Dhjete shekuj histori te Kishes Katolike ne trevat shqiptare

Dhjete shekuj histori te Kishes Katolike ne trevat shqiptare

“Kisha Katolike në trevat shqiptare” është një studim i Dom Nikë Ukgjinit, që i referohet periudhës nga shekulli XI deri sot, ku hedh dritë në historinë e saj, rrugën nëpër të cilën kaloi.

Një vështrim këtij libri i bëri Shqiptarja, të cilin po e transmetojmë në vazhdim.
Gjatë historisë së vet shumëshekullore, viset, me shekuj të banuar nga shqiptarët, shpesh kanë qenë territore heroike në Ballkan në raport me Evropën. Këto vise janë të vendosura në pikëtakimin e dy civilizimeve, atij perëndimor dhe lindor.

Viset shqiptare, duke i takuar pjesës perëndimore dhe besimit romak që nga fillimet e krishterimit, në shek. e VII, u përfshinë nga shtrëngata e Lindjes Bizantin dhe sllavo-ortodokse, duke mbetur për shekuj me radhë nën hijen e gjysmëhënës orientale. Gjatë një periudhe të gjatë, nën trysninë e ortodoksizmit bizantin dhe, nga shekulli XIII, nën presionin e Kishës serbe, e cila ishte edhe bartëse e idesë së shtetit serb, Kishës katolike në këto vise nuk i qeshi fytyra pothuajse asnjëherë.

Me ardhjen dhe forcimin e perandorisë Osmane në shekullin XV, në këto vise fillojnë vështirësi të reja dhe më të rënda. Në fillim Osmanlinjtë nuk e detyruan popullatën që të islamizohej dhe as tu nënshtrohej plotësisht. Mirëpo, me kalimin e kohës, kjo taktikë ndryshoi dhe filluan diskriminimet e mëdha ndaj popullsisë katolike.

Vendoset sistemi i ri feudal (i spahinjve) dhe tatimet e ndryshme, marrja e fëmijëve pengë, torturimet dhe vrasjet e klerikëve, mbyllja e shkollave, shkatërrimi dhe tjetërsimi i objekteve fetare etj. Me fjalë të tjera, pushteti osmano-turk shpërfaqet me fytyrën e vet të vërtetë. Nga ana tjetër, edhe vetë Kishën Katolike Shqiptare robërimi osman e gjeti të papërgatitur, pa një hierarki të organizuar dhe të qëndrueshme, me një numër të pakët priftërinjsh, shpeshherë edhe të paaftë për thirrjen e vet; me besimtarët e paaftë shpirtërisht për të përballuar tundimin e presioneve të ndryshme.

Si pasojë e islamizimit në masën 70 % dhe prapambetjes në shumë drejtime, Konferenca e Berlinit në vitin 1878, duke identifikuar shqiptarët me nacionalitetin turk, shpërndau trojet stërgjyshore shteteve fqinje: Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.
Periudha në rrugën e çlirimit të shqiptarëve nga zgjedha turke ishte ajo që shtrihet në harkun kohorë mes viteve 1840 dhe 1912.

Në këtë periudhë popullata shqiptare në Shqipërinë Veriore dhe në Malin e Zi të sotëm, e udhëhequr nga klerikët katolikë dhe krerët e fiseve malore, në orvatjen e përgjithshme për çlirim, ka qenë jetësisht e lidhur me popullatën shqiptare në viset e tjera të Shqipërisë. Kjo lidhshmëri i ka dhënë një shtytje të fortë të gjithë popullsisë që më 28 nëntor të vitit 1912 të ngrejë flamurin kombëtar dhe të shpallet pavarësia, kah mot e dëshiruar, e Shqipërisë.

Jeta e popullsisë, nën presionet e pandërprera të strukturave shoqërore dhe pushtetit armik të përbetuar ndaj katolicizmit, shfaqi një prapambetje të zbehur në kulturë nga aspekti social - ekonomik dhe shoqëror - politik.
Shqipëria post-otomane e viteve 1920-1930 ishte krejtësisht e varfër; analfabete, mbisundonte fanatizmi fetar dhe sistemi shoqëror mesjetar bazuar në feudalizëm.

Ja se çfarë thoshte Mit’hat Frashëri për Shqipërinë post-otomane: “Pesë shekuj shkuan mbi ne si një hije e zezë, një gur i rëndë mbi mendjen dhe vetëdijen tonë… dhe kështu, shekulli i nëntëmbëdhjetë, kjo kohë e dritës, e qytetërimit dhe e zgjimit të ndjenjave kombëtare, na gjen, neve shqiptarët, krejt në gjumë, pa njësi, pa bashkim, pa literaturë, sa dhe pa alfabet”.

Shqipëria e viteve 1920-1930, për italianët që e vizituan atë për motive politike apo ekonomike, dukej vend shumë i prapambetur - thuhet nga një Italian, gjë qe vihet re dhe ne fotografitë e kohës. Madje, diplomati italian Pietro Quaroni thoshte se Shqipëria duket si një vend i vitit 1000.

Katolicizmi shqiptar mbarte me vete vulën e një kulture perëndimore që e diferenconte në mënyrë të dukshme dhe të prerë nga bashkësitë e tjera fetare. Por, as ai nuk i shmangej karakterizimit të fortë, të shkaktuar nga rrënjosja e tij në një popull që ishte jashtëzakonisht krenar për traditat e veta kulturore dhe për identitetin e vet etnik. Flaka morale e përbashkët për gjithë klerin shqiptar ishte ajo e zellit apostolik, e bashkangjitur pazgjidhshmërisht me ndjenjën patriotike

Shkatërrimi i Kishës Katolike në Shqipëri
Partia Komuniste e Shqipërisë, e cila erdhi në pushtet më 1945, me ndihmën e partisë motër të popullit sllav, ishte partia me famëkeqe në gjithë lëvizjen komuniste botërore. Ajo, me një rigorozitet të jashtëzakonshëm, propagandonte dogmatizmin marksizëm – leninizëm dhe ateizëm në Shqipëri. Për 45 vjet ruajti pa ndërprerje regjimin e modelit sovjetik – kinez, i cili ishte rrënjosur në të gjitha fushat e jetës.

Shumë shpejt filloi përpjekja e bashkërenduar për të shkatërruar organizatat fetare të vendit dhe për të fshirë gjithë ndikimin fetar në vend. Në këtë drejtim, partia në pushtet, për të rrënuar gjithçka me vlerë që ishte arritur, sidomos pas pavarësisë e në vazhdim, luftën kundër Kishës katolike në Shqipëri e nisi me persekutimin e klerikëve katolik, të paparë në historinë e kombit tonë. Persekutimi i klerit, i filluar në vitin 1945 dhe i zhvilluar në mënyrë sistematike deri në vitin 1980, solli me dhjetëra burgosje, internime, vrasje të pa mëshirshme të klerikëve intelektualë dhe laikëve katolikë.

Regjimi i ri shqiptar, komunist e ateist, përveç mbylljes së shkollave të Jezuitëve dhe të Françeskanëve në viti 1946, me frymëzimin e revolucionit ideologjik kulturor, shkatërroi në vitin 1967 objektet fetare dhe i tjetërsoi në magazina e stalla, vatra kulture e depo ushtarake, duke i shndërruar në gërmadha të kthyeshme. Pastaj pushkatoi, burgosi, torturoi dhe fshiu nga të gjitha emërtimet 93 klerikë katolik, figura të shquara të kombit tonë dhe të Kishës Katolike në Shqipëri.

Sipas një statistike mësohet se gjatë periudhës (1945-1980), që kur regjimi komunist erdhi ne fuqi, kishin vdekur nëpër burgjet e shtetit 2 argjipeshkëv, 5 ipeshkëv, 1 abat, 65 priftërinj dioqezanë, 33 françeskanë, 14 jezuitë, 10 seminaristë dhe 8 murgesha.

Mos të harrojmë! Ishin rreth 200 klerikë që, të marrë së bashku, kishin kryer 500 vjet studime në 25 universitete të Evropës do të vuanin mjerisht tani, në Shqipërinë e tyre edhe mbi 900 vite të tjera, gati dhjetë shekuj burg.

Mos të harrojmë! Vetëm ata, të pushkatuarit, bënë rreth 300 muaj, rreth 25 vjet tortura e hetuesi. Afro 70 muaj, 6 vjet hetuesi e tmerr, bënë ata tjerët, të mbyturit ndër tortura.
Mos të harrojmë! U shfarosën të gjithë. Ndoshta s’kemi prapë gjenocid. Le ta studiojnë në të ardhmen historianët, pasi ta kenë korrigjuar fjalorin gjuhëtarët.

Ringjallja e Kishës


Erërat e ndryshme të kohës, të cilat filluan të frynin në Evropë pas rënies së Murit të Berlinit 1989, sollën ndryshime edhe në tokën e vuajtur shqiptare. Ky fllad i verës solli rigjallërim në lëvizje e aktivitete në kishën katolike e cila kishte përjetuar shkallën më të lartë të persekutimit gjatë regjimit komunist.

Kisha katolike në Shqipëri, e cila për 45 vite me radhë qëndroi nën tokë, do të ringjallej pikërisht më 4 dhe më 11 nëntor 1990, data kur do të kremtohej mesha e shenjtë nga Dom Simon Jubani në varrezat katolike të Rrmajit në Shkodër. Kjo ngjarje do të risillte lirinë e ushtrimit të fesë, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes Shqipërisë dhe Vatikanit me 18 shtator 1991, emërimin e Nuncit Apostolik mons. Ivan Dias dhe ardhjen e Papës Gjon Pali II më 25 prill 1993 i cili, pas një errësire të gjatë shuguroi të katër ipeshkvijtë e parë në po këtë datë: Imzot Frano Illian, Imzot Rrok Mirditen, Imzot Zef Simonin dhe Imzot Robert Ashten. Kështu, pas një shkëputjeje të gjatë, me emërimin e këtyre katër ipeshkvijve do të niste organizimi administrativ i Kishës Katolike në Shqipëri.

Shqiptarët, të lenë në vitin 1913 jashtë shtrirjes administrative të Shqipërisë, janë ballafaquar me problemet të natyrës tjetër. Shteti i Jugosllavisë Monarkiste dhe asaj socialiste ka tentuar me çdo kusht t’i asimilonte shqiptarët, duke bërë presione në forma të ndryshme, nga ngecja e zhvillimit ekonomik në trojet e banuara me shqiptarë, deri tek projektet për shpërnguljen e tyre për në Turqi, me pretekstin se janë myslimanë. Shqiptarët në Kosovë, Maqedoni e Mal te Zi, në masë të madhe i bënë ballë këtyre trysnive, falë vetëflijimeve, rritjes së bashkëpunimit mes tyre dhe punës së zellshme për ngritjen e standardit jetësorë dhe kulturor. Ndihmesë për ruajtjen e identitetit të tyre ka dhënë dhe diaspora shqiptare e shpërndarë në Evropë dhe Amerikë.

Ndihmesë në ruajtjen e identitetit gjithashtu kanë dhënë klerikët shqiptar të Kryedioqezës së Tivarit përkundrejt kushteve politike jo të favorshme që mbretëronin në Mal të Zi. Shqiptarët e grumbulluar rreth dioqezës se Shkup-Prizrenit nga vitit 1970 dhe në vazhdim kanë pasur një avokat të fortë, ipeshkvin Nikë Prela dhe sekretarin e tij, Dom Lush Gjergjin, si dhe një çetë të klerikëve të tjerë që punuan fort në ruajtjen e çështjes nacionale dhe zhvillimit kulturore të shqiptarëve në Kosove pa dallim besimi. Ky angazhim i Kishës katolike në Kosovë ishte me i theksuar, në veçanti gjatë luftës serbe në Kosovë, në vitet 1989- 1999.

Kisha Shqiptare, me përvojën e saj shumëshekullore në tokën arbërore, do t’i paraprijë gjithmonë popullit të saj të martirizuar në misionin historik që ka pasur dhe ka në përjetësi si mësuese, ngushëlluese dhe udhërrëfyese e jetës së besimtarëve të saj pa dallime besimi. Ajo kundrejt sfidave të shumta që pati gjatë lindjes së shtetit shqiptar në vitin 1912, krijimit të shtetit të ri shqiptar në Kuvendin e Lushnjës në vitin 1920 dhe përballjeve qe pati gjatë regjimeve të më vonshëm, arriti t’i qëndroj besnike misionit të saj të përmbledhur në trinomin e njohur të Kolegjit të Shën Françesk Saverit: “Për Zot, Atme e Përparim”.

E gjithë kjo la vulën e vet në gjurmët e historisë së lavdishme të popullit shqiptar, i cili duke pirë ujë nga burimet e heronjve të vet, duke u freskuar në zakonet popullore dhe traditën shumëshekullore, dalëngadalë, por me një qëndrueshmëri të pashoqe u rrit duke lëshuar shtat në rrugën e vet të zhvillimit, të civilizimit, të zgjimit dhe rilindjes kombëtare.


Në këtë rrokopujë ballkanike të mbushur me furtuna dhe shtrëngata nga më të mëdhatë, populli Shqiptar, arriti edhe me ndihmën e Kishës Katolike ta ruaj identitetin e tij kombëtar, duke përjashtuar një pakice që nuk arriti të ruajë fenë e të parëve të vet.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama