Meta Importi i plehrave per te rihapur vende pune

Meta: Importi i plehrave per te rihapur vende pune

Nga qyteti i Shkodrës, Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta foli edhe për çështjen e importit të plehrave në Shqipëri.

Kryeparlamentari tha se ndan të njëjtin qëndrim me përfaqësuesit e shoqërisë civile, por u shpreh se qëllimi i këtij projektligji nuk është për të sjellë mbetje të rrezikshme, por për të rihapur vende pune, të mbyllura që nga miratimi i ligjit për mbllokimin e importit të mbetjeve.

“Ndaj të njëjtin shqetësim me të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile lidhur me sensibilitetin e krijuar, por është e qartë se qëllimi nuk ka qenë dhe nuk është aspak për të lejuar mbetjet e rrezikshme për të hyrë në Shqipëri, por për të rivënë në punë mijëra punëtorë që prej dy-tre vitesh nuk po punojnë në industrinë riciklueshme e cila për shkak të ligjit që u miratua në fillim të kësaj legjislature bllokoi çdo lloj importimi. Kuptohet që ky shqetësim i shoqërisë civile nuk vjen nga iniciativa që është ndërmarrë por nga shqetësimi se kjo bazë ligjore, e cila duket e rregullt, mund të shërbejë për të sjellë në mënyrë abuzive, jo transparente dhe të paligjshme, mbetje të rrezikshme apo problematike të cilat mund të cenojnë mjedisin e vendit tonë”.

Meta tha se projektligji i propozuar nga Petrit Vasili, ku parashikohet që edhe organizatat e shoqërisë civile të kenë të drejtën e monitorimit në pikat doganore për mbetjet që do të importohen për t’u përpunuar në vendin tonë, është një konpromis shumë i përshtatshëm për t’i dhënë zgjidhje të dyja çështjeve, shkruan Tv Klan.

“Ndaj në këtë drejtim unë do të thosha se amendamenti i paraqitur nga z.Vasili është një kompromis shumë i përshtatshëm për t’i dhënë zgjidhje të dyja çështjeve të cilat nuk janë antagoniste me njëra-tjetrën. Pra, edhe që këta mijëra punëtorë të kthehen në punë për shkak se janë disa dhjetëra milionë euro investime në këtë industri ricikluese, por njëkohësisht për të garantuar këtë shqetësim të shoqërisë civile dhe këtë mosbesim të thellë që ata kanë se ligji do të zbatohet në mënyrë të drejtë, të garantohet një akses dhe prezencë e plotë e shoqërisë civile që merret me mjedisit dhe që është e specializuar në këtë fushë, në të gjithë këtë proces zbatimi të këtij ligji”, tha Meta.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama