Në Shkodër mbyllet java e karnavaleve “Karbavale 2007” me mbrëmjen "Gala"
Mbrëmja "Gala me maska" që mbylli dhe aktivitetet një javore të festës tradicionale "Karnavale 2007" në qytetin e Shkodrës ka mbajtur "mbërthyer" deri në orën 04:00 të mëngjesit të së mërkures, në mjediset komode të "Grand Hotel Europa", një numër të madh artdashësish jo vetëm nga Shqipëria, por edhe të huaj, të cilët kishin ardhur enkas për të ndjekur këtë program.
Koordinatori i "Creative City", Armando Lohja, duke vlerësuar organizmin e "Karnavale 2007", thotë se në vitet e ardhshme kjo festë do të ketë surpriza të tjera, të cilat synojnë ta shndërrojnë Shkodrën në një Rio të vogël braziliane.
Stafi organizativ i "Creative City", në bashkëpunim me shoqatën "Illyricum" dhe "Arlecchino sh.p.k", pasi kanë përcjellë emocione për një javë me radhë, me një sërë aktivitetesh, u ndalën me mbrëmjen "Gala me Maska 3 alla GRANDE". Një mbrëmje e tillë tashmë po bëhet tradicionale në qytetin e Shkodrës dhe vlerësimet për organizimin e saj nuk kanë munguar të citohen dhe në mediat e huaja.
E veçanta e spektaklit përmbyllës të festës "Karnavale 2007" ka qenë spostimi i saj në mjediset komode të "Grand Hotel Europa" në Shkodër, ku pjesëmarrja ka qenë e madhe, kryesisht shtresa intelektuale, përfshirë dhe përfaqësues nga trupi diplomatik e nga shoqata të huaja që operojnë në qytet, si dhe të ftuar të shumtë nga kryeqyteti.
Në këtë mbrëmje tërhiqnin vëmendjen edhe autoritete të ardhura nga jashtë vendit, si drejtori i Muzeumeve të Francës, Paskal Hamon, shefja e Prohelvetia për gjithë Ballkanin, Petra Bischof, vlerësimet e të cilëve kanë qenë maksimale për gjithë aktivitetet e organizuara në Shkodër, në kuadër të javës "Karnavale 2007", i vetmi aktivitet i këtij lloji që zhvillohet me përmasa të tilla në Shqipëri.
"Gala me maska" filloi në orën 20.00 të mbrëmjes së djeshme për të vazhduar deri pas orës 04.00 të mëngjesit të sotëm, ku përveç alegrisë qytetare shkodrane, u mirëprit dhe interpretimi i këngëtarëve të mirënjohur Vikena Kamenica dhe Sindrit Bejleri, të cilët ditën të përfshiheshin në humorin shkodran. Interesi i banorëve ka qenë aq i madh sa nuk mungonin kostume të ardhura nga vende të ndryshme të Europës, deri nga Amerika, por edhe Brazili.
Mjaft i entuziazmuar për festimet e karnavaleve të këtij viti u shpreh dhe aktori i mirënjohur Zef Deda, protagonist i spektakleve të organizuara me rastin e kësaj feste.
"Kam kënaqësinë e madhe që e shoh Shkodrën të paraqitet në këtë mënyrë", u shpreh aktori Deda, i cili në këtë mënyrë, kërkon të shprehë vlerësimet e tij për gjithë aktivitetet e organizuara në javën e karnavaleve, duke filluar me programin "Tre netët magjepëse" në lokalin "Tradita" e për të vijuar më pas në xhiron tradicionale të qytetit dhe me spektaklin përmbyllës të organizuar në "Grand Hotel", që shënoi dhe suksesin kulmor të kësaj feste.
Në të njëjtën kohë, aktori Deda vlerëson dhe pjesëmarrjen masive të qytetarëve shkodranë, të atyre që ishin në rolin e spektatorit. "Pashë një dyndje të madhe në shesh. Si asnjëherë banoret donin ta shijonin nga afër festën e karnavaleve, duke pasur një përgatitje private, me të gjithë pjesëtarët e familjes, për t'u ekspozuar në publik me mbulimin e maskave", thotë më tej Deda.
Por këtë vit mungoi djegia në shesh e "dordolecit", i cili ka qenë elementi i fundit i festës. "Nga ana e organizatorëve është vendosur të hiqet një element i tillë", vazhdon aktori Zef Deda. Sipas tij, në asnjë vend të botës, gjatë festimit të karnavaleve, nuk vihet re një element i tillë, kështu që dhe në festimet tona kjo nuk do të aplikohet. Nga ana tjetër, protagonistët e "Karnavale 2007" nuk kanë lënë pa shigjetuar me numrat e tyre dhe fenomene të papajtueshme ne shoqërinë shqiptare.
"Shkodra, po e tregon më së miri traditën e mirëfilltë që ka në këtë fushë, duke konfirmuar frymën perëndimore të vetë qytetarëve në përgjithësi. Aq me tepër që kjo është një feste popullore dhe me traditë në qytetin e Shkodrës", thotë koordinatori i shoqatës "Creative City", një nga organizatoret kryesorë të aktivitetit "Karnavale 2007".
Ajo që tërheq vëmendjen, shton zoti Lohja, është se këtë vit pjesëmarrja e qytetarëve në festën me maska ka qenë e madhe, duke treguar se kjo festë nuk është më pronë e disa lagjeve të vjetra dhe me traditë të qytetit. Vërshimet e karnavaleve këtë vit kanë ardhur nga të gjitha lagjet e qytetit duke veçuar sidomos grupet e kalorësve të lagjes "Kiras", në breg të liqenit të Shkodrës.
Por, në të njëjtën kohë, sipas zotit Lohja, ndryshe nga viti i kaluar, këtë radhë ra në sy dhe konkurrenca kostumografike, ku krahas atyre që vë në dispozicion shoqata "Arlecchino sh.p.k", e cila ofron për pjesëmarrësit kostume të shekullit 18-të, u evidentua dhe një përkujdesje, një tendencë e madhe individuale nga vetë qytetarët për të siguruar një kostum sa më të bukur.
Lohja, thekson se "merita kryesore e të gjithë aktiviteteve dhe spektakleve të organizuara në kuadër të karnavaleve i takon Edmond Angonit, drejtues i "Arlecchino sh.p.k", i cili ka vënë në dispozicion të gjitha prodhimet e fabrikës së maskave që ai drejton në shërbim të kësaj feste. Prodhimet e kësaj fabrike, janë të një niveli shumë të lartë dhe furnizojnë tregjet më kryesore të Italisë dhe kjo është mjaft e rëndësishme".
Ai shton se në vitet e ardhshme, festa e karnavaleve do të jetë edhe më spektakolare, për t’i dhuruar qytetit të Shkodrës surpriza të tjera, në sajë të elementëve të tjerë, siç janë ato të karroseleve që shoqërojnë karvanet e karnavaleve, dhe shumë risi të tjera. "Te gjitha këto do të ndikojnë në rritjen e vlerave të festes së karnavaleve, synimi i së cilës është që ta kthejnë Shkodrën në një Rio të vogël braziliane", përfundoi Lohja.
Marre nga : Koha Jone