Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Por…tokalle me rigon

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 12 vite më parë

Edmond Tupja
Por…tokalle me rigon

Ky shkrim nuk do të ishte ngjizur dhe aq më pak hedhur në letër sikur pardje, herët në mëngjes, të mos kisha takuar një zotëri te tregu i vogël fshatar, tri-katër minuta larg Bërrakës sime kryeqytetase. Ky zotëri fort i sjellshëm më pyeti aty për aty, me një kureshtje të papërmbajtshme përzier me një ankth cilësor, se kush do të zgjidhej, sipas mendimit tim, President i Republikës.

Mirëpo, ende disi i përgjumur dhe nën peshën e nxitimin stresues të çdo dite të re, i dhashë një përgjigje të vagullt, as mish as peshk pra, pak a shumë një përgjigje vegjetariane (siç do të uronin shumë shqiptarë që të ishte Presidenti i tyre ardhshëm, d.m.th. i tillë që, pavarësisht bindjeve apo simpative të tij politike, të mos mbante anën as të mishit, as të peshkut, d.m.th. as të shumicës, as të opozitës parlamentare). Gjithsesi, e ndjeva që përgjigjja ime e zhgënjeu, por, tek po ndahesha prej tij, vura re se në dorë mbante një qese me portokalle, sipër të cilëve prehej një tufë me rigon. “Eureka!” – mend klitha –, “E gjeta temën për shkrimin tim të së dielës te “Panorama”.

Vërtet, cili do të jetë Presidenti ynë i ardhshëm? Është folur, po flitet dhe do të flitet ende për disa kohë për Fatos Nanon, për Jozefina Topallin, për Ilir Metën, ndoshta edhe për dikë tjetër, madje qarkullon teza e një kombinimi apo kompromisi të tillë ndërpartiak që, me një farë gjase, Berisha ta mbyllë karrierën e tij politike duke marrë sërish postin në fjalë. Sidoqoftë, le t’i lëmë mënjanë parashikimet, sepse, siç thoshte dikur Presidenti francez, Jacques Chirac, “parashikimet janë të vështira, sidomos kur bëhet fjalë për të ardhmen”.

Për të qenë i sinqertë me lexuesin e vëmendshëm e të paanshëm të kësaj rubrike, më duhet të pranoj që pak më intereson se cili individ i racës shqiptare (homo albanens), pra, edhe i asaj njerëzore (homo sapiens), do të zgjidhet në postin e lakmuar të Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Përvoja e këtyre viteve të fundit, më saktë ajo mbas ngjarjeve të vitit të mbrapshtë 1997, dëshmon më së miri se te ne Presidenti i Republikës ka hapëset e kashtës, shprehje popullore kjo që, për brezin e ri duhet përkthyer pak a shumë kështu: Presidenti nuk ka ndonjë pushtet kushedi çfarë, meqenëse tash e tutje vendi ynë nuk është më një republikë presidentore, por kryeministrore.

Sidoqoftë, për çfarë shërben, në fund të fundit, një president në Shqipëri? Sipas mendimit tim gati-gati të gabuar (po t’u besoj miqve të mi, si Aqif Qifa, Françesk Armadhi e Vangjel Lezeti, të cilët në këtë pikë nuk janë dakord me mua), Presidenti te ne duket sikur nuk mund të jetë veçse një figurant – sigurisht madhështor – i cili ka për mision të mbajë a mbrojë përkohësisht ca ekuilibra të parashikuar, qoftë edhe në mënyrë të nëndheshme, nga pozitë/opozita që do ta zgjedhë atë me konsensus ose jo, pak rëndësi ka! Jo më kot, kur do të zgjidhej Presidenti i Republikës pas dorëheqjes së Berishës në vitin e mbrapshtë 1997, i mirënjohuri Kadare u shpreh në një intervistë televizive që e kam parë me sytë e dëgjuar me veshët e mi, se “një President Republike duhet të jetë disi i leshtë, d.m.th. babaxhan”. I leshtë, i pambuktë apo i mëndafshtë qoftë, Presidentit të ri do t’i duhet të luajë rolin e paraardhësve të vet, sigurisht me një sufler nga prapa.

Ky sufler mund të jetë pozita, opozita ose të dyja këto me radhë, një herë njëra, një herë tjetra! Por, lexuesi im mund të indinjohet e të më kthehet për të më thënë: “Zoti Tupja, po të jetë kështu siç mendoni ju, i bie që Presidenti i ri të jetë… të jetë pa personalitet!”. Përgjigjja ime mund të formulohet pak a shumë në këtë mënyrë: “Jo pa personalitet, por me personalitet të kontrolluar, madje të kontrolluar edhe nga faktori ndërkombëtar, i cili po bën përpjekje serioze, ndonëse jo rrallëherë të dëshpëruara, për të zgjidhur problemet shqiptaro-shqiptare të politikanëve tanë të nderuar deri në dhimbje tragjikomike.
Për këtë arsye, mendoj se, sot për sot, por ndoshta edhe sot për mot, parashikimet e lotos politike, në rastin tonë presidentore, janë të tëra, mbase me ndonjë përjashtim fort të rrallë, por…tokalle me rigon!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama