Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kjo histori që kemi mësuar ne…

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 12 vite më parë

Blendi Fevziu
Kjo histori që kemi mësuar ne…

“Kërkojmë që këta persona, kriminelë lufte, që kanë bashkëpunuar me okupatorin dhe kanë lyer duart me gjak të pafajshëm, t’i dorëzohen sa më parë qeverisë demokratike në Shqipëri dhe të vendosen përpara drejtësisë së popullit për krimet e tyre”. Ky është teksti shoqërues i një liste prej 79 personash që qeveria shqiptare i kërkon me ngulm nga Britania e Madhe dhe SHBA ende pa mbaruar Lufta e Dytë Botërore, më 23 janar 1945. Më poshtë vijon lista, i pari i të cilës ose, prijësi i saj, është Ahmet Zogu, ose Mbreti Zog i Parë. Po ç’lidhje ka Mbreti Zog me kriminelët e luftës? Ai u largua nga Shqipëria plot 5 muaj përpara se të fillonte Lufta e Dytë Botërore dhe që ditën e parë që një trupë okupatore pushtoi Shqipërinë?!

Si mund t’i kishte lyer duart me gjak shqiptari, përderisa, jo vetëm nuk ishte prezent në luftën vëllavrasëse, por e kaloi gjithë atë luftë në Londër, duke tentuar të ndërtojë aleanca në favor të çështjes së tij. Madje u bë gati të zbarkonte edhe në Shqipëri, por avioni me të cilin ai do të nisej u pengua, me gjasë, nga grekët, aleatët më të fortë të britanikëve që nuk e donin Mbretin nëpër këmbë. A mos ka bashkëpunuar ai me italianët duke u hapur rrugën për pushtimin e Shqipërisë? Kjo gjë nuk rezulton. Meqenëse gjendem në mes të punës për një libër historik që përshkruan 100 vitet e historisë së shtetit shqiptar, e kisha fare të thjeshtë të sillja këtu integrale, të paprekur, thirrjen që Mbreti Zog I u bëri shqiptarëve mbrëmjen e 6 prillit 1939, 7 orë përpara se trupat italianë të nisnin zbarkimin:

“Italia i ka bërë Shqipërisë disa kërkesa që, nëse do të plotësoheshin, do t’i hiqnin vendit tonë pavarësinë.

Unë dhe qeveria ime nuk do të pranojmë kurrë kushte të tilla që kanë për qëllim minimin e lirisë së fituar me gjakun e popullit. Përballë pushtimit, e ftoj popullin shqiptar të bashkohet sot, në këtë moment rreziku, të mbrojë sigurinë e vendit dhe pavarësinë e tij deri në pikën e fundit të gjakut. Unë jam i bindur se populli shqiptar, i vogël në numër por i madh në shpirt e guxim, do të dijë të tregojë ato ndjenja të larta nacionaliste që kanë frymëzuar atë dhe paraardhësit e tij.

I bindun që një komb i bashkuar në këtë frymë do të ketë mbështetjen e Zotit, u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të mos e humbin guximin dhe dashurinë për atdheun. Rroftë Shqipëria! Rroftë Populli shqiptar!

Zogu I, Mbret i Shqiptarëve, 6 prill 1939″.

Pra. Mbreti nuk e ka pranuar ultimatumin italian! Nuk ka pranuar ta dorëzojë pavarësinë e vendit të tij. Edhe pse zyrtarët më të lartë, përfshi komandantin e ushtrisë, e lanë atë natë. Ai qëndroi ende në Shqipëri, në Zemblak edhe disa orë dhe u largua drejt Greqisë më 9 prill, dy ditë pas pushtimit. A bëri mirë që iku? A mund të qëndronte? A mund të vritej për vendin e tij? Po, pa dyshim! Por askush nuk mund të akuzojë një njeri pse nuk gjeti kurajën të vdesë. Ai refuzoi të dorëzohet, refuzoi të shndërrohej në lolo siç u kthyen monarkë të tjerë europianë që u kapën nga gjermanët. Bëri atë që bëri edhe Mbreti grek kur gjermanët, shumë më të fortë, e shpartalluan Greqinë për 7 ditë, atë që bëri edhe monarku jugosllav. Kalkulimi i tij qe i gabuar dhe ai e pagoi këtë me karrierën e tij të mëvonshme politike. Mbeti jashtë zhvillimeve, vdiq, e gjendet ende i varrosur në një varrezë të Parisit.

Po a ka një rol të rëndësishëm Ahmet Zogu në konfigurimin, unifikimin dhe garantimin e një shteti shqiptar? Pa dyshim që po. Armiqtë më të mëdhenj të tij, si Ramiz Alia e Nexhmije Hoxha, deklaruan në shtyp se me të është tepruar. Është tepruar madje aq, sa Kongresi i Lushnjës, momenti më i rëndësishëm në historinë e shqiptarëve këta 100 vjet, ishte lënë thuajse në harresë pikërisht prej ndikimit që Zogu pati aty.

Po a duhet parë Zogu si një figurë me dritëhijet e tij? Pa dyshim që po? A bëri ai gabime dhe krime? Pa dyshim që po. Ai vrau kundërshtarët politikë, por edhe ata tentuan ta vrasin. Ai ndërtoi një shtet që mund të kish qenë ndryshe. Por ai ndërtoi një shtet shumë më të mirë sesa ai që ndërtuan pasardhësit e tij. Për këtë të gjithë historianët janë dakord, por kur vjen puna për ta parë historinë me realizmin që meriton dhe pa ndikimin e historiografisë komuniste, befas reagojnë.

Vende shumë më të zhvilluara se sa ne, kanë prodhuar tekste dhe qëndrime alternative, kanë hapur debate ku përfshihen historianë, gazetarë, njerëz publikë, dëshmitarë të kohës. Historia rishkruhet, edhe sepse materiali dhe dokumentet pasurohen, edhe pse qëndrimi ndaj protagonistëve të saj, në një moment të caktuar ka pasur më shumë ngarkesë ose më shumë vlerësim sesa meriton. Do të përdor për këtë si ilustrim debatin e ditëve të fundit, atë mbi Qemal Stafën. Ky i ri 20-vjeçar figuron ndër njerëzit më të formuar që themeluan Partinë Komuniste, më i thelli dhe i kulturuari ndër ta. Druaj se po të kish jetuar më shumë do kish përfunduar si shokët, përpara ndonjë toge pushkatimi. Mbase jo, mbase do të deformohej si Hoxha apo do të bëhej edhe ai vrasës. Por dyshoj se do të ndodhte kështu. Ishte njeri i ndjeshëm dhe mjaft idealist. Ai dha jetën në një moment që karabinierët shkuan të kontrollonin shtëpinë ku po rrinte fshehur bashkë me të fejuarën, Drita Kosturin. Drita e ka përshkruar atë moment, ishte duke lexuar poezitë e Xhakomo Leopardit kur dëgjoi trokitjet në derë.

Ai rezistoi sa të iknin tri vajzat dhe nuk iku si djali tjetër, Kristo Themelko. E vranë. Ai është dëshmor dhe një njeri, që ka flijuar jetën e tij për vendin që pa dyshim e desh. Po a ka një historian të rrëfejë se përse në historinë e Shqipërisë, flijimi i Qemal Stafës qenka më i rëndësishëm sesa ai i çdo dëshmori tjetër që po ashtu ka dhënë jetën për atdheun? Përse qenka më i rëndësishëm sesa Mujo Ulqinaku që qëndroi aty ku e kish caktuar detyra dhe nuk iku, siç bënë shumë kolegë të tij? Përse më i rëndësishëm se sa ata dëshmorë që dhanë jetën në vitin 1913 duke penguar marshimin grek drejt Vlorës, ku ishte qeveria e Ismail Qemalit apo ata dhjetëra dëshmorë që luftuan dhe u sakrifikuan për të çliruar Vlorën më 1920?! Cili është ndryshimi i Qemal Stafës nga këta? Ishte themelues i Partisë Komuniste, mund të thotë dikush. Po dhe për këtë PS ka një fondacion sot me emrin e tij; për këtë ai do të shënohet gjithnjë në historinë e PKSH-së e si dëshmor edhe në historinë e Shqipërisë.

Por që Dita e Dëshmorëve të Atdheut të lidhet me vrasjen e tij; që një shkollë, një bust, një rrugë, një lagje dhe stadiumi kryesor i Tiranës të mbajnë emrin e tij, nuk ka dyshim që është ekzagjerim. Po marr dy histori paralele. Qemal Stafa ra dëshmor. Edhe Mustafa Gjinishi ra dëshmor. Madje ra në luftë, ku kish dalë me vullnet dhe duke e njohur rrezikun. Të dy qenë themelues të Partisë Komuniste; të dy drejtues të lartë të saj. Madje, Gjinishi qe kthyer ne Shqipëri për të luftuar, po ashtu si Qemal Stafa që kish lënë studimet. Përse njëri ka gjithë këtë nderim e tjetri jo? Cili është dallimi në raport me atdheun mes tyre? Që njëri u nderua nga Enver Hoxha dhe tjetri jo?! Unë s’shoh asnjë dallim tjetër! Të dalë një historian dhe të argumentojë se përse Qemal Stafa duhet të ketë nga një rrugë dhe një lagje në çdo qytet të Shqipërisë, ndërsa 40 firmëtarët e aktit të pavarësisë, njerëzit të të rëndësishëm të këtij vendi, ata që duhej të ishin diku, kanë mbetur ende anonimë. Dhe për një arsye të thjeshtë se më shumë se 26 prej tyre u vranë, u dënuan ose u detyruan të largohen nga regjimi komunist.

A ka një historian që të ketë llogaritur nëse ka ndonjë rrugë në Shqipëri që mban emrin e tyre? A ka ndonjë rrugë që mban emrin e zëvendëskryeministrit të Ismail Qemalit, Preng Bibë Dodës? Një figurë mjaft kontradiktore, që duhet parë me të mirat dhe të këqijat e tij, por që në momentin e vrasjes në detyrë mbuloi me trup konsullin anglez Eden dhe u thirri vrasësve që i kishin dalë në pusi: mos qëlloni mbi të huajin se është turp! A ka ndonjë shkollë në Shqipëri që të mbajë emrin e kapiten Meleq Frashërit, që u vra në krye të detyrës për të mbrojtur shtetin të cilit i ishte betuar më 1922-shin? A ka ndonjë rrugë ose bust për Princ Vidin? Njeriun që u bë mbreti i parë i shqiptarëve dhe i vetmi në këta 100 vjet që u pranua nga të gjithë. E kundërta, ka ende një shkollë që quhet “Haxhi Qamili” në periferi të Tiranës dhe aty shkollohet brezi i ardhshëm i Shqipërisë.

Nuk ka dyshim që historia duhet rishkruar dhe do të rishkruhet gjithnjë, nga çdo brez. Ajo s’mund të jetë një dhe e padiskutueshme. Ky princip ideologjik mjeran i socrealizmit për fat të keq mban peng shumë nga ata që quhen ende intelektualë në Shqipëri. Mjafton sot një kërkim i thjeshtë në internet, për të kuptuar se historia shkruhet shpesh edhe me tekste alternative, në debat me njëri-tjetrin. Debati vetëm sa e pasuron atë. Sepse kam vënë re së fundi që kabllogramet britanike përdoren në mënyrë selektive, në funksion të idesë dhe si një e të pandryshuar. Për ta bërë më të kuptueshme këtë, po i qëndroj idesë se kabllogramet janë shpesh subjetike; Ato rrëfejnë një pjesë, por jo të tërën. P.sh, nëse një studiues i nesërm do të hapë kabllogramet e ambasadorit Uithers në Shqipërinë e 2008-s ai do t’i gjejë ato ndryshe nga kabllogramet e Ambasadores Ris në 2007-n. Dhe këtë ne e mësuam mirë edhe nga WikiLeaks-et.

Kështu vlen edhe problemi i Abaz Kupit. Ka plot telegrame që vijnë nga oficerë britanikë pranë Ushtrisë Nacionalçlirimtare që e akuzojnë atë që “duket” se po bashkëpunon me qeverinë shqiptare pro gjermane. Por ka po kaq kabllograme nga misioni pranë tij që e mohon këtë. Britanikët vendosën të mos e ndihmojnë atë, me idenë se në këtë mënyrë nuk konfliktoheshin me Enver Hoxhën, që ishte dukshëm fitues i luftës. Por britanikët vendosën dërgimin e një anijeje lufte për të marrë Abaz Kupin në Shqipëri dhe ky vendim, që gjendet edhe me shkrim, u mor jo nga një oficer, por nga një prej zyrtarëve më të lartë të Perandorisë Britanike. Siç mund të citohen kabllograme britanike ku komunistët akuzohen për bashkëpunim me gjermanët në Berat apo në Gjirokastër.

Ndaj, historia duhet rishkruar edhe për të gjitha këto. Duhet rishkruar edhe që fëmijët tanë të mos zhyten në atë llucë injorance ideologjike, që për fat të keq u zhytëm ne. Ose më mirë të thuhet, na zhytën ne…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama