Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Por…et e Europës

Shkruar nga: Arben Rrozhani  
Botuar më: 13 vite më parë

Arben Rrozhani
Por…et e Europës

Dy ditë më parë në faqen zyrtare të Komisionit Europian, u publikua një video ku ministri i jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto dukshëm e shprehu bezinë ndaj llogaridhënies që autoritet shqiptare duhet tu japin partnerëve të tyre europianë për ngecjen e kursit të reformave në vend.

Në Shqipëri, debati më i madh është se si ishte shprehja e z.Haxhinasto: një pjesë mbështet tezën se Haxhinasto thotë me zë të ulët, duke nënkuptuar përfaqësuesit e BE-së se: “kush i duron pordhët e tyre”. Por ministria e jashtme këmbëngul se fjalia e thënë nga ministri Haxhinasto ishte “këto të nxjerrin poret e fytyrës”, duke patur parasysh kameramanët përballë.

A ishte ky moment një dozë e padëshiruar sinqeriteti nga ana e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, që mbetet në nivelin e një deklarate emocionale, apo ishte një keqkuptim i transkriptuesve të fonisë?

Derisa të sqarohet ky moment, për të cilin qeveria mund të ofrojë ndoshta edhe ekspertët e huaj, që kanë zgjidhur dilemat për video-skandalet në muajt e fundit, një gjë është e qartë si drita e diellit: përballja e autoriteteve shqiptare me përfaqësuesit europianë, gjatë punimeve të Komisionit për Asociim-Stabilizimin mes BE-së dhe Shqipërisë në Bruksel, ka qenë jo e lehtë dhe Shqipëria ishte në shënjestër të deklaratave të ashpra, që kishin në qendër konfliktin e zgjatur politik dhe standartin  e ulët të zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011.

Siç edhe është bërë e ditur përballja e autoriteteve shqiptare me zyrtarët europianë ishte e sikletshme, sepse si Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, apo i dërguari i baroneshës Ashton për krizën shqiptare Lajçak, reaguan ashpër për standardet jodemokratike të zgjedhjeve vendore në Shqipëri dhe mosplotësimin e kushteve të vëna nga BE-ja për Shqipërinë, që aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Europian.

Por edhe në këtë rast, nuk u tejkalua gjuha shumë e moderuar diplomatike, tipike europiane, që qeveria shqiptare e përkthen si një “këshillë” për të ardhmen e vendit. Dhe që në zhargonin popullor quhen pordhë dhe ai që i bën ato meriton të marrë vlerësimin “pirdh, pirdh se lirohesh”.

Në fakt, bezdia e dukshme në fytyrat e përfaqësuesve të Shqipërisë në Bruksel, tregon mentalitetin e qeverisjes së Tiranës, e cila tashmë pas rreth 6 viteve në pushtet, nuk duron as këshillat dhe sugjerimet jo më t’i vihen sanksione dhe t’i kërkohen përmbushje kushtesh. Dhe nga ana tjetër është tregues i impotencës të BE-së për të ndikuar te qeveria e Tiranës që t’u përmbahet standardeve demokratike dhe vlerave europiane, aq sa çdo fjalë e saj u përngjan qeveritarëve shqiptarë, si një pordhë pa erë, që nuk bezdis askënd.

Nëse do të pyesësh sot një shqiptar të thjeshtë, për sjelljen e burokratëve të Brukselit, apo ambasadorëve të huaj të akredituar në Tiranë, ai do të jetë po aq i bezdisur sa ministrat e Berishës, megjithëse vlerësimi bëhet nga pozita të kundërta: shqiptari i thjeshtë, që shikon  vitrinën e shkëlqyer të BE-së, ku sundon, ligji, drejtësia, demokracia, ku votohet dhe numërohet vota, ku kombet vetëm prosperojnë, nervozohet dhe i indinjuar mallkon BE-në dhe zyrtarët e saj, që kur vlen fjala për këto standarde në Shqipëri, mbyllin sytë dhe veshët, duke bërë qorrin dhe shurdhin.

Ndërsa qeveritari që kërkon medoemos të mos ndryshojë mënyrën dhe mentalitetin e qeverisjes, sepse vetëm kështu është përfituesi abuziv i pushtetit të pavotuar, nervozohet pse partnerët europianë herë pas here i kujtojnë kushtet e pambajtura të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të nënshkruar në 12 qershor 2006 dhe mospërmbushjen e pikave të progres-raporteve.

Për fat të keq, bezdia e treguar nga ministrat e Berishës në shtëpinë e Europës, është më se e vërtetë: Prej vitesh shqiptarët kanë pritur reagime burrështetasish nga Europa, por prej andej kanë ardhur vetëm ca pordhë, të lëshuara nga ca pordhacë të veshur si nëpunës të lartë të qeverisë së BE-së, prej të cilave kjo qeveri jo vetëm nuk ka pse tundet, po me to rron edhe 1000 vjet të tjera.

Kur qeveria e Berishës vodhi zgjedhjet dhe bëri maskaradën e 28 qershorit 2009, BE-ja iu bashkua vlerësimit të OSBE/ODIHR-it, duke thënë se zgjedhjet ishin një hap përpara krahasuar me zgjedhjet e shkuara dhe se mirëpriste bashkëpunimin e palëve për afrimin politik. Kur ky afrim jo vetëm nuk ndodhi, por futi Shqipërinë në krizën politike që ende vazhdon, Fyle dhe të tjerë dërgonin mesazhe bashkëpunimi, shpreheshin se ua linin në dorë zgjidhjen autoriteteve të përgjegjshme të Tiranës.

Kur në maj 2010, opozita u fut në grevë urie para selisë së qeverisë shqiptare, zyrtarët e BE-së bënë sikur lëshuan ndonjë pordhë për transparencën e zgjedhjeve parlamentare, kur dihet botërisht, se veç të tjerave, në 22 nga 66 qendrat e numërimit të votave, numërimi ishte i keq ose shumë i keq.

Dhe kur gjendja u agravua, nën kryesimin e Fyles dhe europarlamentarëve të tjerë, palëve politike iu shtrua një darkë në “Krokodil” dhe një axhendë bashkëpunimi dhe të pasuara nga ca deklarata, që ngjasonin me ca pordhë të djathta dhe të majta.

Edhe kur 6 muaj më parë, në 21 janar, qeveria shqiptare vrau katër demonstrues të pafajshëm dhe plagosi e dhunoi dhjetëra të tjerë, nga Europa e vlerave demokratike erdhën ca pordhë të tjera, edhe pse sot, ashtu si prej dekadash, nëse në një vend europian qëllohet mbi popullin ndodh gjëma dhe qeveria ikën menjëherë si vrasëse e paskrupullt.

Ende, sot, përveç një deklarimi të presidentit francez, Sarkozi, asnjë zyrtar europian nuk i ka dënuar vrasjet e janarit në qendër të Tiranës. Duke vazhduar me lëshimin në seri të pordhave, edhe për zgjedhjet e 8 majit 2011, kur vjedhja e zgjedhjeve, edhe pse publike, e dokumentuar dhe skandaloze, nuk ua preku nervin pordhacëve të BE-së, deklaratat e të cilëve tashmë, jo vetëm nuk kanë fuqi të rikthejnë në shinat demokratike qeverisjen në Tiranë, por perceptohen thjesht si një bezdi.

 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama