Shuhet Telat Agolli legjenda e cirkut shqiptar

Shuhet Telat Agolli, legjenda e cirkut shqiptar

Është shuar sot në SHBA një prej figurave më të shquara të cirkut në Shqipëri, Telat Agolli. Ai ka qenë ndër të parët artistë akrobatë i inkuadruar në Trupën e Estradës së Tiranë, në vitin 1952, si profesionist.

Telat Agolli lindi në 15 shkurt 1932 në Tiranë, mbaroi arsimin e lartë në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, ndërsa zhvilloi një vit kualifikim në për akrobaci në Kinë në 1960-1961. Kampion i vendit në gjimnastikë (viti 1954), kampion kombëtar absolut prej 20 vjetësh në ngritje peshe me 99 rekorde kombëtare, trajner sporti i klubit “17 Nëntori” dhe i ekipit kombëtar në ngritje peshe, ku u shqua për rezultate të larta në nxjerrjen e talenteve të reja e kampionë të ardhshëm në peshëngritje, si Ymer Pampurin Kampion Kombëtar dhe Olimpik, Bujar Bodinakun dhe Mirjam Hakanin, Kampionë dhe Rekordmenë Kombëtarë.

Ai u dënua nga sistemi komunist me motivacionin “Agjitacion dhe propagandë ndaj sistemit” (1976-1982), vit kur u lirua nga burgu. Më pas u kthye në cirk, duke dhënë kontributin më të madh në
ecurinë e mëtejshme të cirkut, në rolin e artistit dhe udhëheqës artistik.

Ai është nderuar me titullin Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i merituar i Sportit, Nder i Sportit Shqiptar (nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, në vitin 2000), Mirënjohje nga Komiteti Olimpik Shqiptar, Kupa dhe medalje të ndryshme, vlerësuese dhe simbolike, dhënë nga në spektakle e ceremoni sportive dhe artistike, Nder i Sportit të Peshëngritjes, viti 2010. Telat Agolli është nderuar gjithashtu me titujt e lartë Artist i Merituar (1969) dhe Artist i Popullit (1975), si dhe është nderuar me Mirënjohjen e qytetit të Tiranës nga Këshilli Bashkiak, për vlera të larta qytetarie dhe intelektuale, të vëna në shërbim të qytetit të Tiranës në vitin 2000.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama