Deep Purple Legjenda zbret ne Tirane

Deep Purple, Legjenda zbret në Tiranë
Atëherë kur shumëkush mund të mendonte se djemtë e bandës së njohur të rockut humbën, ata u rikthyen sërish. Tani, jo vetëm si mitet e dikurshme, por si një prej atyre ëndrrave të prekshme, që janë tjerrë në mendjet dhe dëshirat e fansave të çmendur që në vitet ’70. Asokohe “Deep Purple”, ishin më të mirët, bënin rock të fortë, energjik dhe përtej kufijve të ekzaltimit. Ndërsa në Amerikë banda e njohur e djemve të “Deep Purple”, ishte kthyer në një uragan të pandalshëm, buja dhe tingujt e kitarave qaramane kishin arritur edhe në veshët e shqiptarëve përmes “korridoreve” të paligjshme ku dëgjohej muzikë: radiot e huaja. Dhe kur fati u trokiti në derë duket se shqiptarët nuk e patën këtë fat. Vetëm një vit gjysmë më parë Deep Purple në turneun e tyre në Evropë, patën një ndalesë plot 15 ditore edhe në Ballkan. Gjithçka nisi në Qipro, më pas në Greqi dhe Maqedoni, por kur shumë hamendësuan se ata mund të shkelnin edhe tokën shqiptare, ata u kthyen nga kishin ardhur. Shqiptarët, shumë prej tyre të shkrumbuar nga ëndrrat e tyre të pritjes së gjatë, tani më në fund do t’u duhet të dëgjojnë tingujt e harlisur të kitarave, ato këngë që i kanë kënduar heshtur, tani mund ti këndojnë me zë të lartë.

Kur dëgjohej muzikë fshehurazi
Në mbrëmjet e gjimnazit, adoleshentët dëgjonin dhe kërcenin si të ekzaltuar muzikën e çmendur të grupit “Deep Purple”. Çdo hap që kërcehej, çdo tingull lidhej me një kujtim, tek bankat e shkollës dhe muret e pallateve, mbi të cilat shkruhej emri i bandës së njohur. Shumë prej të rinjve asokohe në atë magnetofonin e vogël të marrë hua, dëgjonin fshehurazi muzikën e ndaluar, tingujt që i bënin të mblidheshin përnatë në konvikte për të ndezur adrenalinën. Sot, mund të duket e pabesueshme të kërcesh në një mbrëmje vallëzimi me tingujt që ofrojnë “Deep Purple”, por në ato kohëra gjithçka ishte e mundshme. Duke “dhunuar” ato instrumenta të traditës që gjendeshin në atë kohë në duart e shqiptarëve, ata përpiqeshin të prodhonin sadopak tingujt që adhuronin. Për të nxjerrë nga telat e kitarës atë vajtim elektrik që prodhonte drithërima e kitarave të grupit “Deep Purple” djelmoshat e kryeqytetit do të eksperimentonin gjithçka, edhe pse ai tingull i magjishëm mund të quhej veçse një ëndërr. Madje edhe sot, kur ethet e pritjes kanë nisur, nostalgjikët luajnë me kujtimet e tyre. Gjithkush, prej asaj plejade që e dëgjonte fshehurazi muzikën e ndaluar dikur, sot mallëngjehet teksa në sirtar gjen atë kasetën e zverdhur nga qëndrimi i gjatë mes sendeve të vjetra. Ca postera të stërmëdhenj mbi të cilat ishin gdhendur ata, perënditë e pavdekshme të rokut. Dhe nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe, ata fansa të çmendur që dikur do të kishin dashur të kishin qenë jashtë Shqipërisë, për të dëgjuar live përtej mureve të stadiumit piskamën e kitarës, tani mund ta dëgjojnë atë shumë më afër. Një ëndërr pranverë në Pallatin e Kongreseve, edhe pse akustika nuk mund të prodhojë atë misticitet që mbush stadiumet, “Deep Purple” do të jenë në Tiranën e fansave të tyre të harruar.

Identiteti unik
Plot 30 vjet që nga krijimi, Deep Purple mbeten një ndër grupet më të rëndësishëm të muzikës hard rok jo vetëm të viteve ’70, por edhe të gjithë historisë. Ata janë të parët që sollën në publik ritmet rok, me anë të një virtuoziteti dhe kapaciteti të pastër teknik, duke u kthyer në grupi që bëri revolucion në epokën e atëhershme. Në fillimet e tyre, secili nga pjesëtarët e grupit ishte një nga ato banda që nisi të lëvronte dukshëm muzikën Blues dhe Rock and Roll, që më pas u fokusua, aty ku të gjithë dëshironin. Në maj të vitit 1965, një bandë me emrin Episode Six tërhoqi vëmendjen e publikut në skenën e rokut anglez. Formacioni përbëhej nga Ian Gillan si vokalist, Graham Dimmock e Tony Lander në kitarë, Roger Glover në bas, Sheila Dimmock në tastierë dhe Harvey Shields në bateri. Vetëm dy vjet më pas lindi banda The Flowerpot Men dhe Garden. Më vonë teksa djemtë e grupeve të tjera po ndaheshin nga grupet e origjinës, më në fund ata vendosën të bashkohen në një bandë tjetër, që do të mbante emrin “Deep Purple”. Kështu u quajt edhe kënga e tyre prezantuese. Në tetor të vitit 1968 pati një sukses të madh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me singëllin “Hush”, që u bë më pas pjesë a albumit “Shades of Deep Purple”. Vitin pasardhës ata patën sërish dy albume të tjera, madje suksesi i volumit erdhi në sajë të një bashkëpunimi që patën me një orkestër simfonike. Pas kësaj epoke grupi do të fokusohej drejt një muzikë më kreative, një rok i fortë, që nuk ishte gjë tjetër veçse një shtysë për të shkuar tek Heavy Metal, aty ku u bazuan grupe të njohura si Black Sabbath. Në këtë kohë nisën edhe ndryshimet, konkurrenca u bë më e fortë teksa në treg hyn formacioni britanik Led Zeppelin. Duket se prania e Ritchie Blackmore në bandë do të shënonte një arritje që do të vlerësohej, sidomos gjatë periudhës së bashkëpunimit me Jon Lord. Ai eksperiemtoi me organon e famshme Hammond në amplifikator dhe kitarën elektrike Marshall, tinguj që u konsideruan si skaji i botës. Por, me ikjen e Blackmore, që u quajt edhe fytyra e grupit, djemtë u ndien më të plogësht dhe banda pothuajse nuk kishte prodhimet e mëparshme muzikore. Pas një pauze të gjatë grupi rimori veten në vitin 1984, ku gjatë transmetimit radiofonik The Friday Rock Show në BBC, konfirmuan bashkimin. Pas këtij momenti triumfet e njëpasnjëshme nisën me turne që thyen rekorde shitjet, ku më kulmuesi ishte “Slaves & Masters”. Edhe pse pas këtyre viteve grupi pati një rënie të dukshme në tregun muzikor, qoftë edhe përfaqësimi me single, bëri të mundur që “Deep Purple” të mos shuhej. Ky rikthim ishte më triumfues se kurrë në vitin 2005 kur në koncertin “Live 8” të organizuar nga G8, ata treguan se poshtë lëkurës së plakur, fshinin zërin dhe energjinë e 30 viteve më parë.

Olsi Kolami - Revista Mapo

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama