Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

SHBA E BËN TË VETËN, TANI ËSHTË RADHA JONË

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 12 vite më parë

Mentor Kikia
SHBA E BËN TË VETËN, TANI ËSHTË RADHA JONË

Ndryshe nga çka ndodhur më parë, mazhoranca dhe opozita, apo konkretisht Berisha dhe Rama, nuk i interpretuan bisedat që patën me sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, si mbështetje ndaj tyre dhe akuza për rivalin, siç ka ndodhur më herët me mesazhet e shumta të ndërkombëtarëve. Kjo për faktin se më mirë se kushdo, e dinë Berisha dhe Rama se çfarë u tha zonja Klinton në takimet respektive, të cilat nuk ishin aspak konsiderata dhe elozhe, por “urdhra” të pastra, jo diplomatike dhe të drejtpërdrejta. Të parit, për zgjedhjet e ardhshme dhe të dytit, për qëndrimin bllokues ndaj disa ligjeve për çështjen e integrimit. Megjithatë, ne e dimë se porositë e zonjës Klinton nuk do të ndikojnë në rrjedhën e ngjarjeve politike në Shqipërim dhe as në mentalitetin e politikanëve, pasi ata e kanë formuluar ndërkohë axhendën e tyre. Ajo që u vu re në këtë takim ishte se palët, konkretisht Berisha dhe Rama, nuk guxuan të deformojnë ato që ishin thënë në takimet ku gazetarët nuk ishin të pranishëm. Ata nuk guxuan të formulojnë njoftime shtypi me “përshëndetje e falënderime”.

Megjithatë, më e rëndësishme se bisedat me udhëheqësit politikë si në Tiranë ashtu dhe në Prishtinë, ishte fakti se zonja Klinton rikonfirmoi një qëndrim të palëkundur të SHBA-së në marrëdhëniet me shqiptarët. Deklarata e saj “Kemi qenë me ju 100 vitet e shkuara, do të jemi edhe 100 vitet e ardhshme dhe 100 të tjera pas këtyre” – mendoj se do të mbetet në kujtesën tonë kolektive dhe do të hyjë në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, si një premtim i çmuar i një vendi të madh ndaj një vendi të vogël. Sinteza e kësaj deklarate na konfirmon një të vërtetë tjetër të madhe. Atë, që marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara nuk janë pronë as e një qeverie e as e një lideri, as në SHBA e aq më pak në Shqipëri, ku kapadaillëku është një ves i hershëm. Kjo do të thotë se asnjë politikan nuk mund të pronësojë një miqësi kaq të madhe, asnjë qeveri nuk mund të shpërdorojë këtë marrëdhënie, duke thënë se është ajo garantja e kësaj miqësie. E mësuar të shpërdorojë dhe keqinterpretojë çdo deklaratë apo qëndrim që ka buruar nga faktori ndërkombëtar, kësaj radhe politika është e zhveshur nga këto mundësi. Sepse zonja Klinton ka qenë shumë e qartë në ato që i tha popullit na salla e deputetëve dhe ajo që u tha dy liderëve në zyrat e mbyllura.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë nuk janë të mira, sepse në qeveri është Sali Berisha, por sepse është një miqësi historike mes popujve dhe Shqipëria sot di t’u jetë mirënjohëse Shteteve të Bashkuara për gjithë mbështetjen. Shqipëria di të jetë mirënjohëse për rolin e SHBA-së në momentet vendimtare kur Shqipëria rrezikonte të mos ishte më. Shqiptarët dinë të jenë mirënjohës për rolin e SHBA-së në çlirimin e Kosovës dhe krijimin e shtetit të dytë të shqiptarëve në Ballkan. E gjithë kjo mbështetje nuk është lidhur kurrë me asnjë emër dhe asnjë qeveri, por është e lidhur me një popull të tërë dhe historinë e tij.

Zonja Klinton e rikonfirmoi këtë qëndrim, duke garantuar në Prishtinë paprekshmërinë e kufijve të Kosovës që janë përcaktuar njëherë e përgjithmonë, dhe në Tiranë, me mbështetjen edhe 100 vjet, e 100 pas tyre.

Këto tregojnë se 100 vjet pasi Shqipëria nisi rrugën e shtetformimit të parë në historinë e saj, erërat janë duke fryrë tërësisht në anën e saj. Kurrë më parë në historinë tonë nuk kemi qenë kaq shumë të privilegjuar, në mos të përkëdhelur do të thoshim. Në krah të fuqisë më të madhe politike, ekonomike dhe ushtarake të botës, pjesë e koalicionit ushtarak më të fortë të botës(falë mbështetjes së SHBA), me dy shtete shqiptare dhe një bashkësi shqiptare në rajon që është duke u formatuar gjithnjë e më shumë si faktor, shqiptarët kanë të gjitha arsyet të jenë në këtë jubile të pavarësisë në delir.

Por, duke iu rikthyer vizitës së zonjës Klinton dhe marrëdhënieve me SHBA-në, i vetmi problem në të këtë realitet mbetet klasa politike, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë. Ajo që SHBA-të nuk mund të bëjnë është të na qeverisin, të na bëjnë drejtësinë, apo të vënë rregull në mjedisin tonë kaotik. Këto duhet t’i bëjmë ne, që për fat të keq po mësohemi të presim që zgjidhjet të na vijnë nga jashtë. Për fat të keq dhe si pasojë e qeverisjeve të këqija, ne kemi edukuar zakonin që për çdo problem të pazgjidhur të trokasim në derën e ambasadës së SHBA. Edhe të pastrehët, edhe ish të përndjekurit, edhe opozita që ka vërejtje për zgjedhjet, edhe ish-pronarët, edhe ata që nuk e gjejnë dot drejtësinë, edhe ata që janë në burgje e kërkojnë të përfshihen në listën e amnistisë, kërkojnë që problemet t’ua zgjidhë Ambasada Amerikane.

Ajo për të cilën duhet të na vijë turp në këtë jubile të pavarësisë, është se ne nuk kemi ndërtuar ende një shtet të fortë, nuk kemi ende një drejtësi të besueshme, një klasë politike dhe politikanë të edukuar dhe të ndershëm. Dhe këto nuk mund të sillen me pako postare, as të imponohen me deklarata.

Ajo që ne të gjithë e dëgjuam ishte shpalosja e një mbështetjeje me përmasa historike që sekretarja Klinton i bëri Shqipërisë. Ajo që nuk e dëgjuam, por e mësuam, ishin kritikat e drejtpërdrejta që iu adresuan si kreut të qeverisë ashtu edhe kreut të opozitës. Ndërsa ajo që nuk e dimë ende, është nëse do të reflektojë klasa jonë politike, jo ndaj porosive të zonjës Klinton, por ndaj këtij mjedisi historik të favorshëm, për të shfrytëzuar në ndërtimin e një shteti modern e demokratik. Ne kemi nevojë për një klasë politike që t’i shërbejë vendit dhe popullit. Por këtë duhet ta zgjedhim ne. Këtë nuk mund të na e sjellin nga Uashingtoni dhe as të na e thonë të dërguarit e qeverisë amerikane. Tani është radha jonë të japim kontributin tonë për Shqipërinë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama