Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Po të isha President…

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Po të isha President…

Kështu e kishte titullin (“Si j’étais Président”), andej nga fundi i viteve ’70 apo nga fillimi i atyre ’80, një këngë e francezit  Gérard Lenorman. Ajo më erdhi ndër mend krejt natyrshëm ngaqë jemi pikërisht në një periudhë ku shumë zhurmë po bëhet në mediat tona, pra, edhe në opinionin publik shqiptar, lidhur me zgjedhjen e pasardhësit të zotit Bamir Topi. Po nxitoj ta paralajmëroj lexuesin e vëmendshëm e të paanshëm të kësaj rubrike të përjavshme se, ndryshe nga ç’mund të pandehë ai, teksti i kësaj kënge nuk ka asgjë politike ose, më saktë, politikane. Sigurisht që këngëtari, duke iu drejtuar vetëm fëmijëve, shprehet fillimisht se po të ishte ai Presidenti i Republikës franceze, do të bënte çmos që asnjëri prej tyre të mos kishte më mendime të trishtuara, por, si përfundim, u thotë që të mos u shkojë mendja se ai mund të bëhet një ditë i tillë sepse “nuk është e nevojshme të jesh President i vendit që t’i duash fëmijët”.

Por, për hir të së vërtetës krejt lakuriqe (aq më tepër që tani moti po ngrohet dhe ajo nuk rrezikon të marrë ndonjë të ftohur), më duhet të pranoj që kjo këngë më erdhi ndër mend edhe për një arsye tjetër, të cilën po e bëj publike duke iu lutur lexuesit tim që të mos e konsiderojë këtë si mungesë modestie nga ana ime apo si dëshirë për karrierë politike (largqoftë!). Para pak ditësh, tek po kaloja udhës, dikush, një i panjohur, pasi më përshëndeti me një mirësjellje entuziaste, më tha: “O profesor, ti duhet të bëhesh President!”. Përgjigjja ime qe e menjëhershme: “Oh, zotëri, – ia ktheva me një mirësjellje jo aq entuziaste sa e tija, – më dashkeni të mirën! Çfarë mallkimi! Gjithsesi, falemnderit për dëshirën e mirë”.

Dhe vazhdova udhën. Dhe u krodha në mendime: Vërtet, po sikur dikush të propozonte që të bëhesha President, pra, kryetar shteti, ose edhe kryetar qeverie, ose edhe kryetar Kuvendi, ose edhe kryetar bashkie, dhe sikur kjo të ishte krejt e realizueshme e të ma mbushnin mendjen se duhej patjetër të pranoja, si do të veproja unë? Pasi e pleqërova një copë herë me vete këtë punë fort të ngatërruar, arrita në përfundimin që vijon:

Së pari, do të mblidhja gjithë familjarët e mi – grua, fëmijë, motra e vëllezër, kushërinj, krushq, shokë të ngushtë e miq të besës, dhe do t’i pyesja nëse do të ishin dakord që unë ta pranoja një nder, detyrë e barrë të tillë. Sigurisht që të gjithë këta do të lumturoheshin po të më shihnin në krye të vendit ose të qeverisë, ose të Kuvendit, ose të bashkisë. Pasi ta konstatoja këtë konsensus, do t’u deklaroja se do t’ua plotësoja dëshirën, por me tri kushte: 1) të gjithë familjarëve të mi – gruas, fëmijëve, motrave e vëllezërve –, kushërinjve, krushqve, shokëve të ngushtë e miqve të besës do t’u ndalohej me dekret presidencial ose qeveritar, ose kuvendor, ose bashkiak, të kishin privilegje, favore, ndere, me një fjalë të pasuroheshin padrejtësisht në kurriz të shtetit, popullit e shoqërisë; 2) të gjithë ata – ministra, zëvendësministra, prefektë, kryetarë komisionesh qeveritare, gjykatës e prokurorë, funksionarë e nëpunës të të gjitha niveleve – që do të shkelnin rregullat e vendosura për t’u bërë atyre privilegje, favore e ndere, do të ndëshkoheshin pa mëshirë; 3) në Kontrollin e Lartë të Shtetit do të krijohej, me urdhrin tim, një strukturë e veçantë që do të mbikëqyrte tërë veprimtaritë profesionale të të gjithë familjarëve të mi – grua, fëmijë, motra e vëllezër –, kushërinjve, krushqve, shokëve të ngushtë e miqve të besës; 4) në raste konkurrimesh për vende pune, tendera etj., etj. ku do të merrnin pjesë familjarë të mi – grua, fëmijë, motra e vëllezër –, kushërinj, krushq, shokë të ngushtë e miq të besës, do të zbatohej detyrimisht kriteri i diskriminimit pozitiv, d.m.th. për rezultate të barabarta nuk do të shpallej fitues familjari, kushëriri, krushku, shoku apo miku im, por tjetri, i panjohuri, ai që nuk do të kishte kurrfarë lidhjeje me mua, kryetarin e shtetit ose të qeverisë, ose të Kuvendit, ose të bashkisë.

Ka tmerrësisht të ngjarë që një pjesë e mirë e familjarëve të mi – grua, fëmijë, motra e vëllezër –, e kushërinjve, krushqve, shokëve të ngushtë e miqve të besës, të më merrnin për të çmendur dhe të largoheshin jo vetëm të zhgënjyer, por edhe të zemëruar me mua sepse, sipas tyre, nuk u paskam dashur të mirën atyre; gjithsesi, po me aq shumë gjasë, unë nuk do ta pranoja postin e kryetarit të shtetit, apo të qeverisë, apo të Kuvendit, apo të bashkisë.

Nuk do ta pranoja edhe për mjaft arsye të tjera, por, ende me jehonën në shpirt të këngës së Gérard Lenorman-it, dua ta përfundoj këtu këtë rravgim intelektual duke e siguruar lexuesin e vëmendshëm e të paanshëm të kësaj rubrike të përjavshme se për t’i dashur njerëzit e tu, nuk është e nevojshme të jesh as kryetar shteti, as kryetar qeverie, as kryetar Kuvendi, as kryetar bashkie.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama