Luigj Gurakuqi - Pse e duan serish te vdekur?!

Luigj Gurakuqi - Pse e duan serish te vdekur?!

Në 90-vjetorin e vrasjes së Luigj Gurakuqit nuk kemi dëgjuar për asnjë kremtim në nder të tij. Njësoj ndodhi në përkujtimin e 100-vjetorit të pavarësisë, kur emri i tij mungoi në listë-nderimin e patriotëve të asaj date. Habitshmërisht, emri i tij është bërë disi “periferik” për studiuesit e rinj, që me punën e tyre selektive, po zëvendësojnë në zell, ata të kohës së komunizmit…

 

“Arkivat janë mjeti dhe arma ma e vlefshme në dorën e të Drejtit”, shkruan Fritz Radovani, kur do t’i referohet momentit të dokumenteve, që referojnë për vrasësit e Luigj Gurakuqit. Për fat të keq, studiuesit edhe në këtë përvjetor nuk do të na ndijnë. Në vend të tyre, armata e retushuesve do të përcjellë me botime lëbyrëse, argumentet e tyre, që ngrihen shpesh dhe mbi falsifikime dhe harresa të mëdha.
...
Le të kthehemi në një moment në vrasjen e tij. Ajo ndodhi plot 90-vjet më parë në Bari të Italisë, prej një shqiptari, që ishte edhe i afërm i tij. Zërat e këqij, që nuk i mungojnë këtij vendi, janë munduar ta shfrytëzojnë këtë element për të thënë se problemi i Gurakuqit s’ishte aktiviteti i vet, por gjëra dytësore. Të tjerë kanë dashur ta stisin. Më kinse të qetët, shpagimin e tij, ia kanë lënë në dorë komunistëve. Në fakt, Balton Stambolla, vrasësi i tij do të ekzekutohej jo prej tyre.
 
Shpagimi


Sërish Fric Radovani: Dhe ja, si asht e vërteta: “Mbas okupacionit italian të Shqipnisë, me ardhjen Kryeministër të z. Mustafa Kruja, Ky i kërkoi qeverisë italiane, që i dënuemi për vrasje Baltjon Stambolla, me vazhdue dënimin në Shqipni. Qeveria italiane asht kenë dakord dhe e ka sjellë Baltjonin në Durrës, prej ku, një makinë e policisë e ka marrë dhe e ka dërgue në Fieri, gjoja “për siguri” larg Shkodres. Atje ka ndejë në një shtëpi ku ruhej nga tre-kater polic shqiptar. Njëditë gjoja se desht me u arratisë, policët e kanë gjuejtë dhe i kanë shprazë një automatik me fishekë në bark. E kanë lanë disa orë pa e çue në spital, mbasi kështu kishte porositë Mustafa Kruja, që Baltjoni mos të vritej në çast, por të vuente nga dhimbjet e mënershme që shkakton arma kur shprazet në bark. Afro 2 - 3 ditë mbas gjuejtjeve Baltjoni ka vdekë nga infeksioni, tue vërritë nga dhimbjet. Atdhetari Mustafa Kruja i ka tregue ngjarjen babës tem Kol Radovanit, se: “Ia bana kështu Baltjonit, se ia kishe kaq e gja borxh mikut tem Luigj Gurakuqit!”. (Këtë dëshmi ma ka tregue Nana eme, Viktoria Radovani dhe Profosor Gasper Ugashi, të cilve, aso kohe ua ka tregue Kola, Babai im.)
 
Në ditët tona


Por në librin e  Blendi Fevziut, PRESIDENTI QE U BE MBRET AHMET ZOGU, në kapitullin për kundërshtarët politikë të Zogut, kur flet për Luigj Gurakuqin, ai i fsheh opinionit publik dokumentin historik, ku me flagranti është dokumenti që e implikon Zogun në vrasjen e Luigjit, e që lidhet me letrën e vrasësit Stambolla drejtuar Zogut, Ceno Beg Kryeziut dhe Çatin Saraçit, ku vrasësi kërkon ndihmë e të holla për të shpëtuar. “Fevziu se ka fare problem ta retushojë dokumentin duke e hequr emrin e Zogut, njësoj siç bënte Enver Hoxha duke lënë vetëm emrat e Çatin Saraçit dhe Ceno Beg Kryeziut. Në një gazetë të Beogradit, Ceno Begu do të deklaronte se Luigjin e vrava unë për të mirën e Shqipërisë, pra kunati i Zogut e pohon me gojën e tij se është organizatori i vrasjes, ndersa Çatini është zbatuesi me dorën Baltion Stamollës”, shkruan një nga pasardhësit e tij, Nikolin Gurakuqi.
...


Luigj Gurakuqi ishte në ditët e fundit në Bari dhe këtë e dokumenton dokumenti që kishte marrë nga ana e autoriteteve italiane për t’u larguar. Thëniet e ndryshme se ai ishte njeri i italianëve, mund të hidhen poshtë me përpjekjet që u bënë për ta lënë në kushtet më të këqija financiare këtë njeri, por mund të gjykohet edhe me inventarin e gjërave, që ky njeri kishte me vete. Por, më shumë se kaq, kjo figurë interesante e pavarësisë, historisë së arsimit dhe vetë shtetit shqiptar, do të vuajë shumë kaosin tonë, që nuk vendos dot kurrë rregull në fushat që duhet, por e harxhon pjesën më të madhe të kohëve në bjerraditje të frikshme dhe më shumë akoma në harresa, që na bëjnë keq, qoftë edhe për imazhin tonë.
Por trishtimi më i madh është ai kënd modest, që ruhet për të në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit të Shkodrës, ku ai sëbashku me Vaso Pashën, Migjenin, Heronjtë e Vigut dhe heronj e patriotë të tjerë flladiten nga plehrat. Më kot, në gjithë vitet e fundit, zëra të ndryshëm janë munduar me e ngjall imazhin e tij, duke i bërë thirrje Bashkisë por edhe autoriteteve kombëtare për vëmendje. Një heshtje e madhe ka vijuar që andej, e cila është ushqyer shumë edhe nga krahët politikë, por që artikullshkrues i kanë vendosur emra të ndryshëm. Urrejtje për elementin katolik, për patriotët fanolistë etj., etj...E atëherë, ajo që mbetet është edhe më e trishtë: Kur mendon se nuk zgjidhim çështje të thjeshta vetëm 90-vjeçare, si do mund të hedhim dritë për të tjera, që janë shekuj larg.


“Figura të tilla si Luigj Gurakuqi, që më 2 mars mbush 90 vjet nga dita e vrasjes së tij në Bari, megjithë tendencën e qartë për të folur sa më pak për të e veprën e vet atdhetare, nuk mund t’i errësojë dot askush, kushdo qoftë ai, i djathtë apo i majtë, zogist apo enverist. Ata të gjithë vetëm sa bëhen qesharakë, si liliputë që janë. Vepra e Gurakuqit është nderuar edhe jashtë kufijve shtetërorë. Në Bari të Italisë, sheshit kryesor të qytetit në vitin 2002, i kanë vënë emrin e tij, pikërisht aty ku edhe ai u vra në Hotel “Cavour” nga sikarët e Zogut. Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe një delegacion shqiptar, i kryesuar nga Ilir Meta dhe përfaqësues të spektrit politik shqiptar. Edhe universiteti i Barit, fakulteti i Jurisprudencës ka bërë një aktivitet të gjerë mbi veprimtarinë e tij, ku kanë relatuar profesorë italianë dhe shqiptarë duke e ngritur lart figurën e tij”, shprehet një nga Gurakuqët


Por ka të ngjarë, se figura e tij është edhe një imazh, që shumëkujt prej politikanëve nuk i vjen mirë ta prezantojë. Luigji dhe pak njerëz si ai, mbetën idealistë dhe modele të ndershëm patriotësh, ku sulmin tashmë e kanë marrë, struktura si “zogizmi që është në ekspansion ideologjik për t’u paraqitur si i persekutuar nga regjimi i Hoxhës, por zogistët harrojnë se çfarë kanë shkruar për ta me publiçistikën e tyre opozitarët e Zogut si Lazër Shantoja, Anton Harapi, Ernest Koliqi, të cilët e kanë vlerësuar maksimalisht Gurakuqin dhe e kanë anatemuar Zogun si diktator”, shprehet Nikolin Gurakuqi.
...


Në këtë 90-vjetor të vrasjes së tij, na takonte të ishim më të mbledhur dhe më të përulur para disa figurave si ai dhe Luigj Gurakuqi e meritonte të gjithë nderimin e duhur, për shpirtin e tij patriotik dhe kontributin e madh në arsimin shqiptar. Por, me sa duket ka shumë që sot duan që ai të jetë i vdekur edhe pse ai prehet në amshim. Dhe, kjo është vrasja më e rëndë e tij.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama