Kur lexonim Viktor Hygone


Sot, 205-vjetori i lindjes së shkrimtarit të madh, atij që ende na mban të lidhur me "Katedralen e Parisit" e të tjera kryevepra

Shkrimtari francez, Viktor Hygo, i cili lindi më 26 shkurt 1802, njihet si shkrimtari e udhëheqësi i lëvizjes romantike franceze dhe konsiderohet në mbarë kulturën botërore si simboli i letërsisë së romantizmit me romanin e tij vëllimor "Të mjerët". Në vendin tonë, krijimtaria e tij është përkthyer prej vitesh dhe vazhdon ende të shqipërohet. Përmenden këtu kryeveprat e tij në shqip "Të mjerët", "Viti 93", "Njeriu që qesh" etj., libra të cilët kanë frymëzuar një shtresë të tërë letraro-artistike edhe në vitet e vështira të sistemit komunist. Viktor Marie Hygo u lind në provincën Besanccon më 26 shkurt 1802 në Francë. Ai ishte i biri i Leopold-Sigisberg, një gjeneral i ushtrisë së Napoleonit dhe u inkurajua nga e ëma, Sofia Trebuchet, në kultivimin e talentit të tij letrar pranë oborrit të Burbonëve në Francë. Në moshën 18-vjeçare u bë i njohur dhe i rëndësishëm falë fitores në një konkurs kombëtar poezie dhe emri i tij tashmë u shënua në qarqet intelektuale franceze të kohës. Kjo famë e menjëhershme i siguroi atij mbështetjen nga familja mbretërore, për shumë vargje të krijuara prej tij në raste zyrtare. Në moshën 23-vjeçare hyn në Legjionin e Nderit. Ndërkohë, në vitin 1926 nxjerr për botim vëllimin poetik "Ode e balada", në të cilat për herë të parë del në pah përjetimi mbi figurën e Napoleon Bonapartit dhe në mjedisin teatral drama "Kromuell" në 1927-ën, është vepra që e shquan atë drejt romantizmit.
Me parathënien e kësaj drame, Hygo propozon ndarjen nga norma klasiciste e harmonisë Kohë dhe Vend dhe mbështet me forcë dykuptimësinë historike në aksionin skenik. Kjo parathënie kthehet në një lloj manifesti letrar për francezët e kohës dhe deklarata e tij shquhet për ngjyrat dhe bindjet e tij të thella romantike. Në vitin 1823, teksa ishte martuar me Adele Foucher, martesë nga e cila pati katër fëmijë, por që pas njohjes dhe marrëdhënies dashurore me Juliette Drouet, mikesha e tij për 50 vjet me radhë, të cilës i ka kushtuar një epistolar të panumërt ndjenjash, ai ndahet përfundimisht prej gruas së tij. Në vitin 1830 u prezantua për herë të parë vepra teatrale "Hernani", i cili provokoi një mosmarrëveshje, që solli ndërprerjen e ridhënies së shfaqjes në sallën e Komedisë Franceze. Një vit më vonë u publikua në shtyp vepra "Notre-Dame de Paris" ("Katedralja e Parisit"), e cila bën që nga ky moment shkrimtari i madh t‘i kushtohet teatrit romantik. Gjatë këtyre viteve, ai shkroi shumë nga dramat e tij historike si "Mbreti dëfrehet" (1832), "Lukrecia Borgia" (1833), "Engjëlli tiran i Padovas" (1835), "Rui Blas" (1838) etj. Vdekja e vajzës së tij, Léopoldine, dhe mossuksesi i dramës "I Burgravi", i cili e bëri të heqë dorë përfundimisht nga teatri, ndërprenë për një periudhë dhjetëvjeçare aktivitetin e tij letrar. Ndërkaq, vitet 1848 shënojnë fillimin e faqes politike në jetën e Viktor Hygoit. Në vitin 1848 bëhet deputet i Asamblesë Kushtetuese të Francës, ku u dallua si një ndër kundërshtarët më të devotshëm të Presidentit Luigj Bonaparti. Por në vitin 1951, goditja nga shteti francez i kohës shënoi për të fillimin e ekzilit politik, që do të vazhdonte deri më 4 shtator 1870. Gjatë kohës që u transferua në ishullin Guernesay pranë Jersey-it, ai u konsiderua "Baba i Kombit" në ekzil. Vitet larg vendlindjes ishin vitet më prodhimtarë në krijimtarinë e tij letrare: në 1953-in publikoi "Le punizioni", satirë e shtrembër kundër Napoleonit III, në 1956 "Le contemplazioni", në 1959 serinë e parë "Legjenda e shekujve", e cila u publikua në dy vëllime të tjera në vitet më vonë. Viti 1962 shënoi vitin e publikimit të kryeveprës së tij "Të mjerët". Pas vdekjes së të birit, nga martesa me Adelën, vdekja e të cilës e dëshpëroi, në 1871-in rikthehet në Paris pas rënies së Perandorisë së tretë dhe bëhet pjesë e senatit në 1876-ën. Viktor Hygo vdiq më 22 maj të vitit 1885, nga një sëmundje e frymëmarrjes (pulmonare), në Paris dhe funerali i tij u kthye në një hyjnizim të vërtetë, ku hiri i trupit të tij u la me një vrull nga dymbëdhjetë poetë, për një natë në këmbët e "Harkut të Triumfit" në shëtitoren e famshme "Champse Elisee" të kryeqendrës evropiane, Parisit. Për Viktor Hygoin kanë shkruar shumë personalitete të letërsisë në botë, ku përmendim edhe librin kushtuar jetës dhe veprës së tij nga shkrimtari rus N. Muravieva, i përkthyer në shqip nga Bujar Doko, ku autori sjell në një formë artistike të gjitha etapat e zhvillimit letrar të gjeniut të letrave franceze, Viktor Hygo. Pas më shumë se dy shekujsh, jehona e krijimtarisë së tij vazhdon ende të rrëmbejë vëmendjen e lexuesve të pasionuar pas letërsisë romantike, si një vlerë e përkryer për letërsinë universale.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama