Ilacet e kancerit pse po urrehet shqiptari ne SHBA

Ilacet e kancerit, pse po urrehet shqiptari ne SHBA

Kur firma farmaceutike “Turing” në SHBA bleu në muajin gusht linjën e prodhimit të ilaçeve “Daraprim” nga kompania “Impax”, ajo shpenzoi 55 milionë dollarë (rreth 50 milionë euro). Menjëherë, ose më saktë, brenda natës, ajo e rriti çmimin e një kokrre “Daraprim”, nga 13.5 në 750 dollarë, një rritje prej 5000 për qind. Ngritja e çmimit u prit me ankesa nga komuniteti mjekësor, për faktin që pacientët nuk mund ta përballonin dot. Por drejtori ekzekutiv i firmës “Turing”, Martin Shkreli, thotë se ngritja e çmimit ishte një vendim i arsyeshëm nga këndvështrimi i biznesit. “Ngaqë ilaçi dilte me humbje me çmimin e mëparshëm, kompania që do e shiste atë do të humbiste para.

Me çmimin e ri, fitimet janë të arsyeshme, aspak drastike”, u përgjigj zoti Shkreli, i pyetur për këtë rritje marramendëse. Ilaçi “Daraprim” u shpik në vitin 1953. Ky ilaç përdoret për të kuruar infeksionin “toxoplasmosis”, që shkaktohet nga një parazit që egziston në gati çerekun e popullsisë amerikane mbi 12 vjeç, por që mund të jetë vdekjeprurëse për individët me sistem imunitar të dobësuar, si ata që vuajnë nga SIDA dhe kanceri. Kur firma “Turing” e ngriti çmimin nga 13 në 750 dollarë, kostoja e trajtimit për një pacient u rrit nga 1.130 në 63 mijë dollarë.

“Çfarë po bëjnë kaq të ndryshme, sa duhet rritur kaq shumë çmimi?” shkruante në faqet e “Neë York Times”, doktoresha Xhudit Aberg nga reparti i sëmundjeve infektive në spitalit “Mount Sinai”. Ajo shpjegoi se ky çmim kaq i lartë do t’i detyrojë spitalet të ndjekin terapi alternative, që mund të mos kenë të njëjtin efikasitet. Gjithashtu, shoqatat e ndryshme të sëmundjeve infektive janë të shqetësuara dhe në fillim të shtatorit i kanë dërguar një letër të përbashkët kompanisë “Turing”, duke e cilësuar rritjen e çmimit “të pajustifikueshme për pacientët” dhe “të papërballueshme për spitalet”.

Megjithatë duket se Shkreli, i kthyer ndër personazhet më të urryer në Shtetet e Bashkuara, nuk e ka marrë parasysh letrën, pasi në mënyrë publike ai i ka hedhur poshtë kritikatse mendon vetëm për fitimin dhe jo për pacientët. Ai ka shpjeguar se “Daraprim” përdoret rrallë dhe ndikimi i tij në sistemin sanitar është i vogël. Sipas tij, “Turing” do t’i përdorë paratë e grumbulluara “për të zhvilluar kura edhe më të mira dhe me më pak efekte anësore”. Megjithatë shoqatat e mjekësisë e kanë hedhur poshtë këtë “ofertë” të shqiptaro-amerikanit. “Nuk kemi nevojë për ilaçe më efikase kundër ‘toxoplasmosis’”, janë shprehur shoqatat mjekësore.

Ky zhvillim hyri dje në betejën politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kandidatja demokrate për president, Hillari Klinton, tha gjatë një takimi elektoral se në se zgjidhet, “ajo do të punojë t’i japë fund praktikave të tilla të ngritjes së çmimeve”. Edhe rivali i saj, Bernie Sanders, i dërgoi një letër Martin Shkrelit, duke i kërkuar informacione për këtë rritje çmimi. Bernie Sanders dhe ligjvenësi Elijah Kumings kanë bërë hetime për ilaçet që kanë pësuar ngritje të lartë çmimi. Por, sipas Shkrelit, çmimi i tanishëm është i përshtatshëm. Hillari Klinton tha se ajo do të paraqesë një plan për t’iu kundërvënë çmimeve të tilla të larta në sektorin e ilaçeve, që janë të veçanta dhe nuk kanë konkurrentë për të ulur çmimin.

Historia e shqiptaro-amerikanit

Martin Shkreli, 32 vjeç, është një investitor amerikan me origjinë shqiptare, i specializuar në investimet në sektorin e farmaceutikës. Ai është themelues i kompanisë farmaceutike “Turing” dhe më parë ka qënë bashkëthemelues i firmës financiare “MSMB Capital Management”, e specializuar në metoda investimi me rrezik të lartë, me shpresën për të realizuar fitime të mëdha. Ai është i njohur mirë si një investitor dhe aktivist që ka “luftuar” me miliarderët dhe drejtuesit e industrisë së prodhimit të ilaçeve. Pak vite më parë, Shkreli u përfshi si anëtar i revistës prestigjioze amerikane “Forbes” në klasifikimin vjetor “30 nën 30”, mes njerëzve më të suksesshëm në botë në industrinë e financave.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama