Garantojme sigurine e ekipit mik. Fitorja me e madhe ajo jashte fushes

'Garantojme sigurine e ekipit mik. Fitorja me e madhe, ajo jashte fushes'

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka bërë të ditura masat e marra për ndeshjen Serbi-Shqipëri. Në një deklaratë për mediat, Tahiri tha se  policia ka marrë të gjitha masat për të garantuar qetësinë dhe sigurinë para, gjatë dhe pas ndeshjes mes dy Kombëtareve. Tahiri theksoi se 2300 forca policie janë angazhuar në Tiranë dhe në Elbasan si dhe janë në dispozicion të gjitha mjetet që disponon Policia e Shtetit për të ndërhyrë në çdo rast të cenimit të sigurisë.

“Policia Kufitare ka marrë masa në çdo pikë kufitare për monitorimin e kalimit të të gjithë shtetasve, veçanërisht të atyre që kanë për qëllim udhëtimi ndjekjen e ndeshjes nesër.  Në këtë kuadër, është shkëmbyer informacion intensiv me partnerët në rajon dhe BE, si dhe me FSHF, UEFA dhe FIFA, për hartimin dhe monitorimin e listës së personave të cilët kanë precedentë të mëparshëm për akte të dhunshme ose akte huliganizmi gjatë aktiviteteve sportive. Kjo listë është në dispozicion të Policisë Kufitare dhe të të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit në terren, për moslejimin e hyrjes në Republikën e Shqipërisë, e në rast se kanë hyrë më parë apo jetojnë këtu, për monitorimin konstant, e në të gjitha rastet, për ndalimin e hyrjes në mjediset e stadiumit “Elbasan Arena” dhe mjediset në afërsi. Janë marrë masat maksimale për garantimin e sigurisë për ekipin mik. E në këtë kuadër, një pjesë e Repartit RENEA, bashkë me një pjesë të Policisë së Shtetit është e angazhuar eksluzivisht për këtë qëllim. Në total, për garantimin e ndeshjes nesër, do jenë të angazhuara mbi 2 300 forca policie, kryesisht në Tiranë dhe Elbasan, ndërkohë që do të jenë të gjitha mjetet dhe infrastruktura në dispozicion”, tha Tahiri.

Kreu i Ministrisë së Brendshme kërkoi bashkëpunimin e çdo qytetari, për të bërë të mundur që ndeshja e së enjtes mbrëma të kthehet në një provë të qytetarisë, pavarësisht rezultatit. Tahiri theksoi se sfida më e madhe mbetet ajo jashtë fushës dhe ftoi qytetarët të bashkëpunojnë me organet e rendit lidhur me çdo informacion që ka të bëjë me kërcënimin e sigurisë gjatë 24 orëve të ardhshme.

“E nesërmja është vetëm një ndeshje futbolli. Ndeshja më e rëndësishme është ajo jashtë fushës. Aty kemi të gjithë një rol për të luajtur. Çdo qytetar i ndërgjegjshëm ka një rol për të garantuar që kjo ndeshje futbolli të jetë realisht vetëm kaq, një ndeshje e denjë për Shqipërinë dhe futbollin tonë.

Jashtë fushës, sfida më e madhe është të bëjmë të mundur t’i japim Kombëtares tonë festën e qytetarisë. Të përpiqemi të gjithë bashkë për të ruajtur vlerat tona.

Brenda fushës fiton futbolli dhe loja. Fitorja më e madhe është ajo jashtë fushës. Çdonjëri prej nesh ka një rol kyç për të luajtur. I bëj thirrje çdo qytetari të bashkëpunojë me Policinë e Shtetit për çdo informacion që mund të kërcënojë atmosferën para, gjatë dhe pas ndeshjes, duke mbështetur Kombëtaren dhe duke respektuar skuadrën mike, por mbi të gjitha duke respektuar vlerat tona si shqiptarë”, tha ai.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama