Rregullat e arta per ushqyerjen e femijeve

Rregullat e arta per ushqyerjen e femijeve
Të ushqesh siç duhet një fëmijë për një jetë të shëndetshme, shpesh është gjëja më e vështirë me të cilën një nënë duhet të përballet. Pyetje të tilla se kur duhet filluar për t’i dhënë ushqime shtesë foshnjës, nëse duhen dhënë ëmbëlsira, apo sa duhet të hajë, nisin shumë shpejt në mendjen e çdo prindi.

Të ushqesh siç duhet një fëmijë për të pasur një jetë të shëndetshme, shpesh është gjëja më e vështirë me të cilën një nënë duhet të përballet. Pyetje të tilla se kur duhet filluar për t’i dhënë ushqime shtesë foshnjës, nëse duhen dhënë ëmbëlsira, apo sa duhet të hajë, nisin shumë shpejt në mendjen e çdo gruaje të re. Për t’ju ndihmuar të ndiqni zakone të shëndetshme ushqimore për fëmijën tuaj, doktor Tounian, specialist i ushqyerjes së shëndetshme të fëmijëve, u përgjigjet disa nga pyetjeve më të shpeshta.

Për të ushqyer fëmijën, qumështi i nënës a është më i mirë se ai industrial?

E vërtetë. Ashtu si qumështi i lopës, që është ideal për viçat e vegjël. Qumështi i nënës është pa përjashtim ushqimi i duhur për fëmijën. Natyra i ka bërë gjërat vërtet ashtu siç duhet të jenë: ky lloj qumështi plotëson të gjitha nevojat fiziologjike të fëmijës dhe përmban proteinat, vitaminat dhe kripërat minerale, thelbësore për rritjen e tij të shëndetshme. Gjithsesi nuk duhet ta marrim si një dramë faktin se nuk e ushqejmë dot me gji fëmijën tonë, edhe qumështi industrial i jep fëmijës suaj të gjitha substancat ushqyese për të cilat ka nevojë që të rritet.

Pas 4-mujorit të parë të jetës, a mund të fillojnë ushqimet shtesë?

Po, në 4 – 6-mujorin e parë të jetës së një fëmije mund të fillojë ushqyerja shtesë. Mjekët ekspertë këshillojnë që të fillohet me pak lëng perimesh në biberon, në sasi të vogla dhe mënyrë progresive. Zgjidhni frutat dhe perimet bazë si mollët, dardhat, karotat, patatet dhe prisni që fëmija juaj të bëhet tetë muajsh për t’i dhënë edhe fruta ekzotike. Një këshillë që nuk duhet harruar: mos e zvogëloni sasinë e qumështit para moshës 1 vjeç. Të paktën 500 ml në ditë është e domosdoshme.

Nëse fëmija nuk dëshiron të hajë me lugë, a duhet këmbëngulur?

Sipas ekspertëve jo. Askush nuk të pengon të vazhdosh ta ushqesh me biberon. Mund ta mësosh shumë ngadalë të hajë me lugë, duke ia dhënë të dyja paralelisht. Do ta shihni që pak nga pak do të mësohet. Respekto ritmet e tij dhe qëndro e durueshme.

Supa a i rrit më shpejt?
Sigurisht që jo. Ah sikur të ishte e vërtetë. Janë mbi të gjitha proteinat dhe kalciumi ai që i rrit fëmijët. Supa nuk mjafton për t’i ndihmuar të rriten shpejt. Megjithatë edhe ajo ka avantazhet e veta: përmes perimeve që ajo ka, u siguron të vegjëlve përbërësit e duhur ushqimorë dhe shumë lëngje për organizmin. Për më tepër është shumë e pasur me vitamina, kripëra minerale dhe fibra të tretshme lehtësisht.

Një fëmijë nuk pi kurrë aq lëngje sa duhet...

Kjo është e vërtetë. Fëmijët lëvizin dhe vrapojnë vazhdimisht. Për të luftuar kundër të ftohtit, një fëmijë djersit tri herë më shumë se një i rritur, për shkak të sipërfaqes së vogël të trupit të tij. Ndaj për të kompensuar këtë konsum, ka nevojë për një sasi më të madhe lëngjesh. Nga mosha 1 deri në 6 vjeç nevoja e tij e përditshme për ujë varion nga 65 deri në 90 ml/kg, d.m.th. një litër për një fëmijë që peshon 15 kilogramë. Por nevoja hidrike mund të plotësohet edhe me lëngun e freskët të frutave, me qumësht. Kujdes, asnjëherë mos i jepni ujë me akull. Rrezikon të shkaktojë probleme intestinale.

Nga mosha 1 deri në 3 vjeç nuk duhet të hajë shumë fruta dhe perime...

Është e gabuar të mendosh kështu. Sa fruta dhe perime duhet të hajë fëmija im në ditë? Kjo lidhet me peshën. Porcioni ditor minimal për një fëmijë është 200 gramë perime dhe të paktën një frutë. Një konsum i madh frutash dhe perimesh sigurisht që nuk është i dëmshëm për shëndetin, me kushtin se mund të limitosh konsumin e ushqimeve që mund të shkaktojnë probleme intestinale (si për shembull lakrat). Edhe në këtë rast, ekspertët këshillojnë që frutat dhe perimet janë të domosdoshme çdo ditë.

A mund të ndjekë fëmija një regjim vegjetarian?

Sigurisht që po. Një regjim vegjetarian përjashton mishin nga ushqyerja, por parashikon konsumin e vezës, djathit, qumështit. Ky lloj regjimi nuk është i dëmshëm, por me kushtin që fëmija të konsumojë drithëra, perime, gjalpë, vaj, ëmbëlsira dhe qumësht për të evituar mungesat. Eksperti rekomandon të përdoren preparate për fëmijët me bazë soje, që janë një burim i mirë proteinash. Ndërkaq regjimi vegan, pa vezë dhe qumësht, shkakton probleme të mëdha me zhvillimin fizik dhe intelektual të fëmijëve.

A mund të krijojë varësi nga ëmbëlsirat një fëmijë i vogël?

Sipas ekspertëve mund të flasim për një varësi të mirëfilltë nëse fëmija nuk arrin dot të flejë pa ngrënë ëmbëlsira. Atëherë duhet menduar për ndihmën e një specialisti. Gjithsesi ekspertët rekomandojnë të mos alarmohemi kot: në të vërtetë janë prindërit ata që gjykojnë nëse fëmija është shumë i varur nga ëmbëlsirat.

Të hash ëmbëlsira a e favorizon obezitetin dhe kariesin?

Sigurisht, nëse abuzohet. Për sa u përket dhëmbëve, për të vegjlit gjëja më e rrezikshme nuk është sasia e sheqernave, por sasia e kohës që qëndrojnë në gojë. Ja përse është e rëndësishme t’i lash mirë dhëmbët pas çdo vakti.

Gjalpi a duhet konsumuar?

Nuk duhet eliminuar nga ushqyerja e të vegjëlve, përkundrazi. I pasur me vitaminë A, është i domosdoshëm për rritjen dhe shikimin e fëmijëve.

Veza, kur duhet ngrënë?

Duke nisur që nga koha kur ka mbushur katër muaj. Në këtë kohë mund t’i japësh, për të ngrënë gjysmën e të verdhës, vetëm se duhet patur kujdes për të parë se si reagon: mund të jetë alergjik. Dhënia e këtyre ushqimeve në moshë të vogël mund të shërbejë edhe si një lloj vaksine, sepse i ndihmon që të mos shfaqen format e alergjisë në të ardhmen.

Mishi, sa dhe kur duhet të hajë?

Mishi përmban një sasi të madhe proteinash dhe mund të shndërrohet në një faktor për mbipeshën dhe vështirësi në tretje. Jo më shumë se dy-tri herë në javë pa i kaluar 50-60 gramë në ditë. E rëndësishme të zgjidhet mish pa dhjam. Më mirë mish i grirë dhe fileto pule. Peshku këshillohet patjetër një herë në javë, sepse është antioksidues, përmban omega 3 dhe vitamina thelbësore.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama