Studimi Kush flet me shume se nje gjuhe partner me i mire

Studimi: Kush flet me shume se nje gjuhe, partner me i mire

Fenomen – Është vërtetuar shkencërisht se njerëzit që flasin shumë gjuhë, janë më inteligjentë, më kreativë dhe më të ndjeshëm sesa ata që flasin vetëm një të tillë. Nëse dikush flet shumë gjuhë, kjo ka më shumë se një plus. Të shprehesh në gjuhë të tjera është diçka deri diku tërheqëse. Por jo vetëm kaq.

Është vërtetuar shkencërisht se njerëzit që flasin shumë gjuhë, janë më inteligjentë, më kreativë dhe më të ndjeshëm sesa ata që flasin vetëm një të tillë. Të flasësh në realitet disa gjuhë do të thotë të shprehesh në më shumë se një gjuhë pa probleme.

Shumëgjuhëshmëria e bën trurin më të fortë e më të shpejtë

Një studim nga Italia ka marrë në shqyrtim për shtatë muaj aftësitë konjitive të fëmijëve të vegjël. Gjysma e fëmijëve kishte një ambient njëgjuhësor dhe gjysma tjetër, jo. Rezultati ishte i qartë: fëmijët që rriten me më shumë se një gjuhë, kanë zhvilluar dukshëm aftësi konjitive më të forta.

Fëmijët shumëgjuhësorë, nga ana tjetër, mund t’u përshtateshin më shpejt situatave të reja dhe të rriteshin e zhvilloheshin më shpejt sesa fëmijët që rriteshin me një gjuhë.

Ndërkaq, në një artikull të “New York Times” thuhet se ndryshimi i madh mes njerëzve që zotërojnë një dhe atyre që zotërojnë dy gjuhë, është një aftësi më e mirë për ta perceptuar më mirë ambientin që i rrethon.

Dygjuhëshit në përditshmërinë e tyre duhet të vërtiten shpesh mes dy gjuhëve. Kjo duket si jo problematike dhe fare e natyrshme për t’u kaluar, pasi aty truri në çdo kalim që bën nga njëra gjuhë te tjera, kryen e përballon një volum të madh pune. Pasojat: njerëzit bilingualë janë më të vëmendshëm.

Shumëgjuhëshmëria të mbron nga Alchajmeri

Një studim i Universitetit të Kalifornisë ka dalë në përfundimin se sëmundje si Alchajmeri (Alzheimer) apo Demencia (humbja e kujtesës) te njerëzit shumëgjuhësh vërehen dukshëm shumë më vonë – sipas NPR (National Public Radio) me një mesatare prej rreth katër vjet e gjysmë më vonë sesa te bashkëmoshatarët e tyre njëgjuhësh.

Si arsye për këtë, shkencëtarët shohin “trainingun”, që truri kryen gjatë procesit të kalimit nga njëra gjuhë te tjetra.

Kush mendon në shumë gjuhë, është më kreativ

Të flasësh shumë gjuhë e bën trurin jo vetëm më të shpejtë dhe më të fortë, por edhe më kreativ. Një studim i Shkollës së Strathclyde për Shkencat Psikologjike dhe Shëndetit testoi 120 nxënës, të cilët ishin pjesërisht një e pjesërisht shumëgjuhësh, për të parë se si i zgjidhnin ata detyrat e situatat problematike.

Rezultati i qartë ishte se: fëmijët dygjuhësh i zgjidhnin problemet dukshëm në mënyrë më kreative dhe tregonin aftësi më të mira kombinative. Shkencëtarët nga eksperimenti i tyre arritën në përfundimin se fëmijët, të cilët qysh të vegjël mësojnë një gjuhë të dytë, janë më të aftë të kuptojnë probleme komplekse dhe ide abstrakte.

Njerëzit shumëgjuhësh kuptojnë më shumë nga dashuria

Me shumëgjuhësinë dalin në pah edhe dallime kulturore e bashkë me to edhe një aftësi tjetër shtesë, e lakmueshme. Pasi njerëzit që flasin më shumë se një gjuhë, kanë një mirëkuptim më të madh për emocionet.

Në një studim të kryer në një periudhë të gjatë kohore nga Universiteti i Kalifornisë, kërkuesit gjetën se një ndryshim i gjuhës do të thoshte edhe një ndryshim në ndjenja, vlera e kuptimshmëri.

Gjuha është çelësi për të ndarë emocionet tona me ato të njerëzve të tjerë dhe kush i shpreh emocionet e veta në të gjithë kompleksitetin e vet në shumë gjuhë, ai është më i diversifikuar në botën e tij të ndjenjave dhe më i stabilizuar.

Si pasojë, njerëzit që flasin e njohin më shumë gjuhë, kanë një kuptim më të thellë për emocionet dhe kontekstin e tyre. Kjo tregohet në personalitetet që kanë një staturë të theksuar, të cilët janë në gjendje të jenë më të ndjeshëm, të shprehin më thellë ndjenjat e tyre – e kjo i bën për shembull njerëzit dygjuhësh të jenë në një aspekt më konkret, edhe të dashur e partnerë më të mirë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama