Drama Sinkopa (analize)


Edhe kjo dramë përbëhet nga pjesa e parë dhe pjesa e dytë. E para zhvillohet në dhomën e Xhexheut, ku janë të pranishme një telefon dhe një thikë: telefoni si simbol i përgjimit, manipulimit, përgjimit, dhe thika simbol i dhunës e i krimit. Xhexheu ngrihet në nivel të subjektit; është i vetmi strumbullar rreth të cilit plekset e shplekset çdo gjë në këtë dramë. Ai zhvillon një "dialog" me palën tjetër në skajin tjetër të telefonit, me palën që e ka numrin: një me njëmbëdhjetë zero pas dhe me njëmbëdhjetë zero para dhe njëshin në fund, që është numri i Xhexheut. Teksti i palës tjetër mund të merret me mend për aq sa lejon monologu i Xhexheut.
Pala tjetër është e pranishme në dhomën e Xhexheut vetëm si ftohtësi, si bardhësi boshe, pa trajtë individualiteti, si mekanizëm dhe sistem që të ndrydh, që të ngujon brenda rrjetave të hekurta. Xhexheu synon ta ngrejë tërë atë patrajtshmëri në shkallën e subjektit, gjë që do të realizohet në pjesën e dytë të dramës, e cila zhvillohet në një lokal publik, ku mblidhen plot njerëz dhe merren me biseda të kota. Xhexheu në këtë kontekst provon të veçohet, të shkoqet pëfundimisht nga ky realitet, përmes një rebelimi të skajshëm. Kështu, në pjesën e parë rrëfimi dramatik paraqitet zëshëm, si një monolog i reflektuar nga një bashkëbisedues imagjinar, ndërkaq, në pjesën e dytë ngjarja shfaqet e dukshme, vizuale.
Gjuha simbolike: numrat e dy anëve të telefonit; thika, emrat e personazheve, (Xhexheut, si jehonë e nxitjeve për vetveten, Lumnia si jehonë e idesë së pandryshueshme të realitetit, Lumtunia si ideal i synuar, dhe Shpresa, si mbështetje e brendshme e personazhit), mjediset (si Rruga e Trimave dhe Kozmodromi), ku zhvillohet pjesa e dytë, janë pjesë përbërëse e idesë qëndrore, e kuptimeve të ndërthurura, që nxitin tekstin e hapur të Pashkut.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama