur në 2-3-4-5 minuta. Ishte një punë më gazetareske ajo e disa viteve më parë, pasi u duhej që ta formulonin lajmin. Por puna është se s’ishte hiç gazetareske ajo që bënin televizionet. Madje, ishte e turpshme dhe mund të thuhet qysh tani se ka hyrë në historinë e gazetarisë shqiptare si një nga njollat e mëdha të kësaj gazetarie. Televizionet para dy e katër vjetësh pra, respektivisht gjatë zgjedhjeve lokale e atyre parlamentare, nuk i bënin asnjë rezistencë presionit të partive për transmetimin, dhe i transmetonin ato siç ua servirnin. Sikur ndokush prej shtabit të partive të kish ngatërruar kasetën e tubimit elektoral me ndonjë kasetë porno, teleshikuesve do t’u duhej një copë herë për t’u ftilluar e për të kuptuar se nuk ishin ata që ishin sinkronizuar te channel X-i, por ish edicioni i lajmeve që po jepte një parantezë porno. Me rastin e zgjedhjeve.

Pak më sipër, unë përmenda termin sofistikim, por në të vërtetë nuk është fjala për ndonjë sofistikim, e prandaj e kisha në thonjëza. Në këtë fushatë, partitë po bëjnë të njëjtën gjë, por këtë herë duke shfrytëzuar urinë e televizioneve për të transmetuar live veprimtari të tilla politike. Kurrë më parë nuk ka pasur një uri të tillë. Është një uri që buron, ndoshta, nga uria e njerëzve për të ndjekur fushatën (kudo që të futesh, sheh televizorët të sinkronizuar në kanalet e informacionit non stop). Apo është e kundërta, janë televizionet me transmetimet live që e provokojnë këtë uri të njerëzve për të ndjekur fushatën hap pas hapi?

Me sa duket, është krijuar një rreth vicioz.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama