Artisti i njohur Maks Velo i dhuron 54 vepra Galerise Kombetare te Arteve

TIRANË, 12 Tetor / ATSH / - Artisti i njohur Maks Velo i dhuroi sot 54 vepra Galerisë Kombëtare të Arteve.

Akti i dhurimit u bë në ditën e fundit të ekspozitës së tij në GKA në një ceremoni të thjeshtë, ku mori pjesë edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Sipas GKA-së, dhurimi i këtyre veprave është një ndër rastet e rralla dhe i vetmi në një numër kaq të madh veprash nga një artist shqiptar.

Dhjetë nga veprat e dhuruara u ekspozuan në ekspozitën, e cila u hap më 10 shtator në GKA, ndërsa 44 vepra të tjera ishin pjesë e fondit privat të artistit, kryesisht vizatime nga arkitektura karakteristike e qyteteve shqiptare.

Ministrja Kumbaro vlerësoi këtë akt të artistit Maks Velo, duke e falënderuar atë si një model për të gjithë brezat. Ndër të tjerash Kumbaro gjatë fjalës së saj u shpreh se "Javën e kaluar Maks Velo i dhuroi një pjesë të mirë të arkivave të tij që kanë të bëjnë me arkitekturën, arkivës së Monumenteve të Kulturës, pasi Maks Velo si me jetën dhe me veprën e tij, është një copëz historie e historisë së arkitekturës shqiptare në shumë dimensione".
"Sot jemi këtu për një tjetër akt shumë të rëndësishëm, sepse Maks Velo i dhuron Galerisë së Arteve një pjesë të rëndësishme të veprës së tij artistike", shtoi Kumbaro.

"Kam kënaqësinë të them se ky nuk është thjesht një gjest bujarie, por është një akt qytetar dhe një qëndrim i artitstit ndaj trashëgimisë kulturore dhe ndaj kulturës së ardhshme në të njëtën kohë dhe pa dashur të bie në nivelin e propagandës, nuk mund të mos evidentoj faktin se kemi të bëjmë me një rritje të besimit të publikut, të artistëve, të njerëzve, tek institucionet e artit dhe kulturës, në menaxhimin e këtyre arkivave të rëndësishme, në ruajtjen e tyre dhe sidomos në promovimin e tyre, qoftë me qëllimin e edukimit, qoftë me qëllimin e vlerësimit të veprave të artit", vijoi Kumbaro.

"Prandaj une dua të falënderoj Profesor Maksin me gjithë zemër, jo vetëm si ministre, por si qytetare e këtij vendi, në të cilin kam vendosur të rris fëmijët e mi, sepse ai jep modelin e duhur. Faleminderit me gjithë zemër!", u shpreh ministrja.

Ndërsa drejtori i Galerisë Kombëtare, Artan Shabani, cilësoi veprat e dhurura si një vlerë kulturore artistike e shtuar në fondin e GKA

Shabani u shpreh se "Sot është një ditë feste për kulturën shqiptare, sepse një akt i tillë i një artisti shqiptar që dhuron kaq shumë vepra nga koleksioni i tij, nuk ka ndodhur më parë në memorien e këtij institucioni".

"Maks nuk gjej fjalë për të të falënderuar, iu drejtua Shabani artistit, jo vetëm për ata që janë, por edhe për ata që nuk janë, por do të jenë, sepse këto vepra do të jenë për të gjitha gjeneratat, sidomos për brezat e rinj, që kanë nevojë për një ndjenjë dashurie, sepse arti pa dashuri nuk mund të komunikoje drejtpërdrejt", u shpreh Shabani.

Ndërsa vetë artisti Maks Velo e shpjegoi këtë akt ndaj institucionit kombëtar të arteve pamore përmes një paralelizmi, konfiskimit dhe djegies së veprave të tij në regjimin komunist dhe dhurimin që ai i bën me vullnet të plotë fondit të GKA-së.

"Unë në shtëpi ruaj një dokument shumë të rëndë, edhe pse është vetëm dy fletë, ai është procesverbali që shteti komunist më ka konfiskuar veprat", nisi të shprehej Velo. "Babai im e kishte ngjitur në albumin e shtëpisë dhe unë kur dola nga burgu e gjeta, është shumë simbolke dhe me shumë rëndësi", shtoi artisti.

"Tani janë dy dokumenta, ai i konfiskimit dhe djegies dhe ky i dhurimit, ku ka disa edhe nga ato që më janë djegur, të cilat i kam ribërë, pra ne kemi kaluar në ekstreme, në urrejtje të pallogaritshme ndaj artistëve dhe kjo është një gjë monstruoze", vijoi Velo. "Në fakt akti im është e kundërta e asaj që bëri shteti atëherë dhe në listën e veprave që i dhuroj galerisë, janë dhjetë vepra nga ekspozita, kurse pjesa tjetër janë vizatime nga arkitektura, gjysmat ia dhuroj GKA dhe gjysmat ia dhurova arkivit të Institutit të Monumenteve".

Ndërsa kuratorja e ekspozitës, Suzana Varvarica Kuka, theksoi se "si kuratore ndjehem mjaft mirë që Maksi u shpalos i gjithi përpara publikut me krijimtarinë e tij, sidomos përpara publikut të ri, sepse Maksi e ndjen shumë mirë që artistët e rinj, ose edhe ata që nuk janë artiste, Maksin e shohin si një njeri i cili ka çfarë t'ju thotë për atë kohë, pasi ai e sjell atë të plotë, në shumë drejtime".

/k.m/ /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama