Dokumenti i CIA-s Berisha gati te sakrifikoje pavaresine e Kosoves per zgjedhjet e vitit 1996

Dokumenti i CIA-s: Berisha gati te sakrifikoje pavaresine e Kosoves per zgjedhjet e vitit 1996

Shtetet e Bashkuara dhe shërbimet e tyre inteligjente kanë qenë të shqetësuar për mundësinë e shfrytëzimit nga Sali Berisha të çështjes së Kosovës për përfitime politike të brendshme.

Në një dokument të 21 dhjetorit 1995, analizohen zhvillimet në rajon pas Marrëveshjes së Dejtonit, që qetësoi një pjesë të Ballkanit.

Raporti i CIA-s shprehet se Marrëveshja e Dejtonit ka galvanizuar edhe shqiptarët e Kosovës për të ndryshuar statusin e tyre.

Në një kapitull të veçantë, raporti i grupit të posaçëm për Ballkanin trajton edhe rolin e Shqipërisë, duke u fokusuar te sjellja dhe ndikimi i Presidentit të kohës, Sali Berisha.

Si drejtues i shtetit shqiptar, raporti i inteligjencës nënvizon se Berisha do të ketë një rol parësor për të ruajtur stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

Në komunikimin e tij me diplomatët amerikanë, Berisha është përpjekur të fuqizojë rolin e liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, ndaj të cilit kishin nisur presionet e brendshme për një ashpërsim të linjës së veprimit.

“Berisha, me shumë të ngjarë duke njohur dobësinë e pozicionit negociues për shqiptarët etnikë, vazhdon të insistojë që Rugova të ndalë thirrjen për pavarësi dhe u ka thënë diplomatëve amerikanë se ai beson që fillimi i negociatave do ta ndihmojë Rugovën t’u shmanget presioneve nga shumë liderë aktivistë të shqiptarëve kosovarë”, thuhet në dokumentin amerikan.

Megjithatë, në dokumentin e inteligjencës amerikane, bie në sy edhe shqetësimi se Presidenti shqiptar mund të “rrëshqiste” edhe vetë në kursin e nacionalizmit, për shkak të zhvillimeve të brendshme politike, raporton “Shekulli”.

Në momentin e përpilimit të raportit, Shqipëria ndodhej vetëm 5 muaj larg zgjedhjeve të shumëdebatuara të 26 majit 1996 dhe tensioni politik në vend po kapte majat. “Një sfidë politike nga Partia Socialiste – ish-komunistët – në zgjedhjet parlamentare pranverën e ardhshme mund ta shtyjnë Berishën të ndjekë një linjë më të ashpër në çështjet rajonale të shqiptarëve etnikë.

Ai gjithashtu mund të përdorë kartën nacionaliste për të fituar mbështetje nga partitë e vogla të djathta”, vlerësojnë ekspertët e inteligjencës, të cilët kanë ndërtuar edhe një hartë të problematikës së Ballkanit.

Pjesa e dokumentit të shërbimit sekret amerikan, ku flitet për lëvizjet e Berishës

“Presidenti shqiptar Berisha do të luajë një rol drejtues, duke u përpjekur të balancojë përpjekjet për të përmirësuar gjendjen e minoritetit të madh etnikshqiptar në Serbi dhe Maqedoni, me përpjekje për të nxitur stabilitetin rajonal.

Megjithatë, Tirana u ka bërë jehonë kërkesave të shqiptarëve kosovarë për një vëmendje ndërkombëtare në Kosovë, duke u thënë diplomatëve amerikane në dhjetorin e shkuar se një dështim për futur në rrugën e zgjidhjes problemin e Kosovës do të çojë në një të ardhme të paqartë në Ballkan. – Berisha thuhet se u deklaroi diplomatëve amerikane që Marrëveshja e Dejtonit dhe një moderim i perceptuar në politikën e Beogradit kanë përmirësuar shanset për të ndjekur një zgjidhje për Kosovën.

Ai u tha diplomatëve se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin drejtimin për të ndihmuar të zgjidhet bllokimi në Kosovë, duke ndjekur vendosjen e trupave të NATO-s në Bosnje. – Berisha, me shumë të ngjarë duke njohur dobësinë e pozicionit negociues për shqiptarët etnikë, vazhdon të insistojë që Rugova të ndalë thirrjen për pavarësi dhe u ka thënë diplomatëve amerikanë se ai beson që fillimi i negociatave do ta ndihmojë Rugovën t’u shmanget presioneve nga shumë liderë aktivistë të shqiptarëve kosovarë. – Një sfidë politike nga Partia Socialiste – ish-komunistët – në zgjedhjet parlamentare pranverën e ardhshme mund ta shtyjnë Berishën të ndjekë një linjë më të ashpër në çështjet rajonale të shqiptarëve etnikë.

Ai gjithashtu mund të përdorë kartën nacionaliste për të fituar mbështetje nga partitë e vogla të djathta”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama