Hetimi ne Austri zyrtari shqiptar mori 575 mije euro ryshfet

Hetimi ne Austri, zyrtari shqiptar mori 575 mije euro ryshfet

Prokurorët në Austri dyshojnë se Dietmar Aluta-Oltyan, figura më e fuqishme në kompaninë austriake të falimentuar Alpine Bau, u përfshi në një proces që korruptoi një zyrtar shqiptar me një tarifë konsulence prej 575 mijë eurosh të paguar për një kompani të regjistruar në Qipro me emrin Windforce Estate Limited në vitin 2009.

Dyshimet përputhen me prova të publikuara më herët nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigtive dhjetorin e kaluar, të cilat treguan se kompania austriake, e cila shpalli falimentin në qershor 2013, bëri një pagesë të dyshimtë për të njëjtën kompani konsulence të regjistruar në Qipro në vitin 2012.

Prokurorët austriakë dyshojnë se pagesa më 2009 lidhej me kontratën 28 milionë eurosh që Alpine Bau mori për ndërtimin e rrugës Dames-Tepelenë në Shqipërinë e jugut.

Dokumente të papublikuara më parë të zbuluara nga BIRN tregojnë se, kompania austriake fitoi kontratat e saj të mëdha në ndërtimin e rrugëve në Shqipëri në kushte të debatueshme.

Korrespondenca, e publikuar përmes kërkesave për Lirinë e Informimit, mes Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve në Shqipëri dhe financuesve të kredisë së rrugës, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH e Bankës Europiane të Investimeve, EIB, zbulojnë se kompania gjermane e GP Papenburg qe fillimisht e përzgjedhur për ndërtimin e autostradës Levan-Vlorë në vitin 2007.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave eliminoi Alpine Bau, e cila pati bërë ofertën më të ulët prej 41 milionë eurosh, për shkak se nuk kishte dhënë dokumentet korrekte ligjore.

Por pas pyetjeve nga BERZH dhe BE, gjithsesi, komisioni ndryshoi vendimin dhe ia dha marrëveshjen Alpine Bau, pavarësisht protestës së njërit nga gjashtë anëtarëve të komisionit, Artur Luca.

Firma fitoi tenderin pavarësisht se nuk kishte bërë ofertën më të mirë, shkroi revista austriake Kurier në një lajm të hënën.

Kontrata e firmosur më 2008-n parashikonte përfundimin e punimeve në vitin 2011.

Gjithsesi, projekti hasi probleme dhe u përfundua vetëm këtë vit me tejkalime të mëdha të paspecifikuara. Deri në vitin 2011, kostoja që rritur 6 milionë euro, bëhet e ditur nga një raport i audituesve shqiptarë.

Një zëdhënës i prokurorisë i tha BIRN se hetimi u hap këtë verë mbi shtatë njerëz, përfshirë Aluta-Oltyan, për përvetësim, ndihmë në përvetësim dhe korruptim të një zyrtari të huaj.

Ai tha: “Ka një dyshim se nuk kishte shërbime (të dhëna) për gapesat (për Windforce Estate) dhe se pagesat u përdorën pjesërisht për të paguar ryshfet për zyrtarët shqiptarë.”

Ai refuzoi të japë më shumë detaje mbi akuzat, por konfirmoi se raporti në Kurier qe i saktë.

Ai shtoi se ndërsa informacioni fillestar për hetimin e tyre doli gjatë një çështjeje të ngritur në një gjykatë tregtare në Vjenë, prokurorët po merrnin parasysh zbulimet e mëparshme të BIRN.

Aluta-Oltyan mohon akuzat. Avokati i tij, Felix Klement, i tha Kurier se Aluta-Oltyan nuk qe i përfshirë në bizneset në Shqipëri, me përjashtim të marrjes së dy e-mail-eve.

“Alpine qe oferta më e mirë. Pagesa nuk qe ryshfet, por shërbeu për të paguar një nënkontraktor grek që mori përsipër projektin”, tha ai.

Pronar i panjohur

Investigimi i BIRN zbuloi se dega në Shqipëri e Alpine Bau transferoi 1.4 milionë euro te Windforce Estate Limited në vitin 2012.

Një raport auditimi i Deloitte, i siguruar nga BIRN, vuri në pikëpyetje transfertat dhe tha se Windforce nuk dha prova se kishte kryer punë. Ajo nuk e certifikoi bilancin e Alpine Bau për vitin 2012 për rrjedhojë.

Pagesa e bërë për Windforce përgjatë vitit 2012 qe për punë që lidhej me “veprimin dhe këshillimin, asistencë materiale në çfarëdolloj takimi, diskutime dhe informime”, shkruhet në faturat e mara nga gazetarët.

Pronari i vërtetë i Windforce nuk dihet, por auditorët kanë vërejtur se marrësi i pagesave dhe aksioneri i vetëm vdiq në një spital në Greqi në prill 2013. Për rrjedhojë, kompania nuk qe në gjendje të ofronte detaje të tjera për shërbimet që ishte dhënë.

Apostolos Christellos, një zyrtar i lartë në Alpine Bau i përfshirë në projekt dhe mik i Dietmar Aluta-Oltyan, vdiq në Greqi në 29 mars 2013.

Antonios Papantoniou, një avokat në Qipro dhe drejtori aktual e pjesërisht pronari i Windforce Estate, tha se ai ka menaxhuar më shumë se 500 firma, duke shtuar se nuk besonte se Christellos qe pronar.

“Nuk e di se cili është pronari i vërtetë. Por mendoj se personi për të cilin po flisni (Christellos) nuk kishte të bënte fare me të”, tha ai.

Christellos pati qenë drejtues i Alpine Bau Greqi dhe qe përfshirë drejtpërsëdrejti në negociatat për rrugën Dames-Tepelene mes Alpine Bau dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve në janar 2012.

Ai mori lavdërime nga Ambasada e Austrisë në Greqi pas vdekjes. Më herët ai mori nderime shtetërore nga Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer.

Zyra e prokurorit në Austri nuk mundi të konfirmonte apo mohonte nëse Christellos qe i implikuar në hetim.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama