Euro 2016 De Biasi i qendron besnik grupit qe arriti kualifikimin

Euro 2016, De Biasi i qendron besnik grupit qe arriti kualifikimin

Gianni De Biasi ka vendosur t’i qëndrojë besnik grupit që arriti suksesin historik, duke e çuar Shqipërinë për herë të parë në finalet e një kampionati europian. Trajneri kuqezi do të bazohet pikërisht tek ata lojtarë, por pa përjashtuar raste të bujshme, me lojtarë që shpërthejnë gjatë sezonit që u paraprin finaleve franceze. I tillë është rasti i Milot Rashicës, i cili po shkëlqen te Vitesse në Holandë, ndërkohë që dera është e mbyllur për Besart Berishën, i cili refuzoi të rivishej kuqezi dy vjet më parë. Në një intervistë në TVSH, trajneri italian shpjegon planet për europianin.

Ka mjaft konkurrencë për të zgjedhur 23 lojtarët e finaleve. Ka ndonjë lojtar të konfirmuar, apo janë të gjithë në diskutim?

Kemi ende katër muaj kohë përpara se të bëjmë selektimet e lojtarëve. Mendoj se këto katër muaj do të jenë të rëndësishëm për të kuptuar se cilët lojtarë kanë luajtur, ata që janë më mirë fizikisht. Por, besoj se do të jetë i njëjti grup lojtarësh që na dërgoi në Francë.

Keni ndonjë lojtar të preferuar në Kombëtaren shqiptare?

Jo, nuk kam një lojtar të preferuar. Por kam preferencë për disa lojtarë që më janë simpatikë, sepse për mua simpati do të thotë që një person ndihet mirë në grup dhe i bën të tjerët të ndihen mirë. Për mua si trajner, por edhe për kolegët e tjerë, këta janë lojtarë që të japin një kënaqësi të madhe, janë pjesë e skuadrës, nuk ndihen vetëm protagonist, por së bashku me grupin.

Le të flasim pak me emra më konkretë. Besart Berisha, i cili luan në Australi?

Nuk do të vijë me ne!

Pra, për të dera është e mbyllur edhe nëse shënon në çdo ndeshje?

Edhe nëse shënon çdo të diel. Problemi qëndron se kur Besart Berisha mori ftesën, nuk erdhi sepse ishte në pjesën tjetër të botës. Tani është po në pjesën tjetër të botës dhe le të rrijë atje!

Shkëlzen Gashi është transferuar kohët e fundit tek Colorado Rapids në Amerikë. Për të është një hap i rëndësishëm në karrierë?

Është një mundësi më shumë për Gashin që të luajë, sepse është një lojtar që nuk ka luajtur shumë te skuadra e Bazelit. Nuk kishte mundësi të luante me trajnerin që kishte dhe zgjodhi të ikte në një realitet tjetër për të luajtur më shumë.

Le të flasim pak për lojtarët e rinj të Kombëtares shqiptare të futbollit, siç është Milot Rashica, Rei Manaj, Shani Tarashaj apo Celina.

Janë të rinj dhe kanë një të ardhme përpara. Janë të rinj që i shkojnë përshtat projektit tonë. I ndjek të gjithë. Manajn e ndjekur më pak, sepse pothuajse nuk luan fare tek Interi, që është një skuadër e madhe. Përsa i përket Rashicës, është një lojtar që po zhvillon një kampionat të jashtëzakonshëm, ka shënuar shumë. Ndërkohë, vendimet do të merren në një moment tjetër.

Do të kemi dy ndeshje miqësore. Një me Austrinë më 26 mars dhe tjetra me Kanadanë përpara fillimit të kampionatit europian. Çfarë do të thonë këto dy ndeshje për De Biasin?

Do të luajmë me Austrinë, që është një skuadër mjaft e fortë, sepse mban vendin e 10-të në renditjen e FIFA-s. Ka lojtarë që luajnë në kampionate të rëndësishme europiane. Duhet ta përgatisim mirë këtë ndeshje për të marrë përgjigje nga lojtarët që do thërras posaçërisht për këtë ndeshje.

Do ketë lojtarë nga kampionati shqiptar?

Ndonjë lojtar mund të jetë pjesë e Kombëtares shqiptare të futbollit në europian, gjithmonë duke u bazuar tek ata lojtarë që kanë qenë pjesë, si Orges Shehi apo Alban Hoxha. Më pas do të shohim nëse do ketë lojtarë të tjerë që do jenë pjesë e skuadrës sonë.

Ne e ndjekim edhe kampionatin italian. Të shtunën luhet Juventus-Napoli. Do të jetë një ndeshje që do të vendosë titullin?

Nëse do të jetë një ndeshje që përfundon në barazim, nuk vendos asgjë. Ndërsa nëse fiton Napoli, do të ketë mundësi për të fituar kampionatin. Ndër të tjera, mbetet një ndeshje larg fundit të kampionatit. Sa për të kujtuar, Juventusi që të gjithë e mendonin jashtë luftës për titull, ja doli të hynte sërish në garë me lojtarët që ka.

Çfarë ju pëlqen më shumë nga Shqipëria, çfarë do t’ju mungojë një ditë?

Më pëlqen ngrohtësia e njerëzve, dëshira për të ndjekur ngjyrat tona. Do të qëndroja tek ky aspekt, njerëzit gëzohen edhe për disa gjëra të vogla.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama