Tahiri thirrje qytetareve Shtimi i azilkerkuesve rrezikon levizjen e lire

Tahiri, thirrje qytetareve: Shtimi i azilkerkuesve rrezikon levizjen e lire

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, tha sot se shtimi i azilkërkuesve rrezikon heqjen e lëvizjes së lirë në zonën Shengen për qytetarët shqiptarë.

Në një dalje para medieve të martën, Tahiri bëri thirrje që të respektohen kushtet për lëvizjen Shengen, në mënyrë që Shqipëria të klasifikohet si vend me origjinë të sigurt.

“Jemi të shqetësuar për fenomenin e azilkërkuesve dhe kemi marrë masa për ta luftuar. Po bashkëpunojmë me policinë gjermane si dhe jemi në kontakt me vendet fqinje e ato të Bashkimit Evropian”, deklaroi ministri.

Sikundër kryeministri Rama dje, edhe ministri i Brendshëm u shpreh se një pjesë e mirë e azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani janë me banim në vende të tjera të BE-së. “Shifrat tregojnë se nga territori shqiptar kanë dalë vetëm 0.6% më shumë njerëz krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këto të dhëna nuk i përgjigjen aspak rritjes eksponenciale të azilkërkuesve nga vendi ynë që paraqet qeveria gjermane. I kemi kërkuar Gjermanisë të dhëna mbi itinerarin e emigrantëve që shkojnë aty, por këto të dhëna nuk na janë siguruar”, shpjegoi Tahiri.

Ai i bëri thirrje opozitës që të mos përfitojë politikisht nga kjo situatë, por të kontribuojë për zgjidhje. “Opozita të mos shpifë e të mos e politizojë çështjen për të nxjerrë përfitime, pasi kjo nuk ndihmon askënd. Ajo duhet të bashkëpunojë me qeverinë, të bëhemi të gjithë bashkë për ta ndalur këtë fenomen”, bëri thirrje ministri Tahiri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama